•“Berishës i interesonte që bashkëthemeluesit të ishin jashtë PD-së”
•“Në parti ka individë që kthehen sa herë PD-ja vjen në pushtet. Në PD-ë njerëzit nuk flasin sa për konformizëm, aq edhe për paaftësi”
Shekulli, 16.01.2013
Deputeti i PD-së, Mark Marku, ka deklaruar gjatë një interviste dhënë për media se Kreu i PD-së, Sali Berisha ka pasur interes që bashkëthemeluesit e partisë t’i kishte jashtë partisë kështu që e ngushtoi së tepërmi hapësirën e veprimit të tyre brenda PD-së. Deputeti demokrat ka analizuar zhvillimet e brendshme kohë më parë dhe konfliktet që kjo parti ka pas para vitit 97-t, duke thënë se, “konfliktet e brendshme janë shkaktuar për shkak, se mes themeluesve të kësaj partie vetëm njëri duhej të ishte lideri i saj dhe ky rezultoi të ishte z. Sali Berisha”. Sipas deputetit Marku, në Partinë demokratike ka njerëz që kthehen sa herë demokratët vijë në pushtet dhe largohen sa herë që ata janë në opozitë.
Le të mbetemi te zhvillimet e brendshme. Janë shumë “gupe armiqësore” të zbuluara në PD për këto vite dhe fati i kundërshtarëve ka qenë thuajse i njëjtë…
Mendoj se në fazën e parë konfliktet e brendshme janë shkaktuar për shkak, se mes themeluesve të kësaj partie vetëm njëri duhej të ishte lideri i saj dhe ky rezultoi të ishte z. Sali Berisha. Pasi u bë lider PD-së, zoti Berisha qe më i interesuar që një pjesë e bashkëthemeluesve që nuk pajtoheshin dot me faktin që ai u bë lideri i padiskutueshëm i PD-së të ishin jashtë PD-së, se sa brenda PD-së, dhe kështu e ngushtoi së tepërmi hapësirën e veprimit të tyre brenda PD-së. Grupi i bashkëthemeluesve u inspirua në aksionin e vet politik më tepër nga dëshira për të dëmtuar Berishën, se sa nga logjika politike dhe iku nga PD duke krijuar një pol të jashtëm, që sipas tyre mund ta rrëzonte Berishën nga pushteti. Kjo ikje, në të vërtetë, vetëm sa e konsolidoi pozitën prej lideri të Berishës brenda PD-së dhe së djathtës. Kjo bëri që më pas, në mënyrë të ngjashme grupe dhe individë të largoheshin nga PD, pasi më parë kishin kontribuar për largimin e të tjerëve.
Pasi u larguan nga PD dhe etiketuan Berishën si diktator, shumë prej ish – kundërshtarëve në vitin 2005, iu bashkuan PD-së. Si ju duket kjo lëvizje?
Si armiqësia e largimit ashtu edhe konformizmi i rikthimit të atyre që janë larguar apo kthyer në PD, janë përcaktuar ndjeshëm nga aksesi i tyre në pushtet, ose nga privimi i tyre nga pushteti. Natyrisht jo të gjithë të larguarit apo të pranuarit i brendashkruhen asaj që thamë më lart, pasi ka prej tyre që kanë ditur të ndërmarrin akte që e kanë ndihmuar PD-në dhe të djathtën dhe që e kanë emancipuar politikën shqiptare.
Pas 22 vitesh, PD është e konsoliduar si një parti ku autoriteti i liderit është i padiskutueshëm, pra në një farë mënyre mund të themi se aty mungon liria e ëndërruar në nisje….?
PD-ja është parti lider. Ai është i përqendruar tek një individ, pak a shumë i padiskutueshëm në kuptimin që nuk ka konkurrencë në këtë drejtim që t’i verë në rrezik autoritetin, por vetëm kaq. PD-ja është një parti lider, në rrethana shqiptare. Ka shumë konformizëm, shumë pak debat, shumë pak kritikë e për rrjedhojë edhe pak qarkullim të brendshëm idesh apo alternativash. Njerëzit, sa për konformizëm, aq edhe për paaftësi nuk flasin, sepse mendojnë se kjo është gjendja më e favorshme e ekzistencës politike.
Sa peshë zë kultura e munguar demokratike në Shqipëri, pasi lidershipi politik i dy partive, kryesisht lideri, mbart përvojën e së shkuarës komuniste?
E shkuara komuniste rëndon mbi të gjithë, jo vetëm mbi liderët e partive, por reminishencat e kësaj së shkuare tek lidershipi politik bien më shumë në sy pasi ndikojnë në zhvillimin e gjithë jetës politike dhe shoqërore. Mendoj se varësisht moshës, shtresës që përfaqëson apo masës së implikimit në sistemin komunist, kushdo që ka jetuar sadopak në këtë sistem e ka një dozë indoktrimi. Madje edhe brezat e lindur pas viteve ‘90 vazhdojnë ta marrin një dozë rrezatimi komunist për shkak të nivelit të lartë të komunistizimit të shoqërisë shqiptare dhe për shkak dekomunistizimit shumë të ngadalshëm të saj.
Marrë nga “Studimepolitike.com”