PËR ÇFARË VLEJNË DIJET E ZOTËSITË?

0
43

Mustafa Nano

Mustafa Nano

Zululand
Ka ndonjë shqiptar, të cilit nuk i është dashur të bëjë ndonjë ndërhyrje te funksionarë e dinjitarë shtetërorë me qëllim që të mundësojë punësimin e një të afërmi? Nuk besoj, se ka. Edhe kur të afërmit tanë janë të dalluar apo të dallueshëm prej zotësive të tyre, ne prapëseprapë jemi të prirur t’u besojmë miqve. Pse? Sepse është një sistem i tërë, kulturor e ligjor, që promovon njerëzit që kanë mik, e që shpërfill njerëzit pa krahë.

Prej këtej ka dalë dhe shprehja “të futësh mik”, të cilën përkthimi germë për germë në çdo gjuhë të botës do ta nxirrte si shprehje idiote. Por praktikisht, veç idiote nuk është. Këtejpari, “të futësh mik” është njësoj si të thërrasësh në ndihmë providencën; madje, më mirë e më shumë sesa kaq: është njësoj sikur providenca të ta vërë veshin, të të kthejë përgjigje, e të të ndodhet pranë.

Është akoma kështu? Në fakt, është duke ndodhur një ndryshim jo i vogël. Miku mbetet që ç’ke me të, sidomos në formën e klientit partiak, por ka zënë të fitojë terren gjithmonë e më shumë një agjent tjetër ndërhyrjeje: leku. Është duke e nxjerrë jashtë loje mikun. Në ditët e sotme mund të trokasësh me njërën dorë në derën e mikut, por në dorën tjetër duhet të kesh se s’bën një zarf me lekë; përndryshe, mbetesh me gisht në gojë.

Miku pra, i parë si një instrument tradicional e gati natyror i mbijetesës dhe i jetesës në trojet e Arbrit, po jep shpirt, dhe në vend të tij po shfaqet paraja. Është, përveç të tjerash, një nga mënyrat se si na fanepset moderniteti. Alamet ndryshimi, apo jo? Hm, se mos vetëm ky ndryshim ka ndodhur! Veç ndryshime kanë ndodhur në Shqipërinë e 20 viteve të fundit. Mirëpo, me ne ndodh ashtu si në Sicilinë e romanit Leopardi (në Sicilinë e gjysmës së dytë të shekullit XIX). Ka mbetur me nam një shprehje e protagonistit të librit, atij fisnikut të kapur në befasi prej ndryshimeve shastisëse të atyre moteve: çdo gjë duhet të ndryshojë, me qëllim që gjithçka të mbetet po njësoj.

Duket sikur Don Fabrizio e ka pasur fjalën për Shqipërinë e këtyre kohëve, ku çdo gjë ndryshon, me qëllim që gjithçka të mbetet e pandryshuar. Në të gjitha drejtimet. E sidomos në njërin sosh: Shqipëria, ashtu si 100, 50, 20 vjet më parë, drejtohet nga të pagdhendurit, të cilët, në vend të dijeve, kompetencave e zotësive, kanë – ky po, që është curriculum vitae – miq, pará dhe gatishmërinë për t’i shërbyer boss-it.

Në këtë mes duhet ta kërkojmë të keqen te fakti, që vendi drejtohet në mënyrë mediokre? Sipas meje, kjo është e keqja më e vogël. E keqja e madhe është gjetkë. Në këto rrethana do na shkojë dëm mundi për t’u mbushur mendjen fëmijëve tanë, se të studiosh, të marrësh dije e të bëhesh i zoti, jo vetëm ka një kuptim, por ka dhe dobi. Ka ndonjë budalla, që e beson këtë?