Për Vitin e Edi Ramës!

0
35

Mero Baze

Revista mujore Mapo, një mujore analitike serioze në vend, ka shpallur Edi Ramën, “Njeriun e vitit 2013”. Më kërkuan me këtë rast një opinion mbi këtë vendim. Vendimi i Revistës Mapo për të shpallur Edi Ramën,  “Njeri i vitit 2013”,  është nga ato rastet kur gazetaria pranon triumfin e një politikani, si sukses të tij dhe jo si dështim të saj.

Ua thashë dhe kolegëve të Mapo, se nuk jam shumë dakord, që Edi Rama të jetë  “Njeri i Vitit 2013”,  por bie dakord që vitit 2013 ishte një vit i Edi Ramës. Ky vit kurorëzoi një objektiv të tij madhor, për të qenë Kryeministër i Shqipërisë, duke e vënë atë në provë se çfarë mund të falte dhe çfarë mund të flakte nga vetja e vet, për tu bërë i tillë.

Dhe këtu kam disa vëzhgime të cilat dua ti ndaj me këtë rast.

Për ta bërë të sigurt fitoren e vitit 2013, Edi Rama fali një kauzë të fort politike, opozitën e pas vitit 2009, e cila është një nga episodet më të shkëlqyera të opozitarizmit në 23 vite në Shqipëri.

Me një vendosmëri personale, ai mbajti të tendosur opozitën kundër pushtetit, qysh një javë pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe nuk u deinkurajua nga koalicioni i Berishës me Ilir Metën. Ai e ktheu lëvizjen opozitare në një lëvizje të strukturuar politike, kundër sistemit të vlerave të vitit 2009, standardit të keq të zgjedhjeve, shijes së hidhur të koalicionit dhe represionit të Berishës mbi individualitete opozitare. Ai arriti në një farë mënyre ti jepte kauzë luftës dhe dëshpërimit që mbillej nga pangopësia dhe arroganca e Sali Berishës.

Ai e mbajti opozitën të bashkuar, përkundër luftës për ta ndarë dhe blerë atë. Ai përballoi presionin e deputetëve të vet kanakarë, që më shumë se opozita u duhej një mandat deputeti. Përballoi meskinitetet e një ekipi që ishte bërë gati të vishte kostume pushteti, dhe jo çizme lufte opozitari. Ai arriti të defaktorizoj opozitarët e brendëshëm, aq shumë të sponsorizuar nga Berisha dhe ja ktheu Berishës reston, duke e detyruar në vigjilje të zgjedhjeve të 2013 të shfaqej para shqiptarëve, si pazarxhi që bënte gjithçka, për të qëndruar në pushtet. Ai ja fali atij deputetët që donte t’ia blinte qysh në fillim, duke i bërë dëm më shumë se sa kur i ruajti prej tij.

Ai mbajti opozitën jashtë parlamentit në një lëvizje që arriti të shkonte deri në Bruksel dhe Strasburg dhe e detyroi Sali Berishën te dilte nga politika duke vrarë katër qytetarë të pafajshëm. Ai e dorëzoi Bashkinë e Tiranës, pas një beteje të pashembullt, ku i fituar doli humbësi dhe i humbur “fitimtari”.

Ky ishte momenti kur ai ndryshe nga çdo lider tjetër opozite në këtë vend, kur ngeli vetëm i braktisur, i tradhtuar dhe zemërngrirë për fatin e opozitës, e gjeti ngushëllimin tek zanati i tij i vjetër i publicistit brilant dhe u rrëfye për betejën e tij. Ky ishte kulmi i një beteje të kristaltë opozitare, e cila përkundër portretit nursëz të tij, po ngjallte realisht frymëzim.

Dhe siç di të jetë i parashikueshëm në gjithçka, Edi Rama e përdori vitin e fundit të opozitës së tij, pra finishin e  garës, jo për të forcuar atë portret kryeopozitari brilant që krijoi, por për ta zhgaravitur atë, me vetsigurinë se atë e ribënte kur të donte. Si një piktor nervoz, që ka arritur të pikturoj një imazh të bukur, ai i futi një zhgaravinë sipër dhe tha me vete se nuk i intereson piktura, por salla ku do të vendoset.

Dhe për ta bërë të sigurt këtë, flaku dhe fali çdo gjë që kishte tepër. Të tepërt deri në vitin 2013 kishte opozitën frymëzuese dhe morale. E zëvendësoi atë me pragmatizëm dhe një marrëveshje historike me Ilir Metën, e cila asgjësoi gjithë mundimet e tij, kokëçarjet me aleatët, frikën nga vjedhja e mundëshme e votës, dhe fatin e pikturës pas shpinës së tij, në kryeministri.

Dhe ja arriti.Fundi i betejës së tij triumfatore i ngjan një maratonomaku, që ditën e fitores, kishte bezdi lajmet për luftën që kishte bërë dhe luftëtarët e tij. Ndaj vlen më shumë të themi se viti 2013 ishte viti i tij, por Ai nuk është Njeri i Vitit 2013. Ai është njeri i vitit 2009, 2010, 2011 2012 dhe kryeministër i vitit 2013.