
Ardian Klosi, 18.05.2011
I lodhur siç isha të dielën e shkuar nga numërimi pa fund i votave, i sigurt edhe që asgjë nuk mund ta lëvizte më fitoren e kandidatit Basha, rashë për pak siesta mbas dreke te shtëpia e sime motre aty nga ora 15. Mirëpo sa vura kokën në jastëk, shpërtheu një batare fishekzjarresh që u ndoq nga një tjetër. Pas pak u dëgjuan në largësi disa bori makinash. Aha, thashë me vete, paska fituar përfundimisht Basha.
Po bëhesha gati të çohesha, i sigurt se bataretë dhe boritë vijuese që do ta ngrinin Tiranën në këmbë s’do më linin të flija, mirëpo për çudi pasoi një heshtje e gjatë e pashpjegueshme. Vetëm pas nja 15 minutash në këtë pezulli, u çova e kështu mora vesh në kuzhinë se Edi Rama kishte fituar me 10 vota plus.
Nga dritarja mund të shikoje ende makina me flamuj blu të PD-së nxjerrë si flygerë nga dritaret, aty-këtu edhe flamuj të kuq që ishin ose të LSI-së ose kombëtarë me shqiponjën dykrenore. Veçse pak si pa kuptim, flamuj pa bori, tym pa kërcitje fishekzjarresh.
Qysh nga 22 marsi 1992 jemi mësuar me këtë pamje, gati-gati familjare, makinash që qarkullojnë me shpejtësi dhe bori të forta në rrugët kryesore të qytetit për të festuar një fitore të Berishës. Madje jemi mësuar edhe me një turrje si kjo e së dielës që nis me të madh për t’u kthyer në festë rrugësh por pastaj zbrapset e zhduket kur merret vesh rezultati përfundimtar, si të thuash me bisht nëpër shalë.
E kundërta nuk ndodh, ose ndoshta ndodh rrallë në ndonjë qytet të provincës. Pasuesit dhe votuesit e PS nuk dalin me flamuj të kuq nëpër bulevard me rratatatë e borive dhe fishekzjarrëve për të festuar një fitore mbi Berishën, edhe pse dufin mund ta kenë të madh. Sado që në historinë tonë të gjatë të tranzicionit e majta ka fituar më shumë nëpër zgjedhje e referendume. Ndoshta të gjithë e kemi vrarë mendjen, përse ndodh ky fenomen te pasuesit e krahut të ashtuquajtur „të djathtë” dhe nuk ndodh te të majtët, por rrallë e kemi diskutuar në publik.
Në vetvete është një festim i palezeçëm, bile është i shëmtuar. Flamujt kombëtarë pas atyre të PD-së i japin edhe më tepër shëmtim, gjoja sikur ne jemi për kombin, ju jo. Ngjan me një britëm mllefi dhe kënaqësie mbi kundërshtarin e „kuq” të shtrirë përtokë. Mirëpo në përfundim të një votimi, normalisht nuk duhet të ketë të fituar e të humbur, sepse është zgjedhur një kryeadministrator, i cili do të vendosë në të ardhmen për gjëra që u përkasin të gjithëve.
Nëse e ke zgjedhur ti një kryetar bashkie a një kryetar qeverie, s’mund të gëzohesh për mërzitjen një numri të madh njerëzish që kanë patur arsye të mira për të mos e zgjedhur atë, por që qysh nesër e tutje do ta pranojnë si kryetarin e tyre të ri dhe do ta rregullojnë jetesën nën të e bashkë me të.
Festime të tilla në qytetet europiane i sheh vetëm pas një ndeshjeje të rëndësishme futbolli a pas fitimit të një kampionati. Aty po, mund t’ia valavitësh para turinjve flamurin tënd tifozëve kundërshtarë, pasi nuk je në politikë dmth. në jetën e përditshme, je në sport, një aktivitet i veçantë që s’ka të bëjë me bukën e me ujin, me taksat dhe me energjinë, me ligjin dhe lirinë e fjalës.
Qysh në krye të herës, Berisha i pa fitoret e partisë së tij si fitore mbi një gjë shumë të madhe që ishte komunizmi, e nënkuptuar, mbi një masë shumë të madhe njerëzish që ishin komunistët ose familjet e tyre, bllokmenët dhe gjithë pinjojtë e tjerë – në gjuhën e tij. Pasi ai në retorikën e tij asnjëherë nuk i ndau njerëzit nga ideologjia: sa herë ia ka lypur lufta politike ose interesat, një numër të madh kundërshtarësh i ka luftuar cok si pjesëtarë familjesh komuniste.
Si populist i talentuar që është, sidomos për koka të këtushme, ai disi ia arriti që fitoret e partisë së tij nëpër zgjedhje të ndiheshin si fitore të një mase të caktuar njerëzish mbi një masë tjetër njerëzish, po shqiptarë. Në thelb ideologjia e tij ka qenë gjithmonë ideologji përçarjeje, ai shpesh ka përdorur edhe retorikën Veri-Jug për të mobilizuar përkrahësit e vet (bie fjala kur ishte në opozitë, që u thoshte shkodranëve të përmbytur se Nano diskriminon Veriun), një mendësi që u mishërua më keq se asnjëherë kur nisi në mars të vitit 1997 forcat e tij të armatosura kundër Jugut në revoltë.
Retorika e tij e përçarjes dhe urrejtjes shpjegon në një masë të madhe urrejtjen që gëzon te një numër i madh qytetarësh shqiptarë të cilët nuk e votojnë. Kjo është e thjeshtë: Të lodhur nga një gjuhë ndarjeje klasore në gati 50 vjet, shqiptarët nuk duan të dëgjojnë më që pasardhësit e familjeve jokomuniste qenkëshin më të mirë se ata të familjeve komuniste, që jugorët qenkan më të mirë se veriorët ose anasjelltas etj. etj.
Mirëpo Berisha s’bën dot pa këto kampe, ndaj kalëron mbi… Vërtet mbi kë kalëron?
Djemtë e rinj që dalin me makina dhe tam-tame, ata që s’lënë miting të PD-së pa brohoritur, daç për heqje vizash daç për bothët e Çiljetës, janë kontigjente të papunësh, me sa duket nga familjet e ngulura në periferitë e Tiranës. E shumta punë që mund të kenë ata, janë punësime sezonale në ndërtim ose si kamerierë në kafene, se gjë tjetër ky kryeqytet nuk ofron, as industri përpunuese, as bujqësi të zhvilluar siç kishte dikur, bash në ato toka që i zunë të ardhurit.
Edhe ky është një atu i rëndësishëm për Berishën; ai jo vetëm që lejoi dhe nxiti ardhjen e familjeve të varfra të provincës në toka që kishin qenë të tjetërkujt, por nxiti edhe legalizimin e shpejtë të ndërtimeve të tyre të shpejta. U dha me një fjalë kontigjenteve të tij politike bujarisht diçka që nuk i përkiste. Sepse që të përpunonte ndonjë strategji për zhvillimin e bujqësisë, industrive të lehta ose turizmit, për këtë i mungonte çdo aftësi – sikurse edhe parardhësve të vet socialistë në pushtet.
Ja pra pse kontigjentet janë aty dhe ato janë me zemër për Berishën. Do të jenë dhe për njëfarë kohe, sepse kush s’ta di për nder t’i japësh tokë falas? Mirëpo tokat tani përgjithësisht sikur u zunë dhe zor se gjen më pa pronar. Nuk di ç’mund të gjejë Berisha dhe administrata e tij për masat e të papunëve që rrethojnë qytetet tona të mëdha, shenjë për ndonjë gjë të mirë nuk ka.
Duket se makinat e shpejta me bori dhe flamurë po i përkasin gjithmonë e më tepër së shkuarës. Jo vetëm pse ato janë shenjë vulgare e një dasie që shoqëria jonë s’e pranon, por edhe pse mendja që i ka derdhur rregullisht në bulevardet tona nuk ka më ç’pasuri e ç’frymëzim t’u japë.







