Për Leka Zogun, Ilir dhe Sokol Hoxhën, Shkëlzen Berishën…

0
94

Nga Mero Baze, 1 Dhjetor 2011

Leka Zogu vdiq. I lindur si trashëgimtar i Fronit të një vendi, dy ditë para se ai të humbiste pavarësinë, dhe i vdekur si qytetar i lirë, dy ditë pas Festës së Pavarësisë, ai nuk meriton të keqpërdoret kaq shumë, duke hedhur si pa të keq lule dhe baltë mbi varrin e tij. Ai nuk ka asnjë meritë që lindi si pasardhës i një Mbreti dhe asnjë faj që nuk u bë dot Mbret.

Unë e kam takuar Leka Zogun dhe ruaj prej tij shijen e një njeriu të paqartë për fatin e tij shqiptar dhe shumë të kthjellët për fatin e tij jashtë Shqipërisë, peripecitë e tij në jetë dhe lidhjet me oborret në vyshkje të Lindjes së Mesme e Perëndimit. Nuk ishte një hero, por një njeri i zakonshëm që jetoi me devocion pranë nënës së tij dhe familjes. Nuk ishte as një tradhtar apo sharlatan, siç po hedhin baltë mbi të, por një pasardhës që i kish ngelur në dorë misioni për të mbyllur letrat e Mbretërisë shqiptare, dhe i gjendur mes ujërave të pista të politikës shqiptare pas vitit 1990, u keqpërdor rregullisht nga të majtë dhe të djathtë sa herë iu duhej.

Në vitin 1993- 1994, kur Sali Berisha mendonte se të qenit fanolist i jepte më shumë vota, e zboi thuajse si qen nga aeroporti i Rinasit, neser perifrazojme pershkrimin e tij, dhe festoi për inat të tij me një pompozitet qesharak 70 vjetorin e Revolucionit Demokratik të Qershorit, një ngjarje, e cila po u zhvendos nga konteksti i saj, prodhon probleme për historinë tonë dhe rendin kushtetues. Kur pa se fanolizmi nuk i piu ujë dhe e humbi referendumin në nëntor, ju kthye antikomunizmit. Ai përçau ndërkohë Monarkistët në Shqipëri, zboi Nderim Kupin nga salla e Kongresit të tyre, emëroi një të besuarin e vet si kryetar të një fraksioni tjetër legalist dhe në vitin 1997 e përfshiu Partinë e Legalitetit në formulën e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar.

Leka Zogu me gjithë paqartësinë për atdheun e tij, u rikthye në një vend ku rendi kish rënë dhe shqiptarët kishin humbur shpresat tek partitë e tyre. Socialistët dyshonin tek hilja e fundit e Berishës, ndërsa demokratët tek rikthimi i egër i ish- komunistëve dhe votat e tyre tek pyetja për referendumin shkuan në shumicë për Monarkinë. Republika, siç shkruante atëherë Preç Zogaj, ishte mall pa zot. Shqiptarët nuk pyeteshin për të.

Leka Zogu mori më shumë vota se çdo të merrte dhe Ahmet Zogu po të udhëhiqte një referendum për Kushtetutën, por jo si merita të veta apo të idesë së Monarkisë, por për shkak të depresionit popullor. Ky është shkëlqimi i tij i madh politik dhe aksidental.

Pasi u shpall rezultati, Berisha pa humbjen e tij të thellë dhe u kap si i mbyturi pas fijes së kashtës tek rezultati i Monarkisë.

-E kanë vjedhur, tha. Ajo ka fituar, por këta e kanë vjedhur. Leka Zogu, i thirrur me urgjencë në zyrën e tij, doli me këtë bindje nga ajo zyrë. Dhe si njeri i lirë, që nuk mund ta pranonte poshtërimin, bëri atë që bëri, atë për të cilën shumë shqiptarë e urrejnë, qortojnë, apo e teprojnë duke i lëvduar trimërinë. Të gjitha ata që nxitohen të flasin, në fakt Zoti i ka dënuar nga një herë të kuptojnë si ndjehet njeriu kur është i bindur se i kanë vjedhur votat në një vend pa rend, pa shtet dhe pa institucione. Demokratëve të Berishës ua ka vjedhur së paku dy herë Ilir Meta votat më 2000 dhe 2001, dhe socialistëve të Ramës po dy herë Sali Berisha me Ilir Metën.

(Ky i fundit nuk mungon kurrë në vjedhje). Socialistët dhe demokratët janë përmbajtur dhe s’kanë marshuar pas liderëve të tyre me revole në brez, thjesht se s’kanë pasur ndonjë lider të tillë. Por do ta bënin nëse dikush do të dilte në rrugë. Dhe më 1997, nëse ishe i bindur se të kanë vjedhur, kur i kishe shkuar aq afër ëndrrës, nuk mendoj se ka pasur ndonjë gjë tjetër për të bërë veç asaj marrëzie që bëri Leka Zogu.

Sali Berisha e përdori për revansh gjestin dhe dëshpërimin e tij. Me një gur ai vrau dy zogj, e detyroi Leka Zogun të ikte nga Shqipëria dhe t’i dhuronte atij mbështetësit e dëshpëruar. Nëse do të shihni fotografitë, ata që kanë qenë në krah të Leka Zogut atë ditë, do t’i shihni në krah të Sali Berishës tetë vjet në opozitë.

Por peripecitë e Leka Zogut nuk do të mbaronin këtu. Ai do të keqpërdorej pak vite më vonë dhe nga socialistët. Në përpjekje për ta përdorur, atë në qershor të vitit 2002, kur në vend kishte një klimë paqeje mes Berishës dhe Fatos Nanos, familja mbretërore u kthye për të jetuar në Shqipëri. Edhe pse paraprakisht kishte negociuar ardhjen, ai u poshtërua në aeroport duke i sekuestruar armët trofe, dhe pastaj çdo gjë negociohej me vota pro të legalistëve për qeverinë e Fatos Nanos në Kuvend.

Historitë e famshme të deputeteve të Legalitetit, që njëherë i përdorte Meta, pastaj Nano, dhe asnjëherë opozita, kishin alibi “statusin” e Leka Zogut, i cili dukej se kishte rënë sërish në duar horrash. Aq i fortë ishte keqpërdorimi i tij nga Fatos Nano, sa ai u bë pika e shpresës për Fatos Nanon në zgjedhjet e vitit 2005, duke mbështetur Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar në krye të së cilës u vu vetë si një koalicion i djathtë kundër PD dhe Berishës. Nuk ja doli dot ta ndihmonte Fatos Nanon, pasi ai shkatërroi vetë skemën elektorale me aleatët e tij, por u përdor në favor të tij.

Pas ardhjes në pushtet të Berishës, u tërhoq nga politika. Koalicioni i tij u shpërbë, disa u bënë me Berishën dhe të tjerë si Dashamir Shehi vazhduan opozitën e tyre të butë. Nevoja për votat e legalistëve dhe elektoratit historik, e detyruan Berishën të rikthejë sytë nga Familja Mbretërore. Leka I-rë, djali i Leka Zogut, u punësua në administratën publike, pranë Lulëzim Bashës, me një ofiq këshilltari që nuk është se merrej shumë seriozisht, përveçse shkaktonte humor në zyra diplomatike në Tiranë kur u dërgonte memo që ta respektonin si Princi Leka.

Dhe ai është një djalë paqësor, i ndrojtur, naiv dhe shumë larg pellgjeve të pista në të cilën e shëtit tutori i tij, një vrasës gjakftohtë i 21 Janarit dhe hajdutë ekselent i një çete që shikon vetëm xhepat e Familjes në pushtet. Sëmundja e rëndoi dhe më shumë Leka Zogun dhe ai thuajse u stakua nga jeta publike.

Boshllëkun e tij filloi ta zërë pak nga pak Berisha, i cili filloi të flasë për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog, përuroi shtatoren e tij në Burrel dhe po flet përditë dhe për një Mbret që nuk e njohu kurrë sa ishte gjallë, Mbretin Leka I-rë. Ky është dhe keqpërdorimi i fundit i Leka Zogut para se të zbresë nëntokë. Në një komedi të pashoqe, një tufë ministrash ngrihen në këmbë në mes të mbledhjes së qeverisë, duke fshehur te qeshurën shpotitëse, për të mbajtur zi dhe një bibë që drejton parlamentin nxiton t’ia kalojë shefit të saj duke e përsëritur gjestin në Parlamentin e Republikës, duke e fyer realisht Leka Zogun dhe kujtimin e Mbretërisë, për të cilën shqiptarët janë të ndarë.

Leka Zogu nuk është më. Siç e thashë nuk bëri asgjë në jetën e tij që ta vendoste vetë. Lindi si pasardhës Mbreti dhe vdiq nën një Monarki absolute, ku pinjolli i Mbretërisë i duhet i vdekur, pasi e kanë poshtëruar për së gjalli. Nuk është mirë të fyhet një i vdekur, i pafuqishëm për tu mbrojtur, dhe kur ishte i gjallë. Nuk ngjasonte me Mbretin Zog, me energjitë e tij pozitive dhe negative, me dredhitë dhe fuqitë e tij për aleanca dhe tradhti, për vrasje dhe vëllazëri, për paqe dhe luftë. Fëmijët e njerëzve të fuqishëm të këtij vendi për koincidencë nuk u ngjajnë prindërve të tyre.

Janë aq ndryshe sa shpesh herë na duken si budallenj. Ashtu siç nuk i ngjan Iliri dhe Sokoli- Enver Hoxhës, ashtu siç nuk i ngjan Shkëlzeni Sali Berishës, ashtu edhe ky nuk i ngjan Ahmet Zogut. Të gjithë këta pasardhës janë të dënuar të vuajnë jetën e baballarëve të tyre deri në vdekje, për mirë apo për keq. I pari prej tyre iku. Lëreni të qetë në botën tjetër. S’ka asnjë faj dhe asnjë meritë për fatin e tij. Si gjithë pasardhësit.