Nga: AFRIM KRASNIQI
Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 3 të saj thekson se shteti shqiptar ka për bazë, veç të tjerash edhe “respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave e lirive të njeriut”. Sipas saj, “e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”, dhe se këto të drejta “janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik”. Në Kushtetutë gjithashtu citohen edhe paketa të tjera konkrete që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe detyrimin shtetëror për mbrojtjen e tyre, përfshirë të drejtën e lëvizjes, besimit, mendimit, korrespodencës, gjykimit të drejtë, të drejtat politike, barazisë, mosdiskriminimit etj. Në funksion të saj janë edhe me dhjetëra ligje dhe akte të tjera nënligjore që saktësojnë detyrimet shtetërore ndaj qytetarëve. Në këtë mënyrë, raporti midis shtetit, rendit kushtetues dhe qytetarit merr një mbrojtje të theksuar kushtetuese dhe në pamje të parë, duket se të drejtat e qytetarëve shqiptarë janë më se të mbrojtura dhe të garantuara.
Nëse shohim përtej Kushtetutës dhe dokumenteve të shkruara, zbatimi praktik i ligjeve në raport me qytetarët dhe të drejtat e tyre janë kundërshtuese. Çdo ditë, çdo orë, në publik dhe në veprime zyrtare ne jemi dëshmitarë se si shteti dhe politika, institucionet dhe entet publike tregojnë mospërfillje deri edhe arrogancë ndaj qytetarit dhe asaj çfarë përfaqëson ai. Janë skena që ne i shohim përditë dhe duke i parë kështu jemi mësuar me to dhe nuk bëjnë më përshtypje si p.sh, policia e shtetit që nxjerr të arrestuar dhe të mitur përpara kamerave, kur në fakt ata janë të arrestuar për veprime të dyshuara dhe nuk janë shpallur ende të fajshëm nga gjykata; tatimet që shpallin në media emra firmash problematike kur në fakt do të duhej një vendim gjykate për fajësimin e tyre; organet ushtarake që marrin me forcë të rinj për ti dërguar ushtarë kur në fakt duhet informuar familja dhe të respektohet integriteti i tyre; organet e arsimit të cilat urdhërojnë mësuesit të japin orë falas mësimi, kur në fakt me kushtetutë ndalohet puna e papaguar; ministria e shëndetësisë e cila shpall fushatë largimesh të mjekëve të akuzuar nga pacientët, kur në fakt ata kanë status dhe faji i tyre mund të provohet nga gjykata; vetë gjykatat të cilat refuzojnë paditë civile qytetare për shkak të presioneve politike; dhe së fundi, vetë media dhe për të tepër, vetë politika, e cila e shndërron edhe tribunën parlamentare në tribunë sharjesh, fyerjesh dhe sulmesh verbale mbi jetën private, familjen, rrethin shoqëror dhe organizatën politike që përfaqëson kundërshtari politik i radhës.
Presidenti Karter, i njohur për angazhimet për të drejtat e njeriut, më se njëherë ka theksuar se “e keqja nuk është kur të drejtat shkelen, e keqja është kur shkelja e të drejtave bëhet normalitet dhe kur qytetari nuk ka një derë për të trokitur për të drejtat e tij”. Kjo thënie në kontestin shqiptar gjen terren dhe fakte të shumta aprovimi. Për shembull, duke marrë çështjen e zgjedhjeve dhe të votimeve në 19 vjet. Praktika e vjedhjes dhe manipulimit të votave në thelb është praktikë antikushtetuese dhe antiligjore, ka të bëjë me të drejtën më universale, të vullnetit politik. Në vendin tonë kjo e drejtë është trajtuar si plaçkë tregu dhe sot, të gjithë pranojnë se fenomeni vijon vetëm se debati është nëse në zgjedhjet e fundit u vodh më pak apo më shumë se në zgjedhjet paraardhëse.
Ose më tej, nëse flasim për praktikën e ekonomisë informale e selektive. Një qytetar që nuk ka paguar një faturë telefoni, sot nuk ka telefon dhe duhet të paguajë një gjobë, kamatën dhe rivendosjen e linjës. Kurse një individ – biznesmen që ka zhvilluar aktivitet të paligjshëm financiar në vite, tani me nismë të qeverisë do të përfitojë amnisti dhe paratë e burimeve të paligjshme do të fitojnë statusin e burimeve normale financiare. Pra, shteti kërkon amnisti fiskale për biznesin dhe paratë e padukshme dhe refuzon p.sh, t’i japë fund praktikës diskriminuese sipas të cilës qytetarët e disa qyteteve paguajnë shërbimet sociale (taksa, energjinë, tatimet, etj) jo vetëm të vetat, por edhe të pjesës së tjetër të popullsisë që refuzon të paguajë ose që shteti nuk është në gjendje t’ua mbledhë.
Ditët e fundit Kongresi Amerikan zhvilloi një seancë të posaçme hetimi dhe marrje në pyetje për kompaninë japoneze të automjeteve ‘Tojota’, për shkak të defekteve të konstatuara në markën e re të automjeteve të prodhuar nga kjo kompani. Synimi kryesor i hetimit ishte mbrojtja e konsumatorëve amerikanë, të drejtave të qytetarëve që kishin blerë një makinë të tillë. Kompania erdhi, raportoi, kërkoi falje, premtoi kompensim dhe problemi mori zgjidhje. Ne në Shqipëri kemi një parlament, kemi një komision që duhet të mbrojë të drejtat e konsumatorit, kemi një komision tjetër për të drejtat e njeriut, por as njëri dhe as tjetri nuk kanë zhvilluar asnjëherë në 19 vjet, një seancë dëgjimore apo hetimi mbi një problem që lidhet me kërkesat dhe problematikën qytetare.
Shteti shqiptar sot është ndër të vetmit në listën e shteteve demokratike, që nuk ka një institucion konkret që trajtohen të drejtat e njeriut (politike dhe ekonomike, fetare dhe sociale) dhe nuk ka një raport të gjendjes së tyre vjetore. Zakonisht këtë zbrazëti e përmbush raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri, por zakonisht, gjithnjë qeveritë tona refuzojnë pjesët kritike të këtij raporti dhe asnjë institucion nuk merret me problemet që ngrihen prej tij, për tu dhënë zgjidhje ligjore dhe administrative.
Për më tepër, ne kemi institucione shtetërore dhe ente publike, të cilat për shkak të interpretimit të së mirës publike ose për shkak të përgjegjësive direkte të keqmenaxhimit të tyre, kthehen në shkaktarët kryesorë jo vetëm të cenimit të të drejtave të njeriut, por edhe të humbjes së jetës së qytetarëve të pafajshëm. Në Gërdec një skandal shtetëror kushtoi jetët e 26 personave të pafajshëm, në Shkodër hapja për shkak të keqmenaxhimit të hidrocentraleve shkaktoi dëme të pallogaritshme materiale, në Durrës dhe Gjirokastër, ndërtimet jashtë kritereve ligjore por me leje shtetërore shkaktuan rrëzime pallatesh dhe humbje të jetës së pafajshme qytetare; gjatë vitit 2009 në 10 raste punonjës të KESH ose elektricistë privatë humbën jetën në detyrë për shkak të lëshimit të paparalajmëruar të energjisë nga entet lokale të këtij institucioni; çdo vit me dhjetëra shtëpi në jug e në veri digjen apo humbin pajisje të kushtueshme për shkak të lëvizjes së tensionit të lartë të energjisë; viktimat e pikave të gazit, të karburanteve dhe të aksidenteve në punë ose në rrugë vijojnë të jenë pjesë e kronikave të zakonshme; një fëmijë u prek nga SIDA për faj të shërbimit spitalor, ndërkohë që asnjë individ nuk është vënë akoma përpara drejtësisë dhe asnjë institucion përgjegjës nuk ka bërë ende kompensimin e dëmeve të shkaktuara njerëzore dhe materiale. Kompania ‘Tojota’ shpalli kompensim për dëmet e shkaktuara, kurse tek ne, u desh një debat publik shtet – media – politikë për të bindur ca zyrtarë të OSSH-së për të kompensuar një vjedhje publike të të ardhurave të familjeve shqiptare, faturimin e dyfishtë me një çmim më të lartë të kuotës reale të muajit dhjetor 2009.
Shqipëria ka një inspektorat pune, por gjithnjë ndodh që, sa herë ka incidente me vdekje ose aksidentim të punonjësve gjatë punës (vitin 2009 ishin 32 raste të tilla), ky inspektorat fajëson viktimën dhe jo kompaninë, firmën apo entin publik ku ka ndodhur aksidenti. Në Britaninë e Madhe një shqiptar fitoi më 2009-ën një gjyq me vlerë 1 milion paund sepse mbeti i aksidentuar në punë, kurse në Shqipëri vetëm në Bulqizë gjatë 2009-ës humbën jetën 8 minatorë, ose në firmat e ndërtimit dhe çimentos humbën jetën 12 punonjës dhe askush nuk u vu përpara përgjegjësisë, familjet e viktimave jetojnë në varfëri, të harruar e të braktisur si nga shteti ashtu edhe nga kompanitë dhe firmat përgjegjëse të këtyre rasteve. Madje, me gjithë këtë bilanc tragjik ende nuk kemi pasur një rast të vetëm, në të cilin një firmë private apo ent shtetëror përgjegjës për vdekjen e një punonjësi të ketë kërkuar falje publike apo të ketë njoftuar publikisht praktika hetimi të brendshëm për gjetjen e përgjegjësive nominale. Kurse vetë shteti dhe krerët e tij mjaftohen vetëm me vizita të shoqëruara me kamera televizive, apo me ndonjë telegram të thjeshtë ngushëllues.
Problemi më i madh është se në Shqipëri kemi shumë institucione që e shkelin të drejtën, por nuk kemi institucione dhe mekanizma që e garantojnë të drejtën. Institucione si Avokati i Popullit janë formale dhe selektive (p.sh, heshtën për rastin e faturave të energjisë, përmbytjeve në Shkodër apo humbjes së jetës së minatorëve në Bulqizë); gjykatat nuk arrijnë të japin drejtësi midis të gjallëve e jo më në përballje me viktimat, të vdekurit; prokuroria me krenari raporti se ka pasur më 2009-ën vetëm 5 raste “kryesisht”, kur normalisht në një vend rajonal si Mali i Zi, raste të tilla ishin 25 herë më të lartë; policia ka keqkuptuar rolin e saj dhe merret më shumë me pasojat sesa me parandalimin e rasteve të krimit dhe kriminalitetit, institucionet shtetërore përgjegjëse i trajtojnë rastet në labirinthe burokratike që nuk ofrojnë kurrë zgjidhje; shoqëritë e sigurimit nuk mbulojnë kompensim për vlera e raste të incidenteve të mëdha; organizatat e shoqërisë civile merren më shumë me çështje që ofrojnë donacione e vëmendje të të huajve si martesat gej apo romët, sesa jetët e cenuara apo të humbura të qytetarëve; media raporton kronika e detaje pa kërkuar vazhdimisht përgjegjësi dhe ndjekje të rasteve deri në gjetjen e të drejtës.
Cila është zgjidhja? Kushtetuta e thotë qartë, shteti është përgjegjës dhe ka monopolin e mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të njeriut. Shteti përbëhet nga institucione politike (president, parlament, qeveri, njësi drejtuese lokale) dhe institucione jopolitike (gjykata, prokurori, polici, ushtri, administratë, etj). Nëse ai vepron qoftë edhe në një rast të vetëm, të paktën krijohet tradita se në një rast të tillë veprohet. Organet përgjegjëse duhet të krijojnë një njësi monitorizmi qendrore dhe lokale të rasteve të cenimit të të drejtave dhe sidomos të humbjes së jetës së qytetarëve të pafajshëm, dhe kjo njësi duhet të ndjekë rrugën administrative dhe ligjore të denoncimit në çdo rast dhe për çdo rast.
Avokati i Popullit duhet të kalojë nga problematika e burgjeve në mbrojtjen e jetës së atyre që jetojnë “të burgosur” jashtë burgjeve; prokuroria duhet të ketë një njësi të posaçme ndjekjeje dhe kallëzimi për çdo rast konkret dhe se vetë shoqëria civile mund të krijojë një rrjet verifikimesh dhe denoncimesh zyrtare të rasteve në fjalë.
Çdo këshillë e nismë është produktive më shumë sesa heshtja, sepse në fund të fundit asgjë tjetër nuk ka vlerë reale, as politika dhe as integrimi, as reformat dhe as kutitë, as projektet industriale dhe as liberalizimi i vizave, nëse vetë shteti e shoqëria humbin atë që është më thelbësore, respektin për jetën, respektin për individin, respektin për integritetin dhe në tërësi, fytyrën njerëzore të demokracisë.