PD, Vokshi: Njeriu që bashkëjetoj, ka bërë biznes me ‘Tan Lepurin’

0
46

Shekulli Online, 22.08.2010

TIRANË – Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, paraqiti dje përpara mediave një kontratë bashkëpunimi midis bashkëjetuesit të saj Arian Tartari, biznesmenit Dritan Avllaj, i njohur ndryshe si “Tan Lepri” dhe tre biznesmenëve të tjerë. Në këtë kontratë tregohet se 20% të aksioneve të një kompanie i kalojnë zotit Avllaj në shkëmbim të ndërtimit të një godine në ambientet e një trualli. Mbi këtë bashkëpunim, zyrtarja demokrate ka ngritur akuzën se 20% të aksioneve janë një formë ryshfeti për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Nga ana tjetër, burime nga bashkia e kryeqytetit bëjnë të ditur se në këtë institucion as është aplikuar dhe as është dhënë ndonjë leje ndërtimi për këtë pronë. Pasi kanë shqyrtuar të gjithë dokumentacionin që ndodhet në bashki, zyrtarët e këtij institucioni pohuan se bëhet fjalë për një marrëveshje mes dy personave (në rastin konkret Tartarit dhe Avllajt) që nuk ka asnjë lloj lidhje me Bashkinë e Tiranës.

Por deputetja Vokshi ka insistuar se babai i fëmijës së saj ka dhënë 100 milionë euro ryshfet për një leje ndërtimi. “Kam këtu dokumentin, ku kompania “Vizion Construction”, është detyruar, të fusë aksioner me 20 % mikun e Edvin Ramës, Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri, në këmbim të dhënies së lejes së ndërtimit kësaj kompanie. Dhe ky 20% vlen jo më pak se 100 milionë EURO. Mendoni vetëm për një çast sa leje ndërtimi ka dhënë Rama në tre mandatet e tij si kryetar Bashkie? Sa 20% ka marrë nga këto leje ndërtimi që bëjnë një pasuri të tërë prej qindra milionë dollarësh, e padeklaruar prej tij”, ngriti pretendimin Albana Vokshi.

Por, nga ana tjetër, pohimi i zonjës Vokshi hedh dyshime edhe për pasurinë e vërtetë të Arian Tartarit, për të cilin vetëm një kompani vlen 500 milionë euro, ndërsa dihet se ai ka të paktën katër të tilla. Megjithëse ende nuk është përgjigjur ndaj akuzave të socialistëve, deputetja demokrate i kërkoi kryesocialistit arsyen se pse hesht në lidhjen e akuzat për lidhjen e tij me Dritan Avllajn. Ajo pyeti Ramën se pse nuk sqaron publikisht çfarë interesash e lidhin me këtë person dhe sa 20% ka përfituar nën emër të tij.

“Ky, është vetëm dokumenti i parë, në ditët në vijim, do të dëshmoj fakte të tjera reale për aferat e paimagjinueshme korruptive të Edvin Kristaq Ramës, të personave që me të e lidhin interesa marramendëse financiare, si dhe për të tërë papagajtë e tij që kanë folur për më shumë se tre javë, duke shpifur e trilluar për mua”, paralajmëroi deputetja e grupit Parlamentar Demokrat, Albana Vokshi. Ndërsa komentonte në daljen e djeshme për mediat jetën politike të kryesocialistit, zyrtarja demokrate tha se Rama i shqetësuar nga bumi turistik i muajve të fundit, u bë qesharak edhe me ato që fliste e që s’i kuptonte as vetë, për rritje ekonomike pa rritje ekonomike apo për borxhe publike mbi 100%, për rënie të të ardhurave tatimore kur e vërteta, e pranuar nga të gjithë organizmat e specializuar ndërkombëtarë është krejt ndryshe.

Socialistët:
Transparenca e bëmave tuaja sapo ka filluar

TIRANË – Partia Socialiste reagoi dje ndaj akuzave të deputetes demokrate, duke i vlerësuar si të vajtueshme, ndërkohë që opozita akuzon për kontrata shumëmilionëshe, në konflikt të hapur interesi mes pushtetarëve dhe familjarëve të oborrit të pushtetit, në kurriz e dëm të popullit shqiptar, zonja deputete flet përçart për njerëz të njohur të Edi Ramës që paskan lidhur privatisht kontratë me shokun e saj të jetës. Në një deklaratë për shtyp, deputetja socialiste Eglantina Gjermeni, tha se në Shqipëri ka qindra-mijëra kontrata mes personash fizikë dhe Partia Socialiste nuk është kundër të drejtës kushtetuese e ligjore të asnjë individi për të bërë biznes. “Ne nuk jemi kundër zonjës Vokshi dhe nuk e akuzojmë shokun e saj të jetës apo qoftë edhe djalin e Sali Berishës thjesht pse merren me biznes.

Jo. Ne i akuzojmë këta pushtetarë që përmes abuzimit me fuqinë e pushtetit të qytetarëve po pasurojnë familjet e farefisin e tyre, duke grabitur Shqipërinë dhe varfëruar shqiptarët. Merreni me durim zonja e zotërinj, transparenca e bëmave tuaja të turpshme sapo ka filluar”, theksoi zyrtarja e PS.

REAGIMI
Bashkia për Vokshin: Hajduti bërtet, kapni hajdutin

TIRANË – Në përgjigje të akuzave të deputetes Vokshi, reagoi dhe Bashkia e Tiranës, duke thënë se pushtetarët që kanë akuzuar gjatë këtij viti bashkinë, të cilëve u shtohet edhe deputetja demokrate, janë në një listë padish penale e civile që ne kemi depozituar për këto shpifje të ulëta. “Hajduti bërtet, kapni hajdutin”, thotë populli, ndërkohë që ky popull është përditë e më syhapur për të parë atë që fshihet pas akuzave bajate që të akuzuarit në pushtet ngrenë ndaj Bashkisë së Tiranës, sa herë dalin në shesh të palarat e korrupsionit të tyre”, u shpreh zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florion Serjani.

Sipas tij, kjo Bashki përbaltet sa herë që kundërshtarët e Edi Ramës duan të shmangin vëmendjen e publikut nga skandalet ku përfshihen. Ai tha se ky avaz nuk do t’i pengojë të vazhdojnë me sukses punën e tyre në shërbim të qytetarëve. Gjithashtu, zyrtari i Bashkisë shprehu keqardhje që qeveria nuk bën do të njëjtën gjë, sepse qytetarët janë prej kohësh jashtë vëmendjes së saj.