PD, anëtarëve të kryesive në rrethe: Jepni nga 1 milion lekë në muaj

0
32

Politikë Nga ARBEN RROZHANI, 17 Shkurt 2013

TIRANE – Anëtarët e kryesive të degëve të PD-së nëpër rrethe janë urdhër që të japin nga buxhetet e tyre private nga 100 mijë lekë të reja në muaj për llogari të selisë blu, fonde që do të mblidhen në funksion të fushatës elektorale. Dorëzimi i fondeve duhet të nisë duke llogaritur muajin e shkuar, janar, deri në qershor, kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Denoncimin për urdhërin verbal për të gjithë anëtarët e kryesive të degëve të partisë, e bëri për “Shqiptarja.com” një anëtar kryesie në njërën nga degët e PD-së në Jug të vendit.

“Urdhëri na është komunikuar dje nga kryetari i PD-së së rrethit dhe deri në zgjedhje, seicili nga ne duhet të japë për llogari të partisë nga 600 mijë lekë të reja”-tha partiaku në kushtet e anonimatit. Sipas tij, shqetësim është fakti se disa prej anëtarëve të kryesisë, përfshirë edhe atë vetë, janë në pozicione pune, ku marrin rrogë mujore sa gjysma e shumës së kërkuar çdo muaj. “Shqiptarja.com” kontaktoi dje me anëtarë të kryesisë së një dege në Veri të vendit, por zyrtari partiak tha se nuk ishte në dijeni në këtij urdhëri.

Sipas llogarive në 36 rrethe të vendit, shuma e kërkuar nga anëtarët e kryesive të degëve do të ishte goxha e madhe për 6 muajt e fushatës elektorale. Degët e PD-së kanë nga 19-21 anëtarë në rrethe të kategorisë së tretë, deri në 27 anëtarë në rrethe të kategorisë së dytë dhe deri në 33 anëtarë në rrethe të kategorisë së parë, siç janë Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Korça apo Elbasani.

Pagesat do të bëhen në rrugë informale, për të shmangur çdo lloj implikimi me dokumentimin e një financimi jozyrtar dhe shumat do të dorëzohen nga kryetari i degës së PD-së, së çdo rrethi në selinë blu. Me një mesatare prej 25 anëtarësh për çdo degë në 36 rrethe, shifra që duhet të shkojë në arkën e PD-së, si kontribut për zgjedhjet e qershorit llogaritet në rreth 54 milionë lekë të reja.

FINANCIMET

Në zgjedhjet e shkuara vendore të 8 majit 2011, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga vetë PD, 712 individë kontribuan financiarisht për fushatën e PD-së në të gjitha qarqet e vendit, me shuma nga 60 mijë-1 milion lekë të vjetra, por në total, nga ky kontingjent sponsorësh, u mblodhën 50.9 milionë lekë të reja, ose një e treta e shpenzimeve që PD bëri për fushatë.

Kjo pjesë mbeti pa u identifikuar, pasi ligji për financimin e partive politike mbron anonimatin e dhuruesit deri në 100 mijë lekë të reja, por detyrimi për të paguar 600 mijë lekë deri në qershor, detyrimisht duhet të pasqyrohet në tabelat e financimeve që PD do të marrë për zgjedhjet parlamentare. Sipas listave të publikuara nga shtypi pas zgjedhjeve të 8 majit, shumica e donatorëve në rrethe ishin drejtorë, doganierë, apo zyrtarë të tjerë vendor, që kishin financuar për partinë në pushtet.

(b.m/shqiptarja.com)