Nga Enton Palushi
Rasti i Shqipërisë është unik pasi janë dështuar dy rezoluta të përbashkëta, për shkak të partisë në pushtet, e cila ka aplikuar vetë për në BE
Komiteti ndërparlamentar Shqipëri – BE i Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit e mbylli takimin e Tiranës pa ndonjë deklaratë me konsensus mbi zhvillimet politike në vend. Mazhoranca i dërgoi kështu Brukselit mesazhin përfundimtar se ajo është kundër zbardhjes së zgjedhjeve dhe propozimeve të BE-së.
Mazhoranca ka rrëzuar një propozim të eurodeputetes Doris Pack, që njihet si një kritike e ashpër e opozitës socialiste. Por ajo ka propozuar që të ketë hetim të materialeve zgjedhore, e më pas të pyetet Gjykata Kushtetuese për çështjen e fletëve të votimit.
Por demokratët kanë kundërshtuar, duke thënë se duhet zbatuar Kodi Zgjedhor, që nënkupton djegien e fletëve të votimit. Më pas është hedhur për votim një propozim për të ndryshuar kodin zgjedhor në pikën që parashikon djegien e fletëve të votimit. Këtu mazhoranca ka treguar përfundimisht se nuk është në favor të zgjidhjes së krizës politike, pasi ka kundërshtuar.
Debatet
Takimi ndërparlamentar shqiptaro-europian u zhvillua mes tensionesh dhe debatesh të ndezura midis përfaqësuesve deputetë socialistë dhe demokratë, të cilët duke kërkuar shtimin e disa fjalëve në pikë të ndryshme të deklaratës, e nxorën atë nga konteksti dhe e bënë të papranueshme për kundërshtarët politikë. Pengesa më e madhe lindi në pikën 3/a të projekt-deklaratës së përbashkët, ku kërkohej ngritja e një komisioni hetimor për zgjedhjet e vitit 2009, i kryesuar nga opozita, dhe ku mazhoranca kërkoi të shtohet shprehja “në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor”.
“Të respektohet Rezoluta e Parlamentit Europian, të respektohet Kushtetuta e vendit dhe Kodi Zgjedhor, i cili është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim, si nga parlamentarët ashtu edhe nga qytatari më i thjeshtë shqiptar. Unë nuk besoj se një vit e gjysmë shprehje midis krahëve politike mund të përmblidhen në një deklaratë kaq të lehtë për të shfaqur çëshjte që në vetvete janë kontradiktore me Kodin Zgjedhor, janë kontradiktore me Kushtetutën. Kemi një Kushtetutë, kemi një Kod Zgjedhor, dhe zgjidhja e vetme është zbatimi i këtyre parimeve dhe i këtyre ligjeve” – tha Viktor Gumi, deputet i Partisë Demokratike.
Por deputeti Taulant Balla i Partisë Socialiste tha se “ne duhet medoemos të votojmë, siç është propozuar, amendamentin e zonjës Doris Pack. Ajo kur e propozoi këtë amendament e kishte në mendje edhe Kushtetutën, edhe transparencën, edhe Kodin Zgjedhor, se ka 20 vjet që merret me Shqipërinë. Ne në punën tonë udhëhiqemi nga Kushtetutra dhe nga ligjet. Pse duhet të mbushim deklaratat me fjali të mirënjohura?” – tha ai.
Propozimi është hedhur për votim, por nuk është miratuar.
Mazhoranca ka dështuar më parë dhe një tjetër deklaratë të këtij komiteti, kur takimi u zhvillua në Bruksel.
Qëndrimet
Drejtuesi i takimit, eurodeputeti Eduard Kukan, tha se mbeti i zhgënjyer që deklarata e përbashkët dështoi pas dy ditë diskutimesh dhe kur palët dhanë miratimin veças.
“U kërkoj falje përfaqësuesve të shtypit, sepse nuk do të ketë deklarata, dhe as konferencë shtypi, por mediat ishin të pranishme në sallë gjatë gjithë kohës dhe mund të raportojnë lirisht me transparencë. Jam i zhgënjyer se si nuk u arrit një deklaratë e përbashkët e këtij takimi, i cili ka nxjerrë çdo herë deklarata me konsensus. Në këtë mungesë mirëkuptimi ka një mesazh shumë të keq për Europën. Pas dy ditë debatesh nuk doli një deklaratë e përbashët” – tha zoti Kukan.
Pak pas nisjes së takimit, Eurodeputetja Doris Pack e ka braktisur në mënyrë demonstrative atë pas përplasjeve të forta mes demokratëve e socialistëve.
Ndërkohe fill pas saj, eurodeputetja Marije Cornelissen e ka quajtur të turpshme sjelljen e
politikaneve shqiptare. “Të isha shqiptare do isha turpëruar me akuzat që bëhen në politikë. Këtu duhet të dialogohet, ju vazhdoni ende me akuzat”, ka thënë ajo ne tryeze, pasi është larguar kolegia Pack.
Pack është shprehur shumë e zhgënjyer nga akuzat mes dy forcave kryesore politike PD dhe PS, ndërkohë që takimi është tepër i rëndësishëm pasi në të diskutohen fatet e vendit.
“Këtu po diskutohen fatet e vendit, një gjendje e tillë është e patolerueshme”- ka thënë Pack. Sipas saj, prej 20 vjetësh po shikohet e njëjta praktikë dhe kjo nuk është serioze, pasi nuk mund të vazhdohet me të njëjtën përplasje.