Perandoria Frroku lulëzoi pas 2005-ës. Mbesa e Berishës, eksperte kontabël e kompanive

0
27

Arben Frroku, biznesmeni që shkëlqen pas vitit 2005. Perandoria ekonomike e të dyshuarit kryesor për vrasjen e komisar Dritan Lamajt. Nga biznesi në Laç e deri tek shtrirja e lojërave të fatit në mbarë vendin

Nga Lindita Çela, Gazeta Tema, 2 Mars 2013

“Unë nuk jam njëri dosido. Kam njohje jo vetëm në polici, por nga të gjitha krahët”. Këtë tha Arben Frroku në qelinë e Drejtorinë e Policisë së Selanikut. E në fakt nuk është aspak njeri dosido. Përkundrazi, familja Frroku ka një perandori biznesi.

Mund të thuash pa frikë se i dyshuari si autor i vrasjes së komisar Dritan Lamajt është në krye të kësaj perandorie. Për 8 vjet ka arritur të ndërtojë gjithçka që sjell para, restorante, lojëra fati, qendra argëtimi e sigurisht dhe kompani energjetike.

Por më shumë se sa suksesi, ajo që të bie në sy është përfshirja e mbesës së kryeministrit si eksperte kontabël, dhe njerëzve të lidhur me politikën në kompanitë e tij. Kur bëhet fjalë për kompani të suksesshme, dhe sidomos për lojëra fati, sigurisht që në to të do të gjesh dhe mbesën e kryeministrit, Shpresa Breçani. Kështu, referuar të dhënave zyrtare, Breçani është eksperti kontabël për të gjithë kompaninë e lojërave të fatit që posedon familja Frroku. Në kompaninë “XHOI CO 21”, mbesa e kryeministrit është emëruar si eksperte kontabël në mars të vitit 2012, pikërisht në kohën që biznesmeni Arben Frroku thotë se ka pasur përplasjen e parë me komisarin e vrarë Dritan Lamaj. Por nuk është vetëm mbesa e kryeministrit personi i vetëm i njohur që rezulton i përfshirë në kompanitë e Arben Frrokut.

Për 8 vjet, Arben Frroku ka arritur të shndërrohet nga një njeri që zonë të veten kishte Laçin, në një prej biznesmenëve të suksesshëm në vend. Aktiviteti i tij nis me restorante, hoteleri turizëm e deri tek lojërat e fatit dhe shfrytëzimit të kromit në Bulqizë. E të gjitha këto kompani janë të regjistrua pas vitit 2005, kohë në të cilën ka ardhur në pushtet Sali Berisha.

Në vitin 1996 familja Frroku kishte vetëm një biznes. Kompania që është e regjistruar nën emrin e Mark Frrokut quhej “ELADHA”.

4 vjet më vonë, nga qyteti i Lezhës, Frroku arrijnë të “pushtojë” kryeqytetin duke regjistruar një sërë kompanish të suksesshme. Tre vjet pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet, Arben Frroku arrin të ngrejë në këmbë 5 kompani që objekt të veprimtarive të tyre kanë nga restorantet e deri tek lojërat e fatit dhe shfrytëzimi i resurseve minerale në vend. Kështu, në vitin 2008 , biznesmeni krijon “A.M – L Group”.

Dy muaj më vonë, në prill të vitit 2008, nën emrin Frroku është regjistruar shoqëria “GJINI – NIKA” me seli në Bulqizë. Kompania ka për objekt të veprimtarisë së saj “Shfrytëzim dhe kërkim i mineraleve në përgjithësi, import – eksport” dhe Arben Frroku zotëron 50 përqind të aksioneve.

Në fund të këtij viti ai krijon një tjetër kompani “E-2A Grup”, objekti i së cilës është “import- eksport të artikujve industriale e ushqimore, pije alkoolike e jo alkoolike. Hapje dhe shfrytëzim bar restorante,diskoteka. Transport të mallrave brenda dhe jashtë vendit”.

Në shkurt të 2010 biznesmenët Frroku krijon kompaninë “ENERGY FINANCE MANAGEMENT SHQIPERIA”, e cila deri më tani me firmë të kryeministrit Berisha ka përfituar të drejtën e ndërtimit të hidrocentraleve.

Lojërat e fatit sigurisht që do të shënojnë kulmin e aktivitetit ekonomik të biznesmenëve Frroku. “XHOI CO 21” me objekt “Organizim dhe zhvillim të lojërave të fatit” është e shtrirë në mbarë vendin dhe nisur nga të dhënat duket se ka një aktivitet të suksesshëm ekonomik. Ndërkohë që aktiviteti i fundit që regjistruar në emër të familjes Frroku mban datën 16 dhjetor të 2012.

Arben Frroku njihet dhe si ndërtues hidrocentralesh e kjo falë një vendimi të firmosur nga Sali Berisha më 12 tetor të vitit 2011. Kështu në bazë të një VKM-je, kryeministri i ka firmosur për dhënin me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve kompanisë ku aksionerë janë dhe familja Frroku. Bëhet fjalë pikërisht për dhënien me koncesion të hidrocentraleve “Iballë 1, 2, 3” dhe “Sapaç 1, 2”.

Në bazë të dokumenteve zyrtare, rezulton se Mark Frroku zotëron në këtë kompani rreth 22.50 përqind të aksioneve, ndërkohë që bashkëaksioner është dhe Shkëlqim Selami me 32,5 për qind të aksioneve. Selami është kreu i LSI-së për qytetin e Vlorës, njëherësh edhe anëtar në këshillin bashkiak si përfaqësues i kësaj partie. Selami zotëron dhe shumicën e aksioneve në firmën “Energy Finance Menagement Shqipëria”…

Nesër të plotë në gazetën Tema në versionin print