Nga Eduard Zaloshnja, 15 tetor 2012
Hamendja ime e mirëinformuar është se ka shumë shqiptarë që s’ua ndjen fort për kalvarin e tmerrshëm të vuajtjeve nëpër të cilin kanë kaluar të burgosurit politikë në kohën kur Sali Berisha, kryeministri aktual i vendit, ishte një komunist tejet i devotshëm.
Hamendja ime e mirëinformuar është se ka shumë shqiptarë që nuk e dinë mirë se ç’kanë hequr realisht të burgosurit politikë në burgjet e kohës kur Sali Berisha, kryeministri aktual i vendit, ishte një komunist tejet i devotshëm.
Hamendja ime e mirëinformuar është që ka disa pak shqiptarë që e dinë bash bukur se shteti shqiptar u është shumë borxhli të burgosurve politikë, por s’duan t’ia dinë për ta, sepse llogaritë elektorale u tregojnë se të burgosurit politikë protestues mund të jenë aktualisht një përqindje e vogël e elektoratit shqiptar.
Për të gjithë shqiptarët që janë pjesë e njërës prej kategorive të mësipërme, dhe që po i lexojnë këto rreshta, po riprodhoj përafërsisht më poshtë fragmente nga jetshkrimi i papublikuar i një të burgosuri politik të viteve të para të regjimit komunist.
***************************
“9 muajt në burgun e fashistëve italianë në vitin 1942, pasi kisha marrë pjesë në atentatin ndaj majorit të SIM-it, po më dukeshin si konvalishencë, krahasuar me 9 muajt që kalova në hetuesinë e shtetit shqiptar në vitin 1949. Dhe vitet që kalova në Burgun Famëkeq të Burrelit, pas 9 muajve të hetuesisë së tmerrshme të vitit 1949, m’u dukën përsëri pothuaj si konvalishencë. E di që sa më sipër mund të tingëllojë si një paradoks, por duhet që dikush të ketë kaluar nëpër kalvarin e muajve të hetuesisë sime, që të kuptojë se nuk bëhet fjalë për një paradoks…
Kur fashistët italianë më pyetën nëse kisha qenë pjesë e grupit që kreu atentatin ndaj majorit të SIM-it, me krenari thashë PO. Por ndërhyrja (tek Qazim Bej Mulleti) e babait tim (një bej i njohur i Tomorricës) bëri që unë të lirohesha nga burgu pas 9 muajve. Një ndërhyrje e ngjashme (tek Enver hoxha) u bë edhe në vitin 1949, por pa rezultat… Çdo ditë, ish-lopçari i familjes sime, që ishte bërë tashmë kapter burgu, më dërrmonte me kamzhik duke më pyetur: “Ku dhe kur je takuar me S. Protopapën”. E kishte fjalën për shokun tim të fëmijërisë, vëllain e sime shoqe, dhe ish-komandantin e Ballit Kombëtar, i cili ishte arratisur në Amerikë. Unë i thosha se hera e fundit që e kisha takuar ishte në vitin 1943, kur të gjithë palët politike shqiptare luftonin kundër fashistëve dhe jo kundër njëri-tjetrit. Por kapteri-lopçar vazhdonte pa pushim kamzhikimin e shpinës time tejet të gjakosur…
Në qoftë se që në fillim të hetuesisë do të më kishin thënë se për 9 muaj rrjesht do të më kamzhikonte mizorisht ish-lopçari im, hetuesia do të më ishte dukur një farë gjysëm-konvalishence. Dreqi e mori, do ta dija të paktën se ai ferr do të merrte fund pas 9 muajsh dhe do të shkoja në kaushin e Burrelit… Por çdo ditë në hetuesi, pasi thosha se S. Protopapën e kisha takuar për herë të fundit në vitin 1943, kur së bashku me Ramiz Alinë, Kristaq e Margarita Tutulanin, etj kishim përpiluar një trakt antifashist, kapteri-lopçar më kamzhikonte edhe më fort…
Më mirë një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr pa fund, i thosha vetes çdo ditë, dhe i lutesha hetuesit që të shkruante çfarë të donte në proçes-verbal e unë të firmosja. Por hetuesi më rikërkonte pa pushim të tregoja se ku dhe kur e kisha takuar S. Protopapën, pas vitit 1946, kur ai ishte dënuar me vdekje në mungesë…
Për ironi të hidhur të fatit, vite më vonë, mora vesh se shoku im i fëmijërisë dhe vëllai i sime shoqe, S. Protopapa, pas vitit 1946, kishte studiuar për fizikë bërthamore në SHBA dhe ishte bërë pjesë e grupit që shpiku bombën me hidrogjen. Ndërsa unë kamzhikohesha mizorisht për një takim fantazëm me të në Shqipëri, pa ditur se kur do t’i vinte fundi asaj torture të tmershme pa fund…”
*****************************
Shënim: Fragmentet e mësipërme janë shkëputur nga jetëshkrimi i papublikuar i tim eti (ndjesë pastë), titulluar “Dallgët e jetës”







