Përballë fantazmës – Fakte të pakundërshtueshme

0
50

DOSSIER – WILLIAM SHAKESPEARE

1. Njeriu, të cilin ne e quajmë William Shakespeare, në dokumentat e pagëzimit dhe varrimit të tij është quajtur William Shakspere dhe, mesa duket, me po këtë emër ka hedhur edhe firmën (firmat e tij variojnë nga njëra tek tjetra dhe shkrimi i tij i dorës është i vështirë për t‘u deshifruar). Ai lindi në vitin 1564 në një fshat të vogël të Stratford – mbi – Avon, Angli. I ati i firmoste shkresat me një X ose me një kryq.

2. Nëse Shakspere ndoqi shkollën (nuk ka dokumenta për këtë), ka të ngjarë që të mos e ketë vazhduar gjatë; në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare u martua dhe deri kur mbushi njëzetenjë vjet bëri tre fëmijë. Kurrë nuk vazhdoi ndonjë universitet.

3. Pjesët teatrale që filluan të shafqen menjëherë pas transferimit të Shaksper-it në Londër posa ky mbushi të njëzetat, shpalosin njohuri që mund të jenë befasuese për një njeri me një formim të mangët ardhur nga një qytet i vogël. The Comedy of Errors (1592?) është e bazuar mbi një pjesë teatrale latine, e cila asokohe nuk e pa dritën e botimit në përkthimin anglisht. Love‘s Labor Lost (1594?) shpërfaq një njohje të brendshme të oborrit mbretëror. Në një formë të përmbledhur pjesët e Shakspere paraqesin një fjalor të jashtëzakonshëm dhe një familjaritet me një sërë librash.

4. Kur Shakspere qe në Londër disa nga veprat e Shakespeare u vodhën dhe disa të tjera, që tani besohet të mos kenë qenë të Shakespeare, iu atribuan atij. Nuk ka prova që Shakspere të ketë protestuar.

5. Dokumentet tregojnë se Shakspere ishte një biznesmen aktiv, fajdexhi dhe investitor ndërtimesh. Në vitin 1597 ai bleu në Stradford një shtëpi të shtrenjtë dhe duket se u transferua përfundimisht në këtë qytet rreth vitit 1610.

6. Në fillim të 1616-ës ai hartoi një testament tepër të hollësishëm i cili përfshinte sende të tilla të vogla si p.sh. një rruzull të argjendtë, një shpatë dhe artikuj veshmbathjeje. Ai nuk i përmend kurrkund librat (shumë të shtrenjtë asokohe) apo dorëshkrime të veprave të Shakespeare, gjysma e të cilave nuk qe botuar ende deri atëherë.

7. Kur Shakspere vdiq, lajmi i vdekjes së tij kaloi i pa u vënë re në Londër. Megjithëse vdekjet e figurave të tjera letrare të kohës shënoheshin nga dedikime shkruar në poezi e prozë, duket se për nder të tij nuk u botua asgjë e tillë.

8. Ben Jonson (Ben Xhonson), bashkëkohës i tij dhe një dramaturg i mirënjohur, i thuri lavde Shakespear-it në vargjet e shkruara në faqe të parë të njërës prej veprave të tij (1623). Gjithashtu, ai flet për miqësinë me Shakespear-in dhe komenton vlerat dhe të metat e stilit të tij tek Timber (Drurët), Discoveries (Zbulime), Made Upon Man and Matter (1641).

9. Shakspere lejoi që, në njërin prej dokumentave martesore, t‘ia ndërronin emrin në “Shagspere” ndërsa në një tjetër, në “Shaxpere”.

10. Monumenti i “Shakspeare” (i gërmëzuar në këtë mënyrë), i cili ndodhet në kishën e komunës së Stratfordit paraqet një njeri të shkurtër që mban në duar një penë dhe një letër. Dedikimi, shkruar në të dy gjuhët anglisht dhe latinisht, tregon për një njeri, i cili kujtohet për se ka bërë jetën e një mendimtari dhe shkrimtari. Shumë nga ekspertët që e kanë shqyrtuar këtë monument thonë se ai është ngritur përpara vitit 1623.

11. Gdhendjet nën bustin e tij, të cilat janë botuar në vitet 1656 dhe 1709, ndryshojnë në shumë aspekte nga busti aktual. Ndryshimi më i dukshëm është se njeriu i gdhendur nuk është duke mbajtur në dorë letër e penë.

12. Një studim jozyrtar i njëzet qytetarëve të një qyteti amerikan në Perëndimin e Mesëm (viti 1993) zbulon se nëntëmbëdhjetë prej tyre besonin se njeriu nga Stratfordi ishte ai që i shkroi poezitë dhe pjesët teatrale që i qenë atribuar.

13. Një pjesë e madhe e profesorëve të anglishtes në botë besojnë se njeriu nga Stratfordi ishte ai që i shkroi këto poezi dhe pjesë teatrale.

14. Calvin Hoffman (Kelvin Hofman), libri i të cilit The Murder of the Man Who Was Shakespeare (Vrasja e Atij Njeriu që ishte Shekspiri) është guri i themelit që mbështet tezën se Christopher Marlow (Kristofer Marlou), si njeriu i vërtetë që fshihej pas Shekspirit, ishte gazetar i Broadway (Broduei).

15. Midis atyre që kanë vënë në dyshim autorësinë e veprave të Shekspirit janë eseisti Ralph Waldo Emerson, poetët John Greenleaf Whittier dhe Walt Whitman, dijetari i mirënjohur i shekullit të nëntëmbëdhjetë (shekullit të Shekspirit) W. H. Furness si dhe romancieri Henry James.

(Përktheu: Albana Kozeli, publikuar në Poeteka, 2005 – Karikatura e W. Shakespeare: autor i panjohur, shtuar nga S. Guraziu)

SHAKESPEARE APO NEVILLE? NË KËRKIM TË IDENTITETIT
(Përgatiti Silvana Leka, publikuar në Poeteka, 2005)

Për më shumë se 150 vjet rresht, studiuesit janë marrë dhe merren seriozisht me “problemin shakespeare” që kërkon të zbulojë një nga ndjelljet më të mëdha intelektuale dhe filologjike të shekujve: a fshihet dikush tjetër pas autorësisë së veprave të William Shakespeare?

Kjo mëdyshje buron prej fakteve se jeta e këtij autori, qëmtimet mbi veprën dhe mjaft intimitete të tjera të tij duket se nuk përputhen aspak me perso-nalitetin, veprat e shumta e të shkël-qyera që ai ka lënë dhe me shkallën e lartë të vetëdijës, humanizmit dhe inteligjencës që shpërfaqen në
krijimtari. Përballë të gjithëve rri e njëjta pyetje: si ka mundur një njeri, i cili është shtrënguar ta braktisë shkollën që në moshën 13 vjeçare, të bëhet një nga poetët, dramaturgët dhe tragjedianët më të mëdhenj të të gjitha kohërave? Si ka qenë e mundur që ai ishte i aftë të përshkruante me aq mjeshtëri Venecian pa shkelur kurrë në të? Si ka mundur të njohë e të zbërthejë jetën e oborrit mbretëror, pa bërë pjesë kurrë në atë pjesë të zgjedhur të shoqërisë, në elitën e lartë të cilës i hapeshin dyert? Si ka qenë e mundur ta njihte shpirtin dhe mendësinë evropiane pa bredhur kurrë nëpër Evropë?

Siç dihet tanimë, autorësia e veprave shekspiriane shpesh u është mveshur personaliteteve të ndryshme të kohës së tij që nga i shumëshkëlqyeri filozof Frensis Bekon kontit të Oxfordit, poetit tjetër Christopher Marlowe, apo edhe vetë mbretëreshës Elisabeta I. Këto hamendje kanë mbetur përherë të ngulitura në kërkimet e studiuesve për të vërtetuar se cili Shekspir fshihet pas Shakespeare. Hipotezat herë ngrihen e herë fashiten, megjithatë dyshimet nuk janë fshirë kurrë. Të paktën deri tani, pasi dy studiues anglez, Brenda James dhe William Rubinstein, kanë nxjerrë në shtyp një libër “E vërteta del jashtë” (botimet Longman), duke synuar për “t’i hequr maskën Shekspirit të vërtetë”, ku në mënyrë pak a shumë bindëse, jepen fakte të reja se autori i vërtetë i veprave shekspiriane është Sir Henry Neville (1564-1615), një figurë e shquar e epokës elisabetiane, megjithëse sot pothuajse krejt i harruar.

Neville, i thirrur nga miqtë “Falstaff”, ndryshe nga Shekspiri, kishte shumë virtyte dhe cilësi të vyera për një shkrimtar të shquar: ai ishte njeri i kulturuar, njeri që vinte nga oborri mbretëror dhe që i njihte gjuhët. Sir Henry Nerville ishte pronar i pasur tokash. Origjina e tij ishte nga Berkshire, i përkiste njërës prej familjeve më të rëndësishme angleze dhe ishte i lidhur me miqësi me shumë mbretër që janë përshkruar e përmendur në veprat shekspiriane. Këto janë pak a shumë elementët biografikë prej nga merr shkas libri i B. James dhe W. Rubinstein.

Këto fakte lidhen me argumente të tjerë prej nga del se si pasardhës i mbretit Eduard III, Sir Henry Nerville ka qenë për shumë vjet anëtar i parlamentit dhe ambasador në Francë. Më tej në libër thuhet se ngjarjet që kanë ndodhur në jetën e tij përputhen aq saktësisht me zhvillimin e ngjarjeve që përshkruhen në dramat e Shakespeare, saqë përjashtojnë mundësinë e rastësisë. Të parët e Neville, për shembull Richard Neville, konti i Warwick tek Enriku i VI, janë përshkruar me një përkujdesje, që i shkon për shtat vetëm dikujt që kishte njohje të afërta e të thella mbi ta, siç ishte rasti i Sir Hebry.

Në mes të viteve 1581 dhe 1582 Neville jeton në veri të Italisë, pikërisht në zonën ku u vendosën Romeo dhe Zhuljeta, Tregtari i Venedikut dhe Zbutja e Kryeneçes. Gjatë një udhëtimi në Poloni ai dëgjoi historinë e Hamletit. Në vitet që jetoi në Francë mësoi në mënyrë të përkryer frëngjishten, kështu që mund ta përdorte në veprat “shekspiriane”.
William-i i gjorë, përkundrazi, nuk i njihte gjuhët dhe nuk mund të thuhet se kishte udhëtuar kushedi se çfarë.

Fakt tjetër ngulmues ështe edhe gjetja prej Brenda James dhe William Rubinstein-it e një blloku shënimesh të Neville që daton më 1602, periudhë në të cilën fisniku ishte i burgosur në kështjellën e Londrës, i akuzuar se kishte mbështetur një komplot kundër mbretëreshës. Në mënyrë të pabesueshme, ai bllok përmban shënime për Enrikun e VIII, shkruar 11 vjet përpara se vepra të përfundonte. Veç të tjerash, tronditja e burgimit, në bllok shënohen fjalët – “rrezikoja përnjimend të më vrisnin”, saktëson profesor Rubinstein – do të shpjegonte ndryshimin e madh e të befasishëm të kalimit të veprave shekspiriane nga komedia në tragjedi. Tronditje të tilla nuk gjenden në jetën e Shakespeare-s, përkundrazi.

Dy studiuesit kanë zbuluar edhe se gjatë periudhës kur drejtonte shoqërinë tregtare londineze Virginia, Neville shkroi në mënyrë të detajuar për mbytjen e një anije në Bermuda gjatë vitit 1609, gjë e cila shërbeu si bazë për veprën “Stuhia”.
Sikur të mos mjaftonin këto, gjer edhe toni e fjalori shekspirian krahasohen në fraza të tëra dhe janë të njejta me tonin, stilin dhe fjalorin e letrave të Sir Henry Neville.

Profesoresha James thotë se me emrin e Neville rastësisht është ndeshur, duke studiuar një shënim për “Sonetet” e Shekspirit, dhe në një intervistë dhënë një gazete angleze, thekson se ky fakt do të jetë një argument i librit të saj të ardhshëm. Kërkimet e saj zgjatën shtatë vjet. Pas kësaj kohe ajo u njoh me profesor Rubinstein, një nga studiuesit që është marrë më shumë me studimet shekspiriane dhe me forcën e argumenteve e bindi jo më mbi dyshimet e autorësisë së veprave të Shakespeare, por se duhet të ngulmonin për t’ia dalë ta gjenin se kush fshihej pas emrit Shakespeare. Kjo vepër padyshim ka ngjallur interes në qarqet akademike dhe tek lexuesit. Po William Shakespeare kush mbetet të jetë? Ndonjë i afërm i largët i Neville, ndonjë imitues apo manekini i tij.

Sidoqoftë, edhe pas këtij zbulimi, që nuk është as i pari dhe as i vetmi në këtë fushë, njerëzit duartrokasin çdo vit nëpër salla vetëm një emër: Shakespeare.