TemA, 9 Korrik 2012
Nga një anë përdhoset Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, dhe nga ana tjetër detyrohen fëmijët 12-24 muajsh të mësojnë për bëmat e Sali Berishës apo Lulëzim Bashës. Në një reagim të deputetes socialiste Ledi Shamku bëhet ky krahasim mes dy lajmeve që u bënë publik njëri pas tjetrit nga media.
Në prononcimin e saj deputetja socialiste kujton një lajm, i cili nuk bëri bujë vetëm në Britani, po në të gjithë Europën. Për Shamkun Shteti duhet të ketë fytyrën e ligjit dhe jo të pushtetit: “Para tre ditësh një lajm pati jehonë në të gjithë Europën. Kryeministri britanik Cameron mbajti radhë 10 minuta ngaqë shitësi nuk e kish njohur. Komentet ishin të tilla “Ja ky është shteti! Shteti që ka pamjen e ligjit dhe jo imazhin e pushtetarëve!” Po, po ky është shteti që ndërtohet me kontributet e çdo qytetari dhe i shërben gjithkujt! Bravo britanikëve – ishte komenti i gjithë Europës.
Krejt e kundërta ndodh në vendin tonë, të lënë me pahir në skaj të botës nga tribalë si Saliu me të vetët. Në librushkat e çerdheve dhe të kopshteve del se vocërrakët u dashka të mësojnë kush na është Lul Basha, Sali Berisha e Jozefina Topalli!!!
Po, po njëlloj si indoktrinimi nazist e fashist, njëlloj si “xhaxhi Enver e ke gojën me sheqer”. T’ju vijë turp botuesve servilë dhe faqja e zezë Ministrisë së Arsimit, që nga njëra anë ngrenë të tilla ditirambe banale dhe nga ana tjetër heroin kombëtar e çon në maturë si nxënës mediokër të lindur në 1993.”
Deputetja socialiste në prononcimin e saj thotë se është Berisha çdo ditë po tregon se përpiqet të imitojë autarkët dhe diktatorët.
“Ky nuk është shtet, e madje ky nuk është as thjesht e vetëm pushtet! Ky është degjenerim njerëzor i të fshikulluarit Sali Berisha që plasi të imitojë të gjithë autarkët e diktatorët bajatë që ka për frymëzim. Por, ky është dhe degjenerimi politik i një sistemi politik prej të cilit demokracia ende nuk ka ardhur në këtë vend. Bash mbi këtë kalbëzim do ta ndërtojmë arsimin e rilindur, larg thonjve të çdo doktrine mbytëse e sidomos të politikës. Ky kalbëzim do të jetë humusi i një shkolle të re të rilindur. I ftoj shqiptarët t’i mbajnë mend librushkat bajate me Lul e Sali. T’i mbajnë mend se do t’u duhen nesër për t’u gajasur me këtë soj pushtetarësh,” përfundon prononcimi i deputetes së PS.