Për Linditën dhe paranojat e politikanëve pa b…

0
22

Mero Baze, TemA, 11.09.2015

Pas më shumë se një jave, historia e një raporti investigativ të gazetares Lindita Çela për agjencinë BIRN, po kthehet në alibi për politikanët pa b.. të SHQUP-it, të cilët në vend të merren me një histori korrupsioni që ka fundosur financat e KESH dhe ka provuar kapjen e shtetit nga kompania CEZ, tani janë kujtuar të bëjnë diversion, për t’i shpëtuar debatit që është hapur.

Raporti i gazetares në fjalë, hapi një debat të gjerë, që tejkaloi faktet fillestare të saj dhe sot na çoi tek një aferë e rëndë e kapjes së shtetit nga një kompani. Raporti nisej nga një sërë dokumentesh të paraqitura në një proces gjyqësor mes DIA, një kompani ndërmjetëse e Kastriot Ismailaj dhe CEZ, ku lakohej emri i Ilir Metës si i afërt me drejtuesin e kësaj kompanie, dhe sot ka shkuar tek fakti që CEZ ka paguar politikanë dhe institucione shqiptare, për të ulur çmimin e blerjes së energjisë elektrike nga KESH, duke dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit shqiptar. Raporti gazetaresk i Linditës nis si një histori e klientelizmit të bizneseve shqiptare me politikën, por debati po përfundon me kapje të shtetit dhe blerje të zyrtarëve kryesorë të qeverisë, të cilët kanë dëmtuar rëndë interesat e shtetit shqiptar. Në krye të akuzës është ish- kryeministri Berisha, ish- minisitri i Financavae Ridvan Bode, si dhe gjithë piramida e emëruar prej tyre në krye të Entit Rregullator të Energjisë.

Po përse tani kujtohen të sulmojnë Linditën?

Sulmi ndaj saj vjen nga një prej njerëzve më të afërt të Lulzim Bashës, i cili edhe pse është njeri qesharak, tenton të sillet si përfaqësues i kryetarit në këtë rast, për ta shpëtuar atë nga sikleti. E vërteta është se shtypi në Shqipëri raporton shpesh herë ngjarje të rënda dhe histori korrupsioni, të cilat injorohen nga politika. Raporti i Linditës nuk është as më i forti i shtypit shqiptar, por as i parëndësishëm. Ai është i shkruar mirë dhe zbulon pjesërisht klientelizmin e një prej shtatë kompanive që pushteti i Sali Berishës autorizoi të mblidhnin borxhet e vjetra të CEZ me normë fitimi deri në 50 për qind.

Raporti u bë i rëndësishëm për debtain publik, pasi në mënyrë të çuditshme, atë e përkrahu vija zyrtare e Lulzim Bashës në opozitë dhe e bëri kauzë të saj, edhe pse bëhej fjalë për një histori korrupsioni të qeverisë së PD nën drejtimin e Berishës. Ata që e njohin nga afër Lulzim Bashën dhe e dinë sa sipërfaqësor është ai në të bërit opozitë, e kuptojnë që përfshirja e tij mund të ketë qenë instiktive, meqë dëgjoi të dilte emri i Ilir Metës dhe ju duk vetja afër ëndrrës se mund të vinte dita e koalicionit të madh dhe të shpëtonte nga makthi i demokratëve që nuk besojnë se do vijnë ndonjëherë në pushtet me të.

Të tjerë që vazhdojnë ta marrin Bashën seriozisht si politikan, e kanë stërholluar shumë skenarin dhe mendojnë se Basha e dinte të vërteten e zhytjes së Berishës e Bodes në këtë histori dhe i fryu zjarrit për të djegur të vetët me flakën e ndezur nga debati. Në një farë mënyre, sipas tyre, Basha tentoi të nxjerrë gështenjat me duart e kundërshtarëve të vet.

Pavarësisht se unë besoj tek e para, pra tek fakti që Basha nuk është politikan dhe bën kauzë të vetën çdo gjë që dëgjon në saba tek pasqyra e shtypit, apo çdo sms që i dërgon çdo delirant në telefon, atij i ka djegur kjo histori, pasi është besuar më shumë varianti i dytë, sikur ai e ka bërë këtë për të djegur Berishën e Boden. I futur në panik nga kjo histori dhe i frustruar nga ideja përse e hapi këtë debat, ai nxjer tani një tutkun të tij, “ushtarin nn”, që gjithë jetën është kujdesur të theksojë vetëm që e ka me dy “n” mbiemrin, për të sulmuar një gazetare e cila ka bërë më parë shkrime shumë më të forta se ky, por nuk është vënë në qendër të sulmeve. Diversioni që ka shpikur mendja e thatë e Bashës në këtë rast, është se meqë këtë shkrim e ka bërë Lindita, dhe meqë Lindita ka bërë shkrim dhe për historitë e Shkëlzenit, ajo është porositur nga Edi Rama për këtë shkrim. Pala tjetër mendon se meqë BIRN dhe Sorosi janë partnerë në ndonjë projekt gazetaresk, dhe meqë një drejtues i Soros në Tiranë është i afërt me njeriun më të afërt të Bashës, shkrimin e ka porositur Luli.

Banaliteti i këtij sulmi ndaj gazetares nuk ka të bëjë vetëm me përpjekjen për ta njollosur atë, por dhe me konceptin që ka opozita për gazetarët, të cilët duhet t’i njollosë patjetër duke i lidhur me dikë. Nëse opozita ka vërtet besim tek ai raport, ajo duhet të këmbëngulë që është i BIRN, pasi BIRN është agjencia më serioze e lajmeve investigative në Ballkan, dhe jo ta lidhë me Ramën apo Lulin. Por, ata duket që janë penduar që e vlerësuan shumë raportin dhe aq më tepër, që bënë betejë në emër të tij, dhe tani duan të njollosin autoren dhe burimin, për të shpëtuar nga frika se mos Berisha atë shprehjen për “prostitutë në shtyllë” e kishte për ta. Në fakt, Berisha nuk i ka asnjë broxh as Ennos (me dy n), as Bashës, dhe askujt tjetër, që ua ka lënë zyrat formalisht në PD, që ta telendisin për shkak të papërgjegjësisë së tyre. Sa për Linditën, mos u shqetësoni, se vetëm sa i rrisni rrogën!