Për gjithë ata që nuk kanë shpëtuar prej imunitetit!

0
20

Nga Mero Baze, 20 Korrik 2012

Mos e merrni seriozisht debatin për imunitetin në një vend ku shumica e politikanëve dhe njerëzve të pushtetit kanë shpëtuar nga drejtësia pa pasur imunitet. Së paku nga viti 2005 e pas, të gjitha skandalet e pushtetit dhe gjithë personat e akuzuar i shpëtuan drejtësisë, pa pasur imunitet ose duke e hequr atë.

Lulëzim Basha, ish- ministri i Transportit, i akuzuar për shpërdorime deri në 220 milionë euro në një segment rrugor 60 km, e hoqi imunitetin në parlament dhe i shpëtoi drejtësisë me një procedurë të prodhuar në mënyrë të shëmtuar duke gjoja djegur për 24 orë afatin për hetimet. Edhe pse nga pikëpamja ligjore ekzistojnë të gjitha kushtet që dosja e Lulëzim Bashës të rihapet pas precedentëve të krijuar nga Gjykata e Lartë, ajo nuk po hapet dhe duket se nuk do të hapet më, duke varrosur në sirtarë një nga aferat më të mëdha korruptive të historisë së shtetit shqiptar.

Afera e Gërdecit, ku ministri i Mbrojtjes duhet të përgjigjej për faktin se një grup biznesmenësh nën mbështetjen e të birit të kryeministrit ndërtuan një fabrikë vdekjeje, solli heqjen e imunitetit të tij në Kuvend. Për gati dy vjet gjyqtarët dhe avokatët, në marrëveshje me njëri- tjetrin, dogjën njëri pas tjetri afatet deri sa deputeti rifitoi imunitetin dhe kjo shërbeu si pretekst për të ngrirë dosjen e tij. Edhe pse imuniteti mund të hiqet përsëri më 6 gusht, nuk është e sigurt se Fatmir Mediu do të shkojë para drejtësisë.

Damir Fazlliç, sekser i Familjes në pushtet, që erret dhe gdhihet në shtëpinë e Sali Berishës, i akuzuar për pastrim paresh dhe afera korruptive, pas të cilave qëndronte studioja ligjore e vajzës së kryeministrit, nuk kishte imunitet parlamentar. Prokuroria çoi për gjykim dosjen e tij, por një gjyqtar militant i Partisë Demokratike vonoi gjykimin dhe prodhoi një procedurë të paverifikuar ende korrespodence me autoritetet qipriote për të marrë informacion rreth llogarive bankare të tij dhe bizneseve të regjistruara në Qipro, duke dështuar afatet e gjykimit. As ai nuk u dënua.

Argita Berisha, vajza e kryeministrit të Shqipërisë, u provua se i ka kërkuar një biznesmeni saudit tre përqind të vlerës së investimit të një termocentrali në Porto Romano, për të cilën duhej firma e babait të saj kryeministër. Argita Berisha pranoi skandalin si një punë rutine avokateje, edhe pse më parë ishte zotuar se nuk kishte asnjë klient që kishte punë me firmën e babait të saj kryeministër, por prokuroria as që guxoi të niste hetimet ndaj saj.

Shkëlzen Berisha, i përshirë tërësisht në biznesin e demontimit në Gërdec, i provuar për lobimin e tij pranë Ministrisë së Mbrojtjes përmes bllokut të sekretares së Mediut dhe pranë ministrisë së Drejtësisë përmes faksit që ish nisur në adresë të tij, si dhe deklaratës së sekretares së Ministrit para prokurorit, nuk u thirr kurrë për hetime. Njeriu më i afërt i tij ka bërë dëshmi të rreme në prokurori, ndërsa burri i tezes së tij vdiq së bashku me 25 viktimat e tjera, por gjithë hetimet iu shmangën linjës politike të pushtetit që çonte gjurmë e gjakut në konakun e Sali Berishës.

Liri Berisha, drejtuese e një fondacioni bamirës fëmijësh, ka grumbulluar pare nga njerëz me precedentë penalë dhe biznesmenë që kanë përfituar nga privatizime që kanë tronditur ekonominë e vendit dhe kanë rritur evazionin fiskal në Shqipëri, por nuk është hetuar asnjëherë. Rezart Taçi, biznesmeni që ka financuar fondacionin e saj dhe që është shfaqur me të në konferenca për shtyp, është sot borxhliu më i madh ndaj buxhetit në Shqipëri me miliona euro ndaj kompanive publike si Albpetrol dhe personave të tjerë juridikë dhe askush nuk guxon t’i marrë lekët për shkak të lidhjeve me gruan e kryeministrit. Asnjë hetim nuk është ndërmarrë ndaj saj për kapje të shtetit, edhe pse ajo nuk ka imunitet.

Ilir Meta, zëvendëskryeministri i Shqipërisë, u shfaq në kamera me figurë dhe zë, duke shqiptuar për pesë minuta gjithë logjikën korruptive të shtetit shqiptar, duke folur për pazare milionash dhe mënyra të shëmtuara të ndërtimit e shpërndarjes së pushtetit politik në Shqipëri. Ai e hoqi imunitetin dhe shkoi në gjykatë, por gjykatat “provuan” se fakti nuk ekziston, edhe pse shqiptarët e kishin parë dëgjuar dhe revoltuar me të.

Më 21 Janar Sali Berisha dhe Lulëzim Basha vranë katër qytetarë të pafajshëm paqësor në mes të bulevardit. Askush nuk kërkoi imunitetin e tyre dhe as që guxuan t’i marrin as në pyetje. Byroja Federale e Hetimit, FBI, provoi shkencërisht se komandanti i Gardës ka vrarë një dhe dyshohet për të dytin. Edhe pse ai nuk ka imunitet, ai nuk është arrestuar ende sot e kësaj dite. Përkundrazi, ai çon në sallën e gjykatës gardistë për tu bërë presion gjyqtarëve që ai të qëndrojë i lirë, ndërkohë që në burg përfundojnë hajdutë xhepash që kapen në flagrancë për 50 dollarë.

Lista e njerëzve të Familjes në pushtet, që kanë shpëtuar prej drejtësisë, edhe pse nuk kanë pasur ose e kanë hequr vetë imunitetin është e gjatë, çka provon qartë se imuniteti as ka qenë dhe as do të jetë pengesë për gjykimin dhe ndëshkimin e njerëzve në pushtet. Problemi i parë dhe i fundit që i ka ndodhur drejtësisë në Shqipëri është se ajo është kapur nga pushteti dhe i gjykon politikanët dhe njerëzit e tyre nga pikëpamja klasore si njerëz të pushtetit ose armiq të pushtetit.

Për ta ilustruar shkurt këtë, mjafton të krahasojmë Sali Berishën që lëshoi një lumë psikik akuzash seksuale, erotike në Kuvend rreth jetës së liderit të opozitës dhe Gjykata e Lartë e mbrojti duke deklaruar se është në të drejtën e tij si politikan të bëjë akuza në parlament dhe Saimir Tahirin apo Taulant Ballën, që sapo përmendin fëmijët e tij po në parlament, dënohen me miliona. Imuniteti nuk i ka hyrë në punë as atyre që dënohen, as atyre që falen nga drejtësia. Në këtë pikë ata thuajse janë të barabartë me qytetarët shqiptarë. Diferenca mes qytetarëve dhe politikanëve në raport me drejtësinë është se njerëzit e pushtetit nuk dënohen as kur vrasin 26, as kur vrasin 4, as kur vjedhin 220 milionë euro, kurse qytetarët dënohen kur vjedhin një pulë, kur shtypin një lopë në rrugë apo kur marrin 5 mijë lek bakshish.

Kjo është diferenca mes Familjes së Sali Berishës dhe qytetareve të thjeshtë shqiptarë. Kjo është diferenca mes fëmijëve të tij që u del emri kudo ku ka tenderë, privatizime, koncesione dhe biznese pushteti dhe të rinjve të papunë të Shqipërisë. Kjo është diferenca mes vajzës së Jozefinës që shteti ia çon dhe të fejuarin në ambasadë me lekët tona dhe djalit tim për të cilin duhet të marr lek borxh ta çoj në shkollë. Problemi është si të shpëtojmë drejtësinë nga pushteti dhe jo pushtetin nga imuniteti, pasi ky nuk i ka hyrë në punë askujt. Imuniteti real është të jesh pjesë e pushtetit të Familjes, që nuk i hyn gjemb në këmbë.