Shekulli
Kastriot Islami nuk e ka pritur mirë lojën e fjalëve të bërë me emrin e tij në një opinion të gazetarit Sokol Balla, botuar një ditë më parë në gazetën MAPO. Madje, deputeti që përfaqëson mendimin ndryshe në PS është shprehur se do ta padisë Ballën për sulm personal, i shtyrë nga vetë kreu i PS-së, Edi Rama.
Në fakt, Balla ka bërë thjesht një lojë fjalësh me emrin e shkurtër të Islamit, duke ironizuar në lidhje me atë çfarë i ofroi Kongresi i fundit i socialistëve këtij të fundit.
“U bashkuan, jo për një Kaç, por për një kaçë më shumë” është fjalia e fundit e opinionit të Ballës, e cila nuk është pritur aspak mirë nga Islami, i cili ankohet për sulm personal, por bën vetë një të tillë ndaj gazetarit Balla, ku përveçse e fyen, i përmend edhe karrierën e së shoqes në PS.
Në lidhje më këtë, në profilin e tij në Facebook, Islami shkruan: “Më kuptoni drejt, kam hezituar gjatë të gjithë ditës se sotme për të reaguar ndaj një sulmi të orientuar dhe të sponsorizuar nga Rama përmes Sokol Ballës, të bërë publik me një shkrim të tij në gazetën MAPO. Më rezulton se ai shkrim përbën një shpifje të ndyrë, një diversion për të gjithë ata që mendojnë ndershmërisht ndryshe, dhe një kërcënim. Po në një mënyrë mjerane, tinëzare dhe frikacake.
Flet pa emër dhe me nënkuptime, flet me terma rrugaçësh dhe perversitet, tërësisht nga pozitat e një frikacaku mediokër për të mos thënë injorant të vënë në shërbim të Ramës, i cili duhet të distancohet publikisht nëse kërkon të pastrohet nga ky vlerësim. Sokol Balla meriton të klasifikohet në të njëjtin mënyrë siç një diplomat stigmatizonte disa gazetarë të paguar për të sulmuar pa argumente SHBA, si një pjesëtar i një celule “terroriste kundër mendimit të lirë”.
Reagimi im i qetë është shumë i thjeshtë 1) për shpifjen në ditët në vijim do te ngre një padi ose për të nxjerrë në dritë të diellit se Sokol Balla nuk ka guximin t’i thotë haptas të gjithë shpifjet dhe sajesat, ose nëse i thotë haptas të marrë dënimin e merituar, kurse 2) përsa i përket bashkimit dhe afrimit të pashembullt në PS dhe largimit tim që e ka në gojë prej disa kohësh, të përshkuar me terma qesharakë e vulgarë, Sokol Balla, ne shkrimin e tij, nuk do të bënte keq të shtonte se afrimi spektakular në PS do të ndodhë kur e shoqja e tij do të caktohet në postin e administratores apo në një post të ngjashëm në hierarkinë e lartë në PS (këto janë fjalët që janë përhapur në PS vërtetësia e të cilave do të provohet në ditët në vijim), para se shqetësohet për fatin tim apo të bëjë diversion midis meje dhe kolegëve të mij Blushi, Bello, Malaj apo edhe Harasani”.