Nga Redan Bushati, 24 Qershor 2013
Në analizat e muajve të fundit jam shprehur haptazi se vota e shqiptarëve duhej të ishte referendare (deri më tash procesi i numërimit këtë po dëshmon). Një pjesë, që mbetën në banalitetin e mendjes në rënie të lirë dhe ngushtësisë militanteske, nuk e kuptuan se vota referendare nuk është për të përkrahur të majtën, por për zbythjen e regjimit dhe në shërbim të rotacionit, si domosdoshmëri e funksionimit normal të demokracisë.
Çdo demokrat i përkorë nuk ka përse të ndihet humbës, përkundrazi, kjo është fitorja e tij. Kur një subjekt politik kap pushtetin dhe s’e lëshon nga dora, atëherë mekanizmi shtetëror fillon e zë myk dhe dita-ditës vëmë re shfaqjen e formave më të rënda të autokratizmit. Ndaj, pse jemi demokratë duhet të pranojmë disfatën, madje të përfitojmë nga ajo. Unë e di se ka prej atyre që i pikon zemra, por nuk duhet të ishte kështu. Sot nuk është festë për ata që në 23 vite kanë qenë të majtë; është festë për gjithë demokratët, që karakterin dhe dinjitetin e tyre e kanë ngritur mbi vlerat më të arrira të demokracisë moderne. Nga humbja (pësimi) njeriu mëson. Ky është mësimi i secilit prej atyre që e ndiejnë veten demokratë europianë.
Po ç’është pushteti shtetëror? Sundimi politik i një klase a grupimi, që shprehet me të drejtën dhe mundësinë për të qeverisur shtetin nëpërmjet organeve të zgjedhura. Demokracia është sundimi i popullit. Çdo popull normalisht mëton të ecë përpara. Këtë ecje e pamundëson ekzistenca e një subjekti të vetëm politik apo një klase politike të njollosur. Dhe rotacioni, qoftë dhe vetëm për të ndërruar një formacion me një tjetër, i ndih së tepërmi ecjes përpara. Pushteti nuk duhet të jetë mjet jetese, përndryshe nuk kemi as më të voglën vlerë të demokracisë. Opozita erdhi në pushtet dhe pozita kaloi në opozitë. Ku është e keqja?!
Për demokratët duhet të fillojë një epokë e re – epoka e dëbimit të figurave të rraskapitura, të korruptuara, të lidhura me krimin dhe enverizmin. Partia Demokratike ka nevojë për katarsis. Ndonëse tashmë demokratët kanë edhe një tjetër strehë (FRD), ata kanë nevojë për reformimin e partisë tradicionale, asaj që u ngrit me kauzën e shembjes së komunizmit dhe ku mbeturinat e kësaj të fundit gjenden mu brenda trupit të PD-së: më i mbrami Kastriot Islami, apo i ashtuquajturi “Kaçi i zi”. Mazhoranca e re pak gjasa ka të jetë rilindje prej vërteti, kurse PD mund të rilind, nëse forcat brenda spektrit të djathtë arrijnë të mëkëmben dhe të flakin tutje mbeturinat e hoxhizmit.
Nëse PD arrin të ristrukturohet që nga baza, nën shëmbëlltyrën e meritokracisë, atëherë pas katër vitesh, me siguri, do të jetë rotacioni i radhës. Një opozitë efikase nuk bëhet me numra, por me ide, projekte dhe karaktere individësh potencialë, që mund ta ngjallin PD-në. Rilindja mund të bëhet djathtas, majtas pak shanse ka (çifti PS-LSI që në ngjizje mbart procese të hapura). Prandaj, mos u pikëlloni nëse jeni demokratë, humbja është pjesë e pandashme e demokracisë. U uroj: fitoren PS-së dhe liderit të saj Edi Rama, kurajë dhe pastrim bëzhdilash PD-së!