Nga Mero Baze, 8 Tetor 2013
Lulëzim Basha i shiti dy herë myslimanët. E para herë ishte kur ua ndërroi projektin modern të Xhamisë së Madhe, që u miratua në krah të Pallatit të Kulturës në qendër të Tiranës. Shpiku një problem me tokën dhe projektin, që nën frymën e një sekti radikal brenda myslimanëve nuk ngjante si xhami, ndaj nuk duhej bërë.
Nën këtë pazar projektesh dhe tapish, ai e zhvendosi projektin nga qendra e Tiranës tek toka e Namazgjasë në krah të parlamentit aktual. Bëri një projekt të ri, që në të vërtetë është një nga projektet më të shëmtuara për një xhami që ndërtohet në shekullin e 21-të në qendër të një kryeqyteti evropian. Është e tëra e stilit të vjetër arab dhe reflekton një vjetërsi që nuk ka lidhje fare me mentalitetin e shumicës së myslimanëve perëndimorë shqiptarë. Zgjodhi versionin më radikal, më vjetërsirën, më të debatueshmin, më të papërshtatshmin për vendin ku do të ndërtohet, vetëm që të ndizej debat rreth shëmtisë që po miratonte me qëllim që të mos merreshin njerëzit me dy kullat e biznesit që do të ndërtonte ngjitur me xhaminë.
Dhe kur ne merreshim me projektin e shëmtuar dhe mundësinë e ndryshimit të tij, kur ne diskutonim kush do t’i gjente paratë për xhaminë, Al Kaida apo myslimanët e ndershëm shqiptarë, a duhet ta financonte shteti apo sekte arabe që po ngjallin radikalizmin islam në Shqipëri, Lulëzim Basha me familjen çuan fadromat dhe filluan të hapin gropën tek vendi ku do të ndërtohej xhamia. Por nuk bëhej fjala për të filluar xhaminë, por dy kullat që ishin biznesi real i tij.
Kaq muaj pas miratimit të projektit, i cili u përdor dhe për fushatë elektorale, ende nuk ka asnjë deklaratë nëse janë gjendur fonde për Xhaminë e Madhe dhe nëse do të ketë ndonjë ditë kur ajo do të nisë nga ndërtimi. E vetmja gjë e sigurt ishte fillimi i punimeve për ndërtimin e dy kullave të biznesit, të cilat ishin dhënë paketë me xhaminë dhe për t’u maskuar nën hijen e minares.
Së bashku me të birin e ish- kryeministrit, i cili të xhumave del një herë nga Rruga e Kavajës për t’u dukur mysliman dhe të shtunave vazhdon i hedh një sy ecurisë së punimit të dy kullave krah xhamisë, Basha duket se ka vendosur të bëjë para nën hijen e minares së re të Tiranës.
Vendimi i kryeministrit Edi Rama sot ishte i drejtë, por jo i plotë. Ishte i drejtë pasi ai ia hoqi të drejtën Lulëzim Bashës që të bëjë pazare me ndjenjat e myslimanëve duke ngritur kullat e biznesit para minareve të xhamisë. Por do të ishte në nderin e tij të ndryshonte dhe projektin e Xhamisë së Namazgjasë, duke i dhënë kryeqytetit një xhami moderne dhe madhështore, të denjë për shekullin e 21-të. Kjo më së shumti i shkon Edi Ramës dhe për shkak të raportit që ai ka me arkitekturën moderne në këtë qytet, të cilën e ka promovuar i pari.
Heqja e dy kullave të biznesit i heq maskën prej një pazarxhiu ordiner kryetarit të Bashkisë, që falet jo se është mysliman, por vetëm se falet i biri i shefit të tij real, por dhe përmirësimi i projektit do të ishte një diskreditim i dytë për këtë kukull, që llomotiti për Perëndimin dhe na ngul në mes të Tiranës një simbol arab pa asnjë lidhje me historinë e myslimanizmit shqiptar, e cila është e re dhe perëndimore.
Egërsia me të cilën Lulzim Basha reagoi, ishte një vizatim i qartë i karakterit të tij, por dhe i objektivit të tij real kur fliste për ndërtimin e Xhamisë së Madhe. Ai tregoi se nëse i heq kullat nga duart, nuk i duhet fare xhamia. Dhe është gati të mos e bëjë kurrë tani që iu prish pazari i parë!