Për demokracinë që nuk e shterr përfaqësimi

0
48

Albin Kurti

Albin Kurti, 01.07.2010

Nuk ka akademik apo studiues serioz që nuk thotë se demokracia e reduktuar në demokraci përfaqësuese është gjithsesi e pamjaftueshme.

Ajo demokraci që nënkupton vetëm zgjedhje periodike për qytetarët dhe deputetë në Kuvend si përfaqësues të tyre, nuk jeton gjatë.

Demokracia si demokraci përfaqësuese, pa mënyrat tjera, si demokracia pjesëmarrëse dhe demokracia e drejtpërdrejtë, shndërrohet në maskë për monarkinë apo oligarkinë. Qytetarët dhe vullneti i tyre ekzistojnë para se të jenë të përfaqësuar dhe jo nëpërmjet përfaqësimit.

Deputetët nuk janë vullneti i popullit; populli mund t’i delegojë deputetët që ta ushtrojnë vullnetin e tij, por ai s’mund ta delegojë vullnetin si të tillë. Populli mbetet ashtu siç duhet të jetë – i vullnetshëm.

Nëse ne mund ta imagjinojmë vullnetin e popullit si një koncept apo ide, kjo nuk është e mjaftueshme që ai menjëherë dhe thjesht të jetë i përfaqësueshëm. Institucionet janë reduktim. Përmasa abstrakte e vullnetit të popullit tregon fuqinë e tij dhe dobësinë tonë.

Ngulmimi për ta kufizuar demokracinë në përfaqësim e ushqen tëhuajsimin deri në mospërfaqësim. Demokracia është koncept tepër i gjerë për ta mbyllur në kutinë e votimit apo për ta ngujuar në ulësen e deputetit. Atëherë kur demokracia mbyllet në kutinë e votimit, e kemi parë se çfarë ndodh me të – ajo vidhet.

Atëherë kur demokracia ngujohet në karrigen e deputetit, e kemi dëgjuar se çfarë ndodh me të – ajo banalizohet. Politikanët tanë kryesorë janë tepër cinikë për të qenë sadopak demokratë. Ata thellësisht nuk besojnë në barazinë e njerëzve. Ata përgjithësisht nuk besojnë në asnjë lloj të barazisë.

Në anën tjetër, kur demokracia është vetëm përfaqësuese, atëherë shoqëria bëhet publik dhe publiku bëhet spektator. Kur përfaqësimi arrin ta bind të përfaqësuarin se ai është plotësisht i përfaqësuar, në fakt, kemi kalimin nga subjekti i vullnetshëm te subjekti soditës. Përfaqësimi i këtillë totalitar e ndryshon të përfaqësuarin nga ‘qytetar aktiv me shumë të drejta’ në ‘spektator pasiv me ca nevoja’.

Raporti deputet-qytetar degradon në raportin ndërmjet shenjuesit me të shenjuarin. Në vend se ta kemi të pamundur t’i konceptojmë përfaqësuesit pa qytetarët, bëhet i mundur konceptimi i qytetarëve vetëm nëpërmjet përfaqësuesve.

Përfaqësuesit nuk i nënkuptojnë më të përfaqësuarit në funksion të të cilëve janë, por përfaqësuesit i themelojnë të përfaqësuarit si subjekt, duke i defaktorizuar për nga veprimi një moment më pas. E këtillë është demokracia shqiptare.

Demokraci e mbyllur te përfaqësimi nominal. Jo demokraci që e përmban përfaqësimin, por demokraci që përmbahet te përfaqësimi. Prandaj, nuk është e rastësishme neveria që kanë pushtetarët nga protestat, grevat, peticionet dhe sidomos demonstratat. Ata s’duan demonstrata, kurrfarë demonstratash.

Sepse nuk e kanë mendjen te ndihma që demonstratat mund t’ia sjellin vendit, por te rreziku në të cilin ato mund t’i vënë pozitat atyre. Demonstratat, protestat e grevat i bashkojnë njerëzit pavarësisht nga gjinia, mosha, feja, prejardhja etj.

Dhe, i bashkojnë njerëzit e pakënaqur. Pushteti nuk do që njerëzit të bëhen bashkë, e sidomos kur ata janë të pakënaqur. Të kënaqurit nuk i duan të pakënaqurit të bashkuar sepse i duan ata të dobët. Të kënaqurit janë bërë bashkë në majat e sistemit dhe angazhimi kryesor i tyre është mu në shpikjen e mënyrave të reja që do t’i mbanin të pakënaqurit të ndarë e të përçarë.

Shumica dërrmuese e qytetarëve janë të pakënaqur por s’kanë vetëbesim, meqë s’kanë vetëdije për veten e tyre si shumicë që janë. Ata nuk e dinë sa shumë janë dhe sa të fortë janë. Pikërisht në demokraci të drejtpërdrejtë e pjesëmarrëse, pikërisht në demonstrata e protesta, do ta merrnin vesh një gjë të tillë, do të ndërgjegjësoheshin për madhësinë dhe fuqinë vetjake. Kjo është arsyeja pse bëhet luftë sistematike që demokracia të mbahet e kufizuar përbrenda sistemit të përfaqësimit.

Pushteti e di shumë mirë se të gjithë ata që i duan ndryshimet nuk mund ta ndërrojnë regjimin pa e ndryshuar popullin, pa e ndryshuar qëndrimin e popullit kundrejt regjimit. Regjimi nuk ndërron gjersa populli e duron atë. Qytetarët me votën apo heshtjen e tyre ia japin fuqinë pushtetit. Ndryshimi nis me rezistencën ndaj pushtetit.

Për ta mbajtur demokracinë përbrenda përfaqësimit formal, gjithnjë në kuadër të rritjes së kontrollit nga lart, pushteti përpiqet që t’i diskreditojë demonstratat, t’i kriminalizojë ato dhe t’i frikësojë e t’i heshtë qytetarët.

Në fakt, demonstratat janë dëshmi e vitalitetit të demokracisë. Demonstrata shënon qytetarinë aktive që reagon, kontribuon në kohezionin shoqëror dhe i sjell si subjekt në sferën publike dhe politike qytetarët që kundërshtojnë një padrejtësi të bërë, por edhe që parandalojnë një padrejtësi tjetër.

Demonstrata e bën dëshirën vullnet, ankesën angazhim dhe shpresën punë. Shpeshherë, ajo që në një kohë mund të arrihet e bëhet me protesta e demonstrata, dikur më vonë s’bëhet dot as me luftë, e aq më pak me diplomaci.