Arben Rrozhani, 02.04.2011
Pesë javë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 8 majit, procesi është sërish i komprometuar dhe në hijen e përhershme të manipulimeve dhe të paligjshmërisë. Nga njëra anë është opozita shqiptare që ka frikën e qenësishme se gjithçka do të jetë një farsë nga ana e pushtetit të fokusuar në marrjen e një fitoreje si gurin e fundit për të rrëzuar betejën gati dyvjeçare të opozitës për transparencën e munguar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Nga ana tjetër është qeveria dhe agjencitë e saj, të zhytura para kohe në fushatë, njëlloj si dy vite më parë, duke vënë gjithçka në funksion të saj, për të marrë jo thjesht mandatet e pushtetit vendor “për qytetarin”, siç ka edhe sloganin elektoral, por për të qeverisur e qetë dhe me pushtet edhe më të madh pas 8 majit 2011. Mes tyre, por duke anuar haptazi nga pushteti qendror, fatkeqësisht, në një pozicion aspak për t’u përshëndetur nga votuesit shqiptarë, gjithnjë të zhgënjyer nga deformimet zgjedhore, janë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, që janë konsideruar si garantët e votimeve të ndershme në Shqipëri, përballë makutërisë së pushtetmbajtësit për të marrë gjithçka, me çfarëdolloj çmimi dhe pa pyetur për kostot që ka vendi.
Negociatorët e dështuar të krizës dyvjeçare në Shqipëri, OSBE dhe ambasadorët e fuqive perëndimore, prej kohësh janë në këtë pozicion delikat dhe aspak premtues për një proces të drejtë dhe transparent. Përballë një qeverie që nuk ka bërë asnjë koncesion për opozitën dhe këtë të fundit që, me gjithë kërcënimet, vetëm sa ka ripërtypur dështimet për transparencën e munguar, faktori ndërkombëtar është rrudhur vetëm te këshillat demokratike ndaj qeverisë, leksioneve anti-bojkot ndaj opozitës, por duke mos munguar të shprehë mbështetjen totale ndaj Shqipërisë, që rëndom nga pushteti është përkthyer si mbështetje politike dhe morale për të.
Sot, më shumë se kurrë, faktori ndërkombëtar duhet të jetë i ndërgjegjshëm se çfarë pasojash do të ketë për vendin, pas 8 majit 2011, nëse vijohet me trimërimin e pushtetit qendror dhe intidimin e opozitës, për të çuar vendin drejt një fushate në dukje demokratike, ndërsa nëntokë, do të ishin po ato gjirize kutërbuese si të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009.
Mendimi i përfaqësuesve të krahut radikal të majtës shqiptare se agjenci si OSBE-ja janë bërë palë me pushtetin, mund të mos i bëjnë përshtypje zyrës së saj në Tiranë, sepse shumë vende kanë konsiderata edhe më të ulëta për të, por në Shqipëri ajo ende mbetet një pushtet me influencë në sfidat zgjedhore dhe roli i saj është vendosës, sidomos me raportet paraprake dhe përfundimtare mbi zgjedhjet.
Ndaj, do të ishte normale që OSBE-ja dje p.sh., të kishte një reagim pas dështimit të marrëveshjes mes PD-PS për zgjedhjet vendore të 8 majit, kur kushti i vetëm i opozitës ishte transparenca paszgjedhore. Kërkesa e opozitës shqiptare nuk duhet parë si një kryeneçësi e radhës e socialistëve, por si një shans i përbashkët e partive politike në Shqipëri dhe i faktorit ndërkombëtar, që 8 maji të mos ishte 28 qershori, që pushtetmbajtësi të ketë frikë të ndyjë duart me votat e elektoratit dhe opozita të shkojë e qetë dhe e garantuar në votime pa pasur si opsion rezervë bojkotin dhe kundërshtimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Kërkesa e opozitës do t’i vlente pikësëpari qeverisë që të mos përsëriste skandalet me listat zgjedhore dhe deformimin e vullnetit të zgjedhësve, siç edhe po ndodh nga Tirana deri në fshatrat më të humbur, sepse kjo do ta çonte përfundimisht drejt rrugës pa kthim, inkriminimin e procesit elektoral të radhës, i cili do të kishte pasoja fatale për integrimin e vendit në strukturat europiane, siç paralajmëroi dje baronesha Ashton.
Axhenda politike si ajo e zëvendësndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Europën dhe për Azinë, Tomas Kantrimen, dje në Tiranë nuk duhet të mjaftohen me sigurinë e Berishës se: “procesi zgjedhor i 8 majit do të njohë standardet më të larta të transparencës”, por ato duhen konkretizuar në marrëveshje politike mes palëve, marrëveshje e cila po dje u refuzua nga partia e Berishës.
Dy vite më parë, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, ish-ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, dhe ish-ambasadori amerikan, Xhon Uithers, kishin apeluar: “Mos përsërisni praktikat manipuluese të së shkuarës”.
Sot e dy vite mbi procesin e sapo nisur për zgjedhjet vendore, sillet hija e zezë e 28 qershorit, ndaj do të ishte shumë vonë nesër që garantët e huaj të zgjedhësve shqiptarë të mos dilnin dhe të apelonin, duke ndihmuar realisht në marrëveshjen paraelektorale se: “Pas 8 majit nuk do t’i thuhet më derrit dajë”.