Nga Mero Baze, 21 Dhjetor 2012
Ka një pyetje thelbësore nga përgjigjja e së cilës kuptohet më mirë historia e suksesit të emisionit “Fiks Fare” dhe historia e gjobave ndaj disa deputetëve të opozitës që sulmojnë kryeministrin. Pyetja është: A do të mund të bëhej emisioni “Fiks Fare” në ndonjë televizion tjetër përveç Top Channel në këto kushte?
Unë e kam menduar disa herë përgjigjen e kësaj pyetjeje dhe jam tërësisht i qartë se nuk do të mund të bëhej. Arsyet nuk kanë të bëjnë me fuqinë financiare apo komoditetin e punës në një televizion të madh, por tek profili i lartë i televizionit. Profili i këtij televizioni është i tillë, që e ka lindur dhe pranuar këtë emision si një televizion të vogël brenda tij. Çdo adhurim nga televizionet e tjera për këtë emision, buron nga ideja se ai i jep një fuqi të madhe televizionit, dhe të gjithë synojnë të përdorin atë fuqi. Por ajo fuqi po u përdor, vdes vetë emisionin. Është kjo arsyeja që çdo projekt i ngjashëm në televizionet e tjera ka dështuar, ose është ndërprerë. Fuqia për të përballuar një emision të tillë nga një televizion, është një standard i lartë lirie pasi provon që një media është në gjendje të përballet me pasojat që mund të vijnë nga hakmarrja e pushtetit për emisione të tilla.
Unë vetë kam pasur një emision ditor investigativ për çështje të politikës, qeverisjes dhe korrupsionit, por televizioni që e transmetonte nuk pati fuqi ta përballonte nga pikëpamja e politikës botuese. Edhe pse emisioni i sillte të ardhura dhe audiencë, fuqia për tu përballur me pasojat e emisionit ishte e ulët dhe u dorëzuan nga presioni i pushtetit. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me medie të tjera kritike. Fuqia për të përballur me një standard të tillë të lartë të denoncimit dhe investigimit të problemeve korruptive në Shqipëri ka një çmim të lartë dhe vlera kryesore përveç atyre që bëjnë emisionin, është dhe e atyre që e përballojnë këtë emision. Në këtë pikë doja të thosha se “Fiks Fare”, është një emision i pashitshëm nga Top Channel, i pangjashëm dhe i padurueshëm në çdo televizion tjetër sot për sot. Gjatë dhjetë viteve ai ka shkaktuar dorëheqje ministrash, çka nuk i kanë shkaktuar dot as revolta popullore.
Ai ka çuar në prokurori qindra persona nën akuzë për korrupsion, shumë herë më tepër se sa ka çuar qeveria apo vetë prokuroria. Dhe sulmet ndaj tyre përveç etiketimeve perverse të Berishës, apo ndonjë gjobe tinëzare si ajo e Agim Bendos, nuk kanë qenë të mëdha. Pikërisht ky është dhe thelbi i suksesit të Top Channel-it që merr profilin e lartë televiziv, e mbron emisionin e vet dhe i mban larg kundërshtarët nga lufta me të. Berisha tentoi gjatë përmes etiketimeve të tij të ndante Top Channel-in nga Fiksi, sidomos pas video-skandalit të Ilir Metës, duke sulmuar Filip Çakulin personalisht me etiketimet “çakall”, “gjobëvënës” etj, dhe duke shprehur konsideratë për Top-in, por dështoi. Top-i pati fuqinë të mbronte produktin e vet.
Ky fenomen i projektuar në opozitën zyrtare duket më ndryshe. Në këtë opozitë duket sikur janë “emëruar” disa deputetë të jenë radikalë dhe kritikë dhe të tjerët sehirxhinj në betejën kundër pushtetit dhe Familjes. Taulant Balla, Saimir Tahiri, Erion Braçe dhe ndonjë tjetër, merren sa herë munden dhe me aq sa mundin me problemet e korrupsionit dhe betejën kundër Familjes. Berisha, i cili e ka kapur këtë fenomen, duket se i ka lëshuar në shpinë Familjen dhe ushtarët e tij në drejtësi për t’i gjobitur dhe denigruar këta deputetë dhe për t’i bërë dele e zezë e tufës opozitare, çka nënkupton një lloj respekti për pjesën tjetër që nuk flet, biles ndonjëherë tallet nëpër kafene me këta që denoncojnë. Duke mos qenë një ekip, duke mos qenë një zë, dhe duke mos rimarrë të gjithë me radhë të njëjtën akuzë që ngre një koleg i tyre, opozitarët zyrtarë në fakt po krijojnë një precedent të rrezikshëm në debatin politik në Shqipëri, po prodhojnë racën e deputetëve të gjobitur për shkak të fjalës së tyre në parlament.
Nëse 50 deputetë të opozitës do të dilnin të gjithë në një zë njëri pas tjetrit t’i kërkonin Berishës kush i ka transferuar 1.3 miliard dollarët jashtë, ku i ka gjetur Argita dhe Shkëlzeni aq shumë të ardhura zyrtare, pa llogaritur ato nën dorë, nëse do t’i përmendnin orë e minutë gjyqtarëve dhe Sali Berishës se një ditë do të ndëshkoheshin për këtë që po bëjnë, nëse do të injoronin gjuhën kërcënuese të Berishës dhe t’ia kthenin atij me të njëjtën monedhë, jo Gjin Gjoni, por as sekretarja e gjykatës nuk do guxonte të protokollonte kërkesë padie kundër deputetëve të opozitës për fjalën e lirë.
Duke qenë si të klasifikuar në deputetë që flasin dhe sulmojnë dhe deputetë që ulin kokën e dëgjojnë, opozitarët në të vërtetë më shumë se sa po dëmtojnë buxhetin personal të ndonjë deputeti, po bëjnë një dëm më të madh pasi po lejojnë që Sali Berisha të ngjallë frikë mes deputetëve, duke e kthyer betejën e tyre në hall personal dhe jo në një çështje opozitare. Unë e kuptoj që nuk bëhet fjalë për dhjetë milion lek për Saimir Tahirin se ato mund t’i gjejë gjithkush nga PS apo shoqëria shqiptare, por problemi ynë është se duhet të prodhojmë një klimë që Gjinëve dhe Gjonëve, që lirojnë trafikantë droge dhe kërkojnë të rregullojnë biografinë duke dënuar deputetë dhe gazetarë kritikë, të mos u shkojë mendja të firmosin një vendim të tillë.
Është kjo arsyeja përse “Fiks Fare” mbijeton në majat e audiencës dhe i paprekur nga sulmet dhe i paeksportueshëm askund tjetër jashtë Top Channel-it, edhe pse ka bërë gjëma kundër pushtetit, ndërsa opozita goditet më shumë për dy fjalime në parlament se sa një emision, i cili ka përmbysur karrige ministrash.