
Ardian Klosi, 11.06.2010
Me afrimin e stinës së nxehtë të verës dhe kampionatit botëror të futbollit, kryeministri i vendit po bën lëvizje që janë në dukje krejt pa lidhje me njëra-tjetrën, por që natyrisht nën sipërfaqe ndjekin një strategji të caktuar.
Thelbi i strategjisë është po një: mbajtja me çdo kusht e pushtetit, ajo që ky njeri e ka bërë qysh se i doli fati në kaosin e viteve 1990-92. Me kalimin e viteve strategjia e tij (fjalë më e saktë do të ishte tërësia e marifeteve, ose makromarifeti) për mbajtjen e pushtetit duket sikur është stërholluar.
Se sa e hollë është ajo në të vërtetë, këtë duhet ta thotë shumica e popullit, d.m.th., TV-shikuesit e gazetë-lexuesit duhet të vendosin nëse vërtetë besojnë që zbardhja e masakrës së Tivarit është një problem aktual dhe akut i shoqërisë shqiptare, nëse fakti që opozita udhëhiqet nga pinjollë të ish-“Bllokut” po bëhet shqetësues dhe i padurueshëm, nëse hapja e Teatrit të Komedisë është prioritet kulturor i kombit, nëse duhet bërë regjistrimi etnik dhe fetar i popullsisë etj.
Për ne që e njohim zotërinë në fjalë qysh në ditët kur pësoi metamorfozë si Gregor Samsa i Kafkës, tek fjeti nëpunës besnik i Shoqërisë së sigurimeve komuniste dhe u zgjua brumbull demokrat me dhjetëra këmbë që i tundte në ajër, strategjia nuk është e hollë, përkundrazi është e trashë.
Ato janë marifete për ta mbyllur konfliktin që ka me opozitën dhe një pjesë të mirë të popullit për vërtetësinë e zgjedhjeve të fundit, ato janë disa lëvizje të shkurdisura shahu për ta çuar gjendjen e patit deri në topitjen e vapës së madhe. Mirëpo ka ndonjë vlerë që kështu e quajnë disa pak njerëz që shkruajnë në dy-tri gazeta të caktuara?
Po një masë që ndjek temat e reja të kryeministrit me një ritëm 1 e re në 2-3 ditë dhe ndodhet në efektin e televizioneve, si e quan? Po vetë televizionet tona si i quajnë? Kjo është edhe tema e këtij shkrimi.
Le të marrim rastet konkrete:
Dje kryeministri shpalli se në 1 korrik do të rrisë pensionet dhe pagat. Sa është kjo rritje? nuk dihet. Në të njëjtën kohë mësuam se do të rriten taksat e automjeteve dhe taksa të tjera. Në ç’raport është rritja e ardhshme e pensioneve me këto shtrenjtime të jetës, plus shtrenjtimin që vjen nga rritja e vlerës së dollarit dhe ngritja tradicionale e çmimeve në verë?
Gjithçka e panjohur. Nga kryeministri kemi vetëm konfirmimin se ekonomia shqiptare, në ndryshim nga gjithë ekonomitë e tjera të rajonit, ka rritje të madhe dhe nuk njeh depresion.
Kjo ka ndodhur ngaqë janë rritur eksportet dhe janë mbledhur shumë më mirë taksat, vazhdoi kryeministri. Tani, jemi në një fushë tepër të vështirë për ta ndjekur, atë të ekonomisë dhe të statistikave. Dimë vetëm që shifrat që jep qeveria e tij janë krejt të ndryshme nga ato që vijnë prej burimesh të tjera, në radhë të parë nga ekspertët e opozitës.
Dimë edhe që, një nga lëvizjet e para që bëri kur erdhi në pushtet ishte heqja e drejtoreshës së Institutit të Statistikave, një nga njerëzit më të besueshëm e të respektuar të këtij vendi. Më tej, nuk dimë, ose nuk shohim rritjen e ndonjë eksporti shqiptar, vetëm në qoftë se është fjala për eksporte të fshehura, ato që rëndom emërtohen me fjalën trafik.
Dhe e fundit, një njeri që disa herë ka manipuluar me historinë, e ka shumë më të lehtë të manipulojë me shifrat e ekonomisë, pasi që ka vendosur në statistika, në financa, në tatime sistematikisht njerëzit e vet. Po televizioni? Televizioni jep, në rastin më të mirë, deklaratat e të dyja palëve, qeverisë dhe PS-së, të baraspeshuara në kohë, por nuk bën analiza objektive të vetat. Askush nuk kupton asgjë.
Vijmë në temat historike. Masakra e Tivarit u bë këto ditë tema kryesore e deklaratave të kryeministrit. Kishte ndonjë aktualitet, ndonjë fakt të ri që mund të ketë zbuluar ai, d.m.th., grupi i historianëve të tij? Jo. Po ç’ndodhi, nga i erdhi?
E logjikshme do të kishte qenë që kryeministri, këtë gjëmë kombëtare që pësuan kosovarët në mbarim të Luftës së Dytë botërore ta nxirrte në pah kur erdhi në pushtet si president, qysh më 1992 e 1993. Sepse, pikërisht atëherë, në kohën e kthesës, sapo që ra perdja e hekurt, u morën kombe e udhëheqje të tjera të Lindjes me tragjedi të ngjashme, bie fjala polakët me masakrën e Katynit.
Nuk e bëri aspak ish-presidenti ynë, madje atë kohë nuk kishte asgjë me serbët, të cilët për disa vite i furnizoi rregullisht me karburant gjatë luftës së tyre në Bosnje, sikurse e ka pranuar edhe vetë më pas.
Aq pak sa kishte ndër mend në atë kohë të hidhte dritë në histori, aq pak ka edhe tani, pasi as mjetet nuk i ka, as historianët, kurse dëshmitarët okularë, ndërkohë shumica i kanë vdekur. Kryesorja nuk ka seriozitetin.
Dhe më e keqja është se s’i mungon talenti i aktrimit dhe kur e shikon në ekran thua se e ka të vërtetë gjithë atë pezëm e atë duf ndaj R. Alisë si fajtor kryesor për masakrën. Historikisht fjala është për lejimin e kolonave të rekrutëve kosovarë që, të prirë nga xhelatët e tyre serbë, shkonin drejt vendeve të ekzekutimit, të kalonin nga Kukësi në Shkodër nëpër territor shqiptar për të mbërritur në Tivar e në Dubrovnik.
Ndërkaq, harrohet që ushtria jugosllave dhe ajo shqiptare në atë kohë ishin praktikisht të bashkuara dhe vendimet merreshin në shtabin e UNÇSH nga Miladini me Enverin dhe të tjerët rreth tyre, ndaj një komisar 19 vjeç si Alia në atë kohë nuk mund të ishte autor i lejimit të marshrutës për atë karvan.
Por logjika nuk luan ndonjë rol në performancën e Sali Berishës, rëndësi ka një dozë e caktuar emocionesh që vepron ndaj një mase të caktuar (të budallallepsur ose indoktrinuar) shikuesish.
Po televizioni? Televizioni, një stacion që mund të quhet i drejtpeshuar, merrte pardje në intervistë një nga dëshmitarët e masakrës, një plak të respektueshëm kosovar, i cili nuk tha asgjë që të kish të bënte me temën në fjalë, pohoi vetëm se, sado që vjen i vonuar, ky reagim i Berishës është i drejtë.
Po pardje kryeministri inauguroi një x-shkollë për të paralajmëruar popullin ndaj rrezikut që i vjen prej akaparimit të opozitës nga ish-bllokmenët, “pinjollët e Bllokut’ siç i quajti ai, duke folur për antikulturën e “Bllokut” e të tjera marrëzira.
Habitesh se si zë në gojë atë pjesë të kujtesës së vendit, qendër të ish-pushtetit, kur dihet se për vite të tëra i vinte rrotull “Bllokut” dhe ishte i lumtur kur e pranonin aty, herë si doktor i njërit herë si i tjetrit shok, posaçërisht si mjek personal i shokut Hysni.
Në përgjithësi është një takëm folësish e shkarrashkruesish që shfrejnë ndaj “antikulturës” së “Bllokut” kur vetë bënin çmos të futnin një këmbë aty a të kishin një lidhje çfarëdolloj me “Bllokun”. Berisha është përfaqësuesi i tyre kryesor. Ishte e kuptueshme dhe s’mund t’u mbahet për ndonjë gjë të keqe në atë kohë. E keqja është sot, kur bëjnë si armiq natyralë të “Bllokut”.
Në ndërtimin piramidal të shoqërisë shqiptare në atë kohë, “Blloku” me rrethinat e tij përfaqësonte kushtet më të mira të jetesës, arsimimin më të mirë, kontaktet e vetme me jashtë etj., etj. Berisha e ka pranuar vetë që në fshatin e tij nuk kishte as top për të luajtur, pra merret vesh që e lakmonte tej mase “Bllokun” dhe frustrimet e atëhershme vazhdojnë ta shqetësojnë deri më sot.
Këtu, ai mundohet të ngacmojë emocionet e një pjese të shqiptarëve, që nuk ishin në asnjëfarë mënyre të lidhur me “elitën” e atëhershme, madje mbaheshin për të deklasuar dhe kanë vuajtur pikërisht prej atij “Blloku”.
Por, ma do mendja se janë aq të zgjuar sa të mos e hanë demagogjinë e tij për dy groshë. Po televizioni? Televizionet e morën edhe këtë lajm seriozisht, e vunë në rend të dytë a të tretë, pa ndonjë koment të caktuar.
Kjo më duket sot pyetja më e madhe dhe aspak pjelloria e mendjes së kryeministrit tonë për tema gjithmonë e më të çakërdisura, gjithmonë e më të largëta nga problemet e rënda të ditës: Sa janë në gjendje mediat – përjashtojmë ato që janë dukshëm të blera prej pushtetit – t’i rezistojnë axhendës së shkurdisur të kryeministrit?
Ai është në gjendje, me energjitë e tij të pashtershme për kaos, që çdo ditë të pjellë nga një temë të re historike ose aktuale që të mos ketë të bëjë me vështirësitë e vërteta të vendit. Televizionet dhe shtypi duhet t’i shkojnë nga pas? E dimë që kanë frikë t’i dalin përditë kundra, por as nuk do të ishte e nevojshme në qoftë se e injorojnë.
Në qoftë se lënë në heshtje tymin që hedh ai dita-ditës. Ky do të ishte tregues burrërie dhe dinjiteti të vërtetë, ky do të ishte shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve që do të jetonin shumë më mirë pa atë fytyrë të ankthshme për ditë e për natë në ekranet e tyre. Në cepe gjithmonë e më të humbura të emisionit të lajmeve, derisa deklaratat e tij të çartura të ktheheshin në monolog.







