Përballë shpërbërjes?

0
40

Nga Met Dervishi, 12 Korrik 2013

Fushata e dy kandidatëve për kreun e Partisë Demokratike po le në hije pesë poshtërime që po i bën z. Berisha partisë së vet/ tonës/të të gjithëve si qendër e djathtë. Aq sa të krijohet përshtypja që opinioni publik gjatë këtyre njëzet e dy viteve është mësuar tashmë kaq shumë me faktin që kjo parti është parti e Berishës, dhe se i takon atij të bëjë ç’të dojë me të, për të, mbi të, e, së fundi, nën të. Dhe kur është në fundin e fundit të tij politik.

Poshtërimi i parë ka të bëjë me deklarimin e tij se do të heqë dorë nga të gjitha pozicionet politike të partisë. Të cilën duhej ta kishte realizuar fill pas deklarimit, në përputhje me vullnetin e “sovranit”. Çka do të thotë që, selia e Partisë Demokratike, sot e gjithë ditën, duhej të ishte pa kryetarin e saj. Të cilën, siç do të pritej nga një lider që trumbeton evropianizimin, ai duhet ta kish bërë që të nesërmen e deklarimeve të tij publike.

Poshtërimi i dytë ka të bëjë me vendimin/vendimet që zgjedhjet e partisë për kryetarin e ri do të bëhen sipas parimit “një anëtar një votë”. Pra, jo me kongres partie, çka do të parakuptonte debate, debate dhe për humbjen, dhe pastaj zgjedhjet. Në këtë rast, kuptohet që s’kemi ndonjë dashuri eprore për votën e anëtarësisë, se ajo aty ka qenë gjatë këtyre njëzet vjetëve, po thjesht kemi të bëjmë me një taktikë për të shmangur debatet e një kongresi partie. Pra, debate për fundin e fundit të tij politik.

Poshtërimi i tretë ka të bëjë me vendimin/vendimet që numërimi i kutive të votimit për kryetarin e partisë do të bëhet në qendër, pra në Tiranë. Kjo komprometon obsesionin e hershëm të z.Berisha për të kontrolluar me të gjitha mjetet që njeh dhe di ai rezultatet e votimeve kudo e kurdoherë që bëhen. Një obsesion, që gjithashtu komprometon dhe dëshirën që t’i imponojë një partie vullnetin/favoritin e tij me të gjitha çmimet. Përndryshe, Partia Demokratike i ka të gjitha kapacitetet e saj organizative që t’i numërojë kutitë e votimit me përfaqësuesit e kandidatëve në të gjitha qarqet e vendit.

Po në këtë linjë është dhe poshtërimi i katërt që i bëhet ditën për diell Partisë Demokratike, deklarimi se fituesi krijon ekipin e vet. Dhe, në fakt, me këtë votim, po të vazhdojë kështu, anëtarësia i heq të drejtën vetes për të votuar lidershipin e vet.

Poshtërimi i pestë ka të bëjë me mesazherët e “fshehtë” të z.Berisha në medie të ndryshme, por jo vetëm, që “ai” e kontrollon procesin. Sipas këtij versioni, fushata është thjesht spektakël, kurse regjisori, si gjithmonë e në jetë të jetëve, është “në krye të detyrës”. Dhe, gjithnjë sipas këtij versioni, Basha është kryetari, Olldashi ndonjë nënkryetar ose sekretar, njëri i moderuar e tjetri skifter, e kështu me radhë. E gjitha kjo bëhet për të fshehur të vërtetën e thjeshtë të fundit të fundit të tij politik.

Poshtërimi i gjashtë ka të bëjë vetëm me mediat, analistët, sondazhet që po bëhen e do të bëhen. Natyrisht, me mediat e kontrolluara po nga z. Berisha dhe me analistët që po nuk patën celularë nuk bëjnë dot analiza. Këta, këtë sallatë s(t)aliniste rrahin të na e shesin publikisht si antipastë europiane. Sipas tyre, kemi përballë një lider europian, që jep dorëheqje në momentin e duhur, një lider fisnik që jo vetëm din ta lexojë votën e “sovranit” po e përkthen atë me gjeste plot hir politik. Të cilët duan t’i vënë kurorë dafine liderit të tyre, por dhe që shprehin frikën nga kurora me gjembaçe që mund t’ia vërë në kokë nesër një shtet ligjor apo” historia”.

Poshtërimi i parë, i dyti dhe i treti dhe i katërti kanë të bëjnë me statutin e Partisë Demokratike. Edhe në fundin e fundit të tij, z. Berisha po e masakron atë, siç ka bërë me statutin e parë të Partisë Demokratike, që ka qenë më demokratik se sa ky i sotmi, por që dhe kështu, prapë dhunohet. Sipas këtij statuti, që është në fuqi, z.Berisha duhet t’ia kishte lënë drejtimin e fushatës Sekretarit të Përgjithshëm. Dhe duhet të kishte bërë një kongres partie, pas humbjes.

Të dy kandidatët kanë përballë një njeri që e ka shkelur sistematikisht kushtetutën e partisë së vet. Dhe këtu është thembra e Akilit. Dy kandidatët kanë përballë një lider “fshatar” që thyen mokrën e mullirit të shtëpisë së vet. Nëse vërtet dy kandidatët duhet të ringrenë shtëpinë e qendrës së djathtë, duhet ta fillojnë këtu, te kushtetuta e saj. Le t’i kthehen statutit tonë të parë. Le të shohin dhe statutet/kushtetutat e partive popullore europiane. Dhe le t’u thonë anëtarëve që me një statut të ri, Partia Demokratike do të jetë sot e tutje demokratike. Fjala vjen, shizmat e qendrës së djathtë, por jo vetëm, gjatë këtyre njëzet vjetëve, burojnë nga një e drejtë statutore/kushtetuese e fraksioneve.

Dhe, që jemi një vend “fshatar” s’ka nevojë të mundohesh: kemi pasur mocionistë e mocione/ parti të re demokratike/ LZhK/ Frymë të re. Dhe nga e majta jo më pak. Parcela/parcelizim/postkomunizëm/përçarje. Shih vetëm listën e dy koalicioneve që konkurruan në këto zgjedhje për ta kuptuar ç’katastrofë ka sjellë. Shih dhe cilësinë e parlamentit që ka prodhuar.

Dy kandidatët s’kanë pse të na e projektojnë debatin se si dhe qysh do të rikthehet PD-ja në pushtet, apo si e qysh do të bëjnë opozitë, po si e qysh do ta bëjnë Partinë Demokratike një seli europiane të qendrës së djathtë. Dhe nyja gordiane këtu është kushtetuta e partisë/statuti i saj.

Dy poshtërimet e fundit, i pesti dhe i gjashti, kanë të bëjnë me stilin berishist të drejtimit të partisë. Pas kuintave. Me “kryesinë e vogël”, që s’është institut kushtetues/statutor. Me takimet pas orës njëmbëdhjetë të natës me këshilltarët e tij të “fshehtë” që, në fakt, kanë qenë kryesia/ këshilli kombëtar i partisë në hije. Dhe që s’janë e s’kanë qenë asnjëherë institute statutore. Minimalisht, kanë të bëjnë me formimin komunist të liderit tonë postkomunist. Gjenetikisht janë sjellje tipike të një lideri “fshatar” që përdhunon odën e burrave me cubat e katundit tjetër.

Dy kandidatët pra, s’kanë pse të merren me barrët e së shkuarës, por të na projektojnë selinë europiane të një qendre të djathtë për të ardhmen. Edhe kështu siç janë punët, edhe me këto gjashtë poshtërime të fundit, këta të dy duhet të na tregojnë që janë të zotët të projektojnë një fillim të ri. Guri i themelit për këtë është statuti/kushtetuta e Partisë Demokratike, shenjtërimi i saj. 1.000.000 votat kundër Berishës, janë njëkohësisht 1.000.000 vota për reformimin e Partisë Demokratike. Këto vota nuk duan një berishizëm pa Berishën. Dhe votat e anëtarësisë së Partisë Demokratike, po u orientuan drejt këtij reformimi, kanë plus një milionësh me vete. Përndryshe do të kemi një parti që do të ketë një grusht të korruptuarish rreth vetes për t’u mbrojtur nga ndëshkimi ligjor. Dhe një grup parlamentar opozitar që, megjithëse ka vulën e prostitutave të korrupsionit, do të inskenojnë në parlament zonjën e papërlyer.

Anëtarësia e thjeshtë e Partisë Demokratike s’ka asgjë të përbashkët me kupolën e korruptuar të partisë së vet, madje kërkon ndëshkimin e saj. Dhe, nëse kjo nuk kuptohet nga dy kandidatët, Partia Demokratike rrezikon shpërbërjen.