Për Berishën, “Lolin dhe Colin”

0
48

Mero Baze, 21 Korrik 2013

Historia e Lolit dhe Colit ka të bëj me dy bujq të ngjashëm që shkonin e i ankoheshin për çdo gjë Beut diku në një fshat të Myzeqesë. Kishin gjithçka të ngjashme, pamjen, hallet dhe dashurinë për Beun. Aq problem ishte kjo, sa Beu sipas gojëdhënës kurrë nuk e merrte vesh kush ishte Loli dhe kush ishte Coli sa herë që i takonte.

Historia e zgjedhjeve në PD i përngjan shumë dy personazheve me emra po ashtu të ngjashëm Luli dhe Koli. Të dy personazhet shkuan në fillim u falën tek Beu i PD-së, ai edhe pse ishte anëtar i thjeshtë ua bekoi garën, u dha leje të pretendonin për kryetar, ndaloi gjithkënd të fliste për garën, dhe e udhëhoqi atë deri në fund. Për çdo ankesë që kanë pasur gjatë fushatës të dy kandidatët Loli dhe Coli ankoheshin tek Berisha dhe ky i fundit e ndante drejtësinë.

E gjithë gara u zhvillua nën motivin e humbjes së thellë të zgjedhjeve dhe deklaratës së dorëheqjes së Sali Berishës, e cila përloti gjithë mbështetësit e tij.

Por një ditë para garës formale mes Lolit dhe Colit nuk është më e njëjta situatë. Sali Berisha ka tërhequr deklaratën e humbjes dhe deklaron se nuk do të njoh zgjedhjet. Me këtë logjik i bie që PD nuk ka humbur, dhe që Berisha nuk ka ndërmend të jap dorëheqje. Loli dhe Coli që nesër presin të votohen nga të paktën 20 për qind e anëtarësisë së PD-së kanë disa telashe përpara.

Telashi i parë është se ata megjithëse janë konsultuar çdo ditë me Beun e tyre, ai nuk iu paska treguar që nuk do ti njoh zgjedhjet. Ata i kanë njohur zgjedhjet dhe kanë pranuar humbjen. Tani pikëpyetja është se nëse Loli ose Coli udhëheqin PD në opozitë, do të kenë problem me kryetarin i cili nuk e njeh humbjen.

Telashi i dytë është arsyeja perse nuk njihen zgjedhjet. Sipas Beut, banda kriminale dhe mafiozë droge kanë blerë vota. Sipas beut bëhet fjalë për njerëz të LSI që i kanë blerë vota PD-së. Loli dhe Coli këtu janë në telash të madh, pasi të dy kanë qenë ministra të brendshëm dhe kanë lënë bosët e drogës rrugës, biles dhe në parlament. Loli është në telash edhe më të madh, pasi ka deklaruar miqësinë me LSI dhe e ka paraqitur në programin e tij si shpresa e vetme për të ardhur në pushtet. Me këtë deklaratë që u ka bërë Doktori pa i konsultuar, Loli dhe Coli nesër në mëngjes para se të shkojnë të votojnë, është mirë të shkojnë dhe njëherë tek Doktori i tyre ta pyesin mos është më mirë të rrijë ai.

Telashi i tret është marrëveshja mes Lolit dhe Colit. Sipas marreveshjes rezultati do të dal afërsisht 67 për qind me 33 për qind, në favor të Lolit dhe Coli do ngelet numri dy i partisë. Ky zhvillim i papritur, e bën Lolin dhe Colin të pasigurt për marrëveshjen e tyre, pasi ata për një muaj kanë folur për një opozitë tjetër nga kjo që u shpalos sonte nga Doktori i tyre.

Telashi i katërt më i madh është se kur ata nisën garën Doktori u tha se do ta mbështesim luftën tek Grupi parlamentar, kurse me deklaratën për mosnjohjen e zgjedhjeve, i bie ta fillojnë dhe një herë nga rruga, nga mitingjet, nga molotovët, nga vrasja e numrit 2 të partisë, (këtu duhet të hedhin tek a çift Loli me Colin), dhe deri tek arrestimi i numrit 1. Për këtë lloj opozite Loli nuk ka shumë dijeni, por as Coli nuk ka ndërmend të lodhet. Kështu që do të ishte në të mirë të partisë dhe të ardhmes së saj që në vend të Lolit dhe Colit të shkruanin prapë emrin e Doktorit, që ua ngatërronë fytyrat Lolit dhe Colit dhe të vazhdonin fatin që u dikton ai. Derisa të kenë këllqe dhe ta m,arrin vet në dorë fatin e tyre. Me Lolin dhe Colin rrugëve do jenë.