Pëllumb Kulla: Shqipëria s’është ende vend për të qëndruar

0
50


Elsa Demo, 22.03.2011

Një mendimi i mbetet konsekuent Kulla: rrëfenjat nga Amerika ekzistojnë, sepse realiteti që reflektojnë ato, është produkt i forcave të politikës. Emigrimi, kryetemë kombëtare, mbetet edhe 20 vjet pas ndryshime të mëdha politike, një temë e hapur dhe thjesht e shmangur

Me veprën e një autori ndodh si me kujtesën: selektohen aromat më të veçanta pasi janë menduar një kohë të vdekura.

Një autor mbahet mend me një vepër të vetme, me atë që ka mbledhur aromat, mundësisht të vendlindjes. Nuk do ishte tepër po të thuhej sot, se “Rrëfenja nga Amerika” është vepra e jetës së Pëllumb Kullës.

Nga spektakli i komedisë dhe estradës që ai krijoi prej viteve shtatëdhjetë, gjurmët rrezikojnë të zhduken bashkë me të gjallët, me kujtesën e aktorëve që kanë mishëruar komikën e tij, me kujtesën e një spektatori që po plaket e që ka komunikuar me të.

Në rrëfenjat e Kullës, në vetë fjalën rrëfenjë, angazhohet në një kohë e shkruara dhe e folura, mendimi dhe muzika e gjuhës.

Në prezantimin e botimit të plotë “Rrëfenja nga Amerika” (Toena, 2011) mbrëmë në sallën “Shekspir”, Teatri i Metropolit në Tiranë, autori i bëri së pari homazh gjuhës së rrëfenjave, sikur merita e tij të ishte e tjetër kujt, të ishte thjesht e vendit ku u lind më 1940.

Një homazh gjuhës në rrëfenjave, do të thotë nderim të folmes së Shqipërisë Lindore, gjuhës së athët të fshatrave të Korçës, gjuhë e cila përbën trupin e Peço Janit, shofer limuzine në Nju Jork, personazhi që i bashkon të tridhjetë historitë që i ndodhin shqiptarit emigrant të kohëve moderne në Amerikë, plus ndonjë ndodhie të ndërmjetme në sheshpushimin e atdheut.

Cikli i “Rrëfenjave…” nisi të shkruhet dora-dorë në vitet dymijë dhe të botohet në faqet e të përditshmes “Shekulli”. Komunikimi me lexuesin ishte i drejtpërdrejtë, edhe reagimi aty për aty.

I shtyrë nga ky “bashkëpunim” i suksesshëm autor-lexues, Kulla, në vitin 2005, i kthehet ciklit të dytë: “Rrëfenja të tjera nga Amerika”. Bëhen të gjitha bashkë te ky botim që u prezantua mbrëmë.

Pëllumb Kulla ka shkruar e botuar ndërkohë të tjera gjëra, tregime e pjesë komike-dramatike për trupën e tij të zemrës, aktorët e Teatrit të Fierit. Por ato nuk e kanë arritur magjinë e rrëfenjave, harmoninë dhe vrushkujt jetësorë që vijnë prej andej. Bota e vogël e njeriut emigrant në një botë të madhe e të huaj.

Ndodh që këto dy botë të ndërrojnë vendet: bota e madhe që mund të jetë Amerika apo cilado Amerikë, të mbytet në përvojën njerëzore. A thua njerëzit që erdhën nga deti e pinë detin.

Një mendimi i mbetet konsekuent autori: rrëfenjat ekzistojnë, sepse realiteti që reflektojnë ato, është produkt i forcave të politikës. Emigrimi, kryetemë kombëtare e ka quajtur Kulla, mbetet edhe 20 vjet pas ndryshime të mëdha politike, një temë e hapur dhe thjesht e shmangur.

Sapo e quajtët “Rrëfenja nga Amerika”, një cikël që ka komunikuar shumë me lexuesin, një libër anormal?

Ky është një libër anormal për dialektin që unë kisha qejf ta fusja në “Rrëfenja…” sepse më krijonte dinamizëm. Jam i lumtur që rroka temën e emigracionit, një nga temat më akute të këtyre njëzet vjetëve, një nga temat që na prek të gjithëve.

U mundova që ta tregoj emigracionin me tërë larminë e provimeve që sjell, të adaptimit të dramave të mëdha.

Shumë vetë që e kanë lexuar librin, thonë se janë prekur në mënyrë të veçantë kur kanë lexuar disa nga rrëfenjat. Edhe atëherë mua më duket se jam tërësisht, me të dyja këmbët, në terren të qartë.

Dialekti është vërtet një gjë që më tërheq dhe habitem se si në kohën kur po punoja me disa aktorë të Teatrit të Fierit, filluan të tërë të flisnin korçare, ndoshta i infektoi ajo mënyrë rrëfimi dhe ai personazh.

Si ju duket se rrinë në botimin e plotë rrëfenjat shtesë?

Rrëfenjat e reja plotësojnë tërë atë korpusin e vjetër, plotësojnë tematikën, sidomos tregojnë edhe origjinën për të dhënë një kuadër të plotë të emigracionit, emigracionit në fillimet e veta, në ikjet nëpër male deri në kërkimet, në falsifikimet e dokumenteve. Të tëra këto kanë një gjerësi për sa i përket mënyrave me të cilën hyhet në Amerikë, ose hyhet në Greqi. Emigracioni në librin tim nuk është se zhvillohet përtej kufirit, në Greqi ose vetëm në Amerikë, por nis si zhvendosje.

Dhe unë do doja që të nënvizoja atë shprehjen e poetit grek, Nikos Dimou, që është një nga shprehjet më të bukura që kam hasur mbi emigracionin: unë do të desha të jetoja në vend tjetër, por ky vendi tjetër të ishte këtu, vendi ku kam lindur.

Kjo tregon kërkesën dhe nevojën për ndryshim.

Kjo është ajo që mendoni aktualisht për Shqipërinë, apo jo?

Po. Mendoj për Shqipërinë që është mirë që të bëhet një vend tjetër. Nuk është kështu?

Ju nuk keni vendosur që të ktheheni në Shqipëri…

Pak e rëndësishme është kjo. Shqipëria për mua, nuk është ende vend për të qëndruar. Unë kam kënaqësi që ta jetoj jetën time si shqiptar, të vuaj si shqiptar, të qesh si shqiptar dhe të gëzohem si shqiptar, po mundësisht të kem qetësinë amerikane, qetësinë që të garanton rendi amerikan.

Ky libër vjen në serinë e shumë përkujtimeve për njëzet vjet emigracion dhe kthesë politike në Shqipëri…

Ftesa jote është që t’i hyjmë politikës…

Politikës së qytetarit dhe njeriut që shkruan…

Njëzet vjet ishin mjaft. Por kam frikë se nuk do të mjaftojnë… akoma.

Duket pak e rëndë ajo koperinë e librit tuaj: një tufë delesh që kanë në sfond statujën e Lirisë. Pohoni atë që kanë pohuar gjithnjë të huajt për emigrantët: bagëti.

Delet janë bagëtia më e bukur që mund të përfytyrojë një piktor dhe gjithë ajo martesë, midis statujës së Lirisë edhe turmës, deleve, është vërtet një gjetje shumë e bukur. E thashë më përpara, ka ndodhur që në Amerikë ta kenë blerë librin vetëm e vetëm prej asaj që shohin në kopertinë.

Për ato dele që humbasin në sfond me miliona dhe që janë emigrantët, po përdor termin “kullosin” jo për t’i ofenduar ata, por kullosin në kuptimin që kanë gjetur jetën në kontinentin amerikan. Falënderoj në mënyrë të veçantë personin që ka bërë kopertinën e librit, Like Rehovën.

Për çfarë po punoni tani?

Për një dramë satirë me Teatrin e Fierit. Në rast se do të arrij ta realizoj mirë, do të jetë pjesa më groteske, më me gravitet që kam shkruar. Është pëlqyer njëherë si projekt për film por iu hoq financimi. Me siguri është hequr në këto lodrat e ndryshme të politikës të drejtuesve të bordit të kinemasë të cilët shohin nga lart se cilin film duhet të miratojnë.

Drama ka të bëjë me temën ekonomike-politike të pensionistëve, pensionistët shqiptarë që janë kategoria më e varfër në botë.

Edhe në dramën e fundit, me Teatrin e Fierit ju trajtonit një temë të ngjashme, personazhi është një pensionist…

Si duket vjen nga mosha (qesh).

Publicisti komentoi dje botimin e plotë të “Rrëfenjave…” të Pëllumb Kullës

Preç Zogaj: Rrëfenjat, një ngjarje për letërsinë

Gjithë rrëfenjat e personazhit protagonist, janë një ndërthurje, një tematikë e gjerë, që përfshin jetën amerikane, kujtimet nga Shqipëria, një ndërthurje midis episodeve që bartin emigrantët nga Shqipëria në Amerikë dhe nga Amerika në Shqipëri. Gjithë kjo është bota e pasur, e pafund, e rrëfenjave të këtij personazhi që është vetë autori në njëfarë pikëpamje, ose në ortakëri me autorin i cili përcjell përmes tij rrëfenja të një stili popullor, por nga ana tjetër vetë personazhi merr nga autori ato cilësi që janë cilësitë e shkrimtarit…

Të krijohet përshtypja se devollitshja apo korçarja, e folura e emigrantit që duket sikur nuk ka mbërritur kurrë në Amerikë, kanë lindur për të krijuar situata komike dhe karaktere komike.

Spektri i të qasurës komike të Pëllumb Kullës është i pasur dhe i përmban të tëra ngjyrat dhe nuancat. Është humor që zbulon vetminë, është humor që çmitizon disa tabu.
Ai nuk rrëfen për të na bërë për të qeshur, aty ka edhe situata dramatike, ka edhe situata të dhimbshme.

Ky libër them se është një ngjarje e rëndësishme për letërsinë që shkruhet shqip.