Besnik Gjongecaj, 04.12.2009
Gjithkush që e mban mend Shqipërinë e fillimit të viteve ’90, nuk ka se si të mos e dijë që PD u krijua për të realizuar një mision të dyfishtë: së pari, shembjen e sistemit punist, çka nënkuptonte zëvendësimin e tij me një sistem demokratik, dhe, në kontekstin e institucionalizimit të pluralizmit, pjesa e dytë e misionit të saj ishte krijimi i së djathtës shqiptare. 19 vjet pas krijimit të saj, po të shohim me kujdes në substancë të gjërave, jo pa dhimbje konstatohet që PD është atje ku ka nisur, me një mision të paplotësuar, d.m.th., as nuk ka mundur të shkulë rrënjët e sistemit punist në Shqipëri dhe as nuk ka arritur të bëhet një parti e djathtë.
PD nuk ka mundur të shembë sistemin punist në pjesë shumë të rëndësishme të tij, sepse qeverisjen e vetvetes dhe qeverisjen e vendit nuk e kreu nëpërmjet reformave reale, të vërteta, por thjesht u kujdes që të ruante një status-quo për të mbajtur pushtetin sa më gjatë të ishte e mundur. Kjo gjë solli një transferim të thjeshtë të marrëdhënieve të sistemit punist në shoqërinë e sotme, i cili vihet re lehtësisht, me gjithë tentativat për ta fshehur dhe manipuluar atë. Sot, prandaj, është kufizuar rëndshëm hapësira për të ndërtuar një sistem tjetër në Shqipëri, aq më shumë një sistem demokratik. Nga ana tjetër, PD nuk arriti të shndërrohet në një parti të djathtë dhe kjo është e keqja më e vogël, sepse e keqja më e madhe është se PD nuk ka mundur, edhe sot që shkruaj këto rreshta, të shndërrohet të paktën në një parti politike, cilido të ishte vendi apo misioni i saj politik.
E kapur në grackën e një primitivizmi të pashembullt, të paimagjinueshëm, sot PD funksionon pa statut, sepse e ka shkelur atë në çdo nen të tij; sot PD nuk ka një program legjitim, sepse nuk e ka të miratuar nga Këshilli Kombëtar; sot PD nuk ka asnjë autoritet të ligjshëm, përfshi kryetarin e saj, sepse të gjithëve iu ka mbaruar mandati; sot PD nuk ka asnjë strukturë të ligjshme, madje as Kuvendin që do të mblidhet pas pak ditësh, sepse i ka mbaruar mandati; sot PD ka në parlament përfaqësues jolegjitimë, sepse nuk janë mandatuar nga Këshilli Kombëtar; sot PD ka aleatë të pamandatuar, ashtu sikundër përmban si pjesë të sajën ca kokrra që vijnë nga një parti tjetër, e cila u shkri me PD pa pasur mandatin e Kuvendit të saj.
Sigurisht që nuk ndjej gëzim, kur i shkruaj të gjitha këto, por, meqenëse qëndrimi ndaj së vërtetës nuk është më vetëm një sakrificë, por është shndërruar edhe në “modë” këto kohët e fundit, atëherë le t’i shkojmë deri në fund asaj, së vërtetës. Kur një institucion, i çfarëdo natyre qoftë, pra edhe politik, siç duhet të ishte edhe PD, nuk funksionon mbi disa rregulla të vendosura dhe të pranuara si të tilla publikisht, atëherë ai, para së gjithash, nuk është më një institucion, por në rastin më të mirë është një grupim njerëzish që kanë pranuar rregulla të tjera loje, të cilat nuk mund t’i shkruajnë dhe nuk mund t’i bëjnë dot publike.
Pra, duke mos pranuar statutin, ky grup njerëzish, dhe unë këtu kam parasysh kupolën e PD, kanë pranuar raporte të tjera midis njëri-tjetrit, midis tyre dhe të tjerëve, të padeklaruara, të cilat nuk bëhen publike vetëm për shkak të natyrës së tyre ilegjitime, madje edhe konspirative. Në këtë pikëpamje, duke mos përmbushur misionin e saj, përkundrazi, duke u transformuar në një grupim njerëzish që nuk mund të jetë politik në formë dhe as demokratik në përmbajtje, PD i është nënshtruar një procesi të gjatë denatyrimi, produkt i të cilit është një parti pa statut, pa program legjitim, pa pozicion politik, pa ideologji.
* * *
Gjëja më e natyrshme është të pyesësh se, vërtet, ç’ka ndodhur me PD, ç’forca, ç’procese e denatyruan atë, çfarë e detyroi të mos përmbushë misionin e saj dhe të përbaltë vullnetin politik të qindra-mijëra shqiptarëve? Analizat mund të bëhen me anë të modeleve të ndryshme, duke konsideruar shumë faktorë, por unë mendoj që një model i thjeshtë në fakt, ku zbulohen marrëdhëniet jo pak komplekse midis dy faktorëve esencialë, drejtuesit të PD, z. Berisha, dhe vetë PD, është një model që mund të na çojë me sukses shumë afër realitetit të gjërave dhe të na shpjegojë të vërtetën. Unë nuk besoj që ka pasur një anëtar të PD që nuk ka brohoritur një herë për z. Berisha, unë nuk besoj që ka pasur një intelektual të përfshirë në PD, që nuk ka punuar për t’i dhënë emër të mirë z. Berisha, unë nuk besoj që ka pasur një strukturë të PD apo një autoritet të kësaj partie që nuk ka investuar për z. Berisha, unë nuk njoh ndonjë militant të PD që nuk ka sakrifikuar nga vetja dhe familja e tij për emrin e z. Berisha.
E gjithë PD ka investuar në një formë apo në një tjetër që z. Berisha të fitonte një emër dhe të shndërrohej, të paktën në vitet e para të PD, në drejtuesin që zotëronte një pushtet të padiskutueshëm në PD, që zotëronte mandatin më të gjerë në krahasim me çdo drejtues tjetër që ka pasur kjo parti. Qartësisht, e gjithë partia investoi një kapital politik të jashtëzakonshëm te z. Berisha dhe për një kohë të gjatë mbajti frymën, ruajti qetësinë, priti me padurim të shihte se si z. Berisha do ta përdorte vullnetin politik të qindra mijëra njerëzve, se si z. Berisha do ta ri-investonte këtë kapital politik. Ka qenë koha kur të rrallë ishin ato autoritete politike të ish-vendeve komuniste që përfituan një kapital politik aq të madh sa ai që përfitoi z. Berisha në Shqipëri.
Por, z. Berisha bëri ekzaktësisht atë që nuk duhet të bënte, ekzaktësisht atë për të cilën ky kapital politik nuk i ishte dhënë: e përdori atë, jo për forcimin dhe zgjerimin e bazës popullore të partisë, jo për shndërrimin e saj në një Parti të vërtetë Demokratike, jo për të ndërtuar një të djathtë moderne, përkundrazi, ai e ri-investoi këtë kapital politik te vetja, tek uni, duke rikrijuar edhe njëherë në Shqipëri, menjëherë pas diktaturës, një kult individi tjetër, kultin e tij, kultin e njeriut që ka pushtet të pakufizuar, që e përdor atë me mospërfillje dhe thjesht për interesat e tij, për të qenë nesër edhe më i fuqishëm se sot. Ja pse u prishën balancat brenda PD, ja pse PD filloi gradualisht të denatyrohet.
Denatyrimi filloi me rritjen jashtë standardeve të autoritetit të z. Berisha në raport me strukturat e partisë, aq sa pesha relative e këtyre të fundit në politikën e partisë filloi të bëhej e parëndësishme. Këto ishin momente që nuk u kaluan lehtë dhe z. Berisha iu desh të mbante një qëndrim shumë të ashpër dhe të padrejtë ndaj individëve që kundërshtonin prishjen e balancës politike midis kryetarit dhe strukturave të partisë në favor të të parit. Ai shumë shpejt e kuptoi që nuk mund të vazhdonte të ndeshej në këtë mënyrë me individë që nuk mendonin si ai brenda partisë, sepse ajo do të ishte një luftë që herët a vonë do ta zvogëlonte në sytë e të tjerëve dhe do ta mundte një ditë.
Kur kulti i tij kishte arritur kulmin e vet, pra, ekzaktësisht atëherë kur fuqia e tij politike kish arritur atë pikë të kurbës, pas së cilës nuk mund të vinte një rritje tjetër, përkundrazi, ishte gati të binte, z. Berisha e kuptoi që jo superimi i strukturave të partisë, jo imponimi, çka po bëhej gjithmonë e më i lodhshëm për të, por zëvendësimi brutal i anëtarëve të strukturave të partisë që mendojnë ndryshe, që janë autoritarë dhe që kanë integritet, me njerëz pa personalitet, konformistë, demagogë, “të armatosur” me një pragmatizëm vulgar lehtësisht të menaxhueshëm prej tij, madje edhe me cene të njohura tashmë, pra, “tharja” e këtyre strukturave, shndërrimi i tyre në asgjë, esencialisht “tharja” e PD, do të qe forma më e mirë për një pushtet të gjatë të tij. Pa pikë hezitimi, tragjikisht, ai e investoi kapitalin politik që i ishte dhënë nga PD për të asgjësuar PD.
Këtu fillon edhe pjesa më e trishtueshme e realitetit politik që lidhet me PD. Duke anashkaluar çdo strukturë dhe çdo procedurë partiake për shkak të kapitalit politik në zotërim, z. Berisha filloi të ftojë njerëz me adresim të drejtpërdrejtë për t’u bërë anëtarë të strukturave më të larta të partisë, të cilët duhej që minimalisht të plotësonin vetëm një kriter: të pranonin atë si kryetar të partisë, me çdo kusht, në çdo rrethanë dhe të mos pretendonin të dinin apo të ndërhynin në mënyrën se si përdorej pushteti prej tij. Kjo ndodhi hapur, fare pa skrupuj, veçanërisht me KOP-in.
Ishte një si lloj puçi. Vinin njerëz që s’kishin asnjë lidhje me PD, jashtë çdo procesi selektiv, madje pa asnjë eksperiencë personale, madje edhe pa karrierë në Shqipëri, ndërkohë që të tjerët shtyheshin jashtë partisë, harroheshin, duke krijuar edhe problemin e madh të fshirjes së identitetit të PD. Procesi i denatyrimit të PD kishte ardhur pothuajse në fundin e tij. PD nuk ishte më, sepse nuk ishin më as strukturat dhe as autoritetet partiake në kuptimin normal, funksionues, të tyre. Z. Berisha kishte krijuar më në fund, në vend të PD, një alien politik, dhe ishte vënë në krye të tij, me anë të komandimit të së cilit do të fillonte të denatyronte edhe procesin demokratik në mbarë vendin.
* * *
Në asnjë rrethanë nuk do t’i kisha kushtuar kaq shumë vëmendje procesit të “tharjes”, të “kukullzimit” të PD si pasojë e sundimit politik nga kryetari i saj, nëse nuk do të isha i bindur për ekzistencën e një lidhjeje sinjifikative midis mënyrës se si një parti qeveris veten dhe mënyrës si qeveris vendin, kur merr pushtetin, pra, nëse nuk do të isha i bindur për ekzistencën e së vërtetës së madhe se qeverisja e vendit nga një parti politike nuk mund të jetë ndryshe veçse një zgjatim i mënyrës se si kjo parti qeveris vetveten. Kryeministri po e qeveris vendin ekzaktësisht siç qeveris PD. Tani kjo është bërë forma e ekzistencës së tij politike.
Ai e ka përqendruar pushtetin në duart e tij dhe përqendrimi i pushtetit është një proces që sa vjen e më shumë po përjashton shqiptarët nga qeverisja e vendit. Unë nuk njoh deri më sot asnjë sistem, asnjë institucion në Shqipëri, që është ndërtuar dhe funksionon mbi parimin “check and balance”; unë nuk di asnjë sistem dhe asnjë institucion në Shqipëri që funksionon mbi bazë të parimit të ndarjes së pushtetit duke filluar nga poshtë dhe jo nga lart (parimi i shpërndarjes së pushtetit sipas rëndësisë më të vogël); unë nuk di asnjë institucion dhe asnjë sistem në Shqipëri që t’i jetë dhënë aq pushtet sa do t’i duhet për të zgjidhur problemet që lindin tek ai. Pushteti është “sipër”, problemet janë “poshtë”, dhe nuk ka qytetar që të mos ta emërtojë këtë sistem politik, ose punist, ose të ngjashëm me të. Ai vetëm demokratik nuk është.
Pashmangshmërisht, ky deformim në përdorimin e pushtetit në Shqipëri ka çuar dhe çon çdo ditë në një shpërdorim gjigant të energjisë popullore. Akoma më shumë, meqenëse marrëdhëniet puniste të krijuara nëpërmjet qeverisjes janë transferuar si të tilla, në thelb të pandryshuara, nga shoqëria e para viteve ’90 në shoqërinë e sotme, kjo gjë ka prodhuar një akumulim të njëjtë të pushtetit si në ato vite, çka sot, në thelb, është edhe një “ftesë” për mafien, e cila, të paktën sipas deklaratave publike të politikanëve, është rëndshëm e pranishme në Shqipëri. Nëse do të duhet që të përcaktohet më saktë se ku, është e qartë se ajo nuk është as duke bërë alpinizëm dhe as duke plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Mafia është atje ku është përqendruar pushteti dhe paraja. Ekzaktësisht, se s’ka pse të jetë në një vend tjetër.