Përballë Berishës, problemet e prodhuara nga ai vetë

0
41

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Kryeministri Sali Berisha po bën një përpjekje të dytë për të shmangur dorëzimin e tij para një zgjidhjeje politike për krizën. Gjatë një dalje publike sot së bashku me politikanin e njohur të së djathtës italiane, Xhanfranko Fini, Berisha i sugjeroi opozitës të përdorë mundësinë që i jep kuadri ligjor për kontrollin e çdo dokumenti, përfshirë dhe atyre sekrete, për të plotësuar kërkesën e tyre. Deklarata e Berishës në të vërtetë nuk është aq spontane.

Qysh ditën e parë të protestës së opozitës Berisha foli në mbledhjen e qeverisë për nevojën e deklasifikimit të shumë dokumenteve të shtetit shqiptar, duke i quajtur ato të parëndësishme për t’u klasifikuar si sekrete. Dje ai e qartësoi më shumë mesazhin e lëvizjes së tij të paramenduar për ta përdorur si rrugëzgjidhje teknike. E gjitha kjo është një bllof. Së pari, nga pikëpamja teknike, kutitë e votimit nuk janë dokumente sekrete, pasi janë dokumente që lexohen publikisht nga qytetarë të zakonshëm që ditën e parë të tyre.

Ato përbëjnë thjesht dokumente të rëndësishme për nga vlera që marrin në procesin e ripërtëritjes politike të pushtetit. Ato as mund të klasifikohen si sekrete dhe as mund të zhbllokohen nga ligji i klasifikimit të informacionit. Së dyti, situata ka agravuar aq shumë sa kërkon zgjidhje rrënjësore politike. Greva e urisë dhe protesta e përditshme e opozitës ka tejkaluar profilin e opozitës zyrtare. Asaj i janë bashkuar qartazi grupe interesi, sindikata, madje dhe përfaqësues të ish-të persekutuarve politikë, të cilët kanë një distancë për shkak të historisë me Partinë Socialiste.

Berisha tani duhet të zgjidhë krizën politike, që nisi nga procesi i manipuluar i zgjedhjeve dhe kjo krizë nuk zgjidhet as duke provokuar çdo ditë institucionin e protestës dhe as duke tentuar të ofrojë zgjidhje teknike. Protesta e opozitës ka provokuar qartazi një mbështetje të gjerë në favor të saj dhe Berisha duhet ta lexojë qartë këtë. Së fundmi, Berishës nuk i ka dalë përballë protesta, që ai të mendojë natë e ditë kundër saj. Berishës i kanë dalë përballë problemet që ka krijuar vetë.

Ai po ndeshet me vonimin e skajshëm të procesit të liberalizimit të vizave për shkak të tij, me dështimin ekonomik për shkak të tij, me dështimin e investimeve dhe koncesioneve për shkak të lakmisë së tij dhe familjes së tij, me dështimin e projekteve në infrastrukturë dhe investime publike për shkak të qeverisë së tij, me korrupsionin e frikshëm dhe kapjen e shtetit për shkak të tij, me zgjerimin e hartës së lëndëve narkotike për shkak të tij, me denigrimin e lirisë së shtypit si dhe humbjen e lirive qytetare për shkak të tij. Protesta është thjesht një moment që na i rikujton gjithë dështimet e tij, por nuk i prodhoi ato.

Ato i ka prodhuar qeverisja e Sali Berishës. Kështu që ai përpara se të mendojë si të minojë protestën e opozitës, duhet të mendojë si t’i zgjidhë problemet e prodhuara prej tij. Dhe një rrugëzgjidhje e tillë s’mund të jetë kurrë teknike, s’mund të jetë kurrë vetëm për të ulur tonet e protestës, s’mund të jetë kurrë një gjë teknike. Duhet fuqi e madhe për të pranuar një zgjidhje të gjerë politike, dhe këtu ndahen burrat e shtetit nga fanatikët e pushtetit.