PAVARËSIA E KOSOVËS E KA SIGLEN “LDK”

1
80

Deklaratë e Degës së LDK-së në Zvicër me rastin e 7 Shtatorit:

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër, nën udhëheqjen e nënkryetarës zonja Zize Pepshi, mbajti një mbledhje solemne me rastin e 7 shtatorit 1990, ditës kur në Kaçanik është miratuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Një fjalë rasti e mbajti nënkryetarja e Degës zonja Zize Pepshi, e cila e cilësoi si njëren nga ngjarjet më të rëndsishme të asaj kohe, ngjarje kjo që iu parapriu të gjitha zhvillimeve politike e shoqërore që ndodhën më pas në Kosovë dhe regjion. Po ashtu për këtë ngjarje folën edhe, nenkryetari, Saim Tahiraj, Sekretari Ismet Krasniqi, Dr. Shaqir Shala, Kriste Markaj etj., kurse Dega e LDK-së në Zvicër, lëshon për mjetet e informimit Dekleratën e Kryetarit të saj, shkrimtarit Shefqet Dibrani, i cili në këtë kohë gjendet për vizitë në Kosovë!

* * *

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më 7 Shtator 1990 në Kaçanikun legjendar, padyshim se është njëra nga ngjarjet më të mëdha e cila e ka vulosur fatin e Kosovës. Ky veprim ishte akt sublim që e shprehu vullnetin e shumicës dërmuese të qytetarëve të Kosovës. Në atë kohë, krejt barra e përgjegjësisë politike rëndonte vetëm mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës, si subjekti i vetëm që kishte pasur guximin intelektual për tu përballur legalisht me politikën diskriminuese të Serbisë dhe ish Jugosllavisë.

Dihet botërisht se LDK-ja në atë vit historik kishte bërë shtrirje organizative në gjithë hapësirën e Kosovës. Ndërsa tani kur ato zhvillime politike shikohen nën prizmin e retrospektivës mund të konkludojmë se askush në atë kohë përveç dr. Ibrahim Rugovës dhe elitës politike që ishte koncentruar në krye të LDK-së nuk besonte se pikërisht 7 Shtatori 1990 po e vuloste fatin e ardhshëm të Kosovës.

Kjo ngjarje politike vinte si rezultat i një lëvizjeje të madhe politike që e kishte organizuar LDK-ja për pak muaj në atë kohë. Ajo ishte themeluar më 23 dhjetor 1989, kurse nën mbështetjen morale dhe nën shtytjen politike të LDK-së, Kuvendi i Kosovës më 2 Korrik 1990 kishte nxjerrë Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës. Ky akt politik shtyti vendosmërinë e LDK-së, për ti kurorëzuar përpjekjet e pareshtura që i kishin bërë breza të tërë shqiptarësh që nga luftërat për pavarësi në fillimet e shekullit të kaluar të cilat janë karakterizuar me heroizma e luftëra të pashoqe për të kurorëzuar fitoren e lirisë, si dhe krijimin e shtetit sovran dhe të pavarur të Republikës së Kosovës.

Delegatët e Kuvendit të Kosovës me rastin e nxjerrjes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator 1990, e kanë kryer një obligim kombëtar që fati historik ua ngarkonte atyre. Bashkë me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës e cila e shpalli pavarësinë e Kosovës më 2 korrik 1990, jo vetëm do ta kurorëzoj një përpjekje të rrallë që e bënte në atë kohë LDK-ja, e cila ishte shumë e vendosur për të ndikuar drejtpërdrejtë në emancipimin politik që më pas për të qen avangard e të gjitha zhvillimeve politike që do të pasojnë në Kosovë dhe për rreth saj. Këto akte juridike që ndodhën deri në atë kohë, do të plotësohen edhe me Rezolutën që e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 tetorit 1991 për “Kosovën Republikë, shtet i pavarur dhe sovran” e cila do ta përforcojnë politikisht platformën e LDK-së për të realizuar Pavarësinë e Kosovës, sidomos atëherë kur ndodhnin ndryshime të mëdha politike në tërë Ballkanin Perëndimor dhe përgjithësisht në Evropën Juglindore.

Lidhja Demokratike e Kosovës ishte shumë e vetëdijshme se Pavarësia e Kosovës dhe pozita e saj juridike e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, andaj ajo me tërë potencialin e saj intelektual ishte angazhuar për një veprim të matur dhe të studiuar mirë, për t’i realizuar me sukses aspiratat e gjithëmbarshme dhe për ta afirmuar si duhet në arenën ndërkombëtare edhe çështjen e Kosovës, e cila qartësoi dukshëm pozitën diskriminuese të saj. Por elita udhëheqëse e LDK-së i kishte parapar ndryshimet e mëdha që do të ndodhnin në hapësirën e ish Federatës Jugosllave, sepse në atë kohë kishin filluar lëvizje të mëdha politike të cilat do të çonin këtë krijesë artificiale deri te shpërbërja përfundimtare, në të cilën Serbia kishte një rol të perandorisë karshi republikave dhe krahinave autonome të asaj federate.

Pa dyshim, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, u ndërtua mbi themelet e përcaktimeve politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të miratuara në Kuvendin e saj themelues më 23 dhjetor 1989, pastaj mbi kornizat e saj janë miratuar edhe postulatet tjera themelore siç janë Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, duke i ngritur këto koncepte në parime themelore që janë të shkruara në deklaratën politike dhe në platformën politike të vet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ne kete date historike, nuk mungoj as aktiviteti mjaft i vyeshem i nendeges se LDK-se ne Ollten te Zviceres, e cila e ndihmoj me mjete financiare, me shume prej: 20 mij e 460 Fr e 40 Marka te cilet ndihmuan delegatet e kesaj date historike.

Tani nga kjo distancë kohore mund të konstatojmë se promotor i të gjitha këtyre lëvizjeve ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila tani duhet të ndihet mjaft krenare për veprimet, si edhe për largpamësinë e saj politike, strategjike dhe diplomatike. Si përpjekje e pareshtur e LDK-së mund të llogaritet edhe deklarimi me Referendum, 26 – 30 shtator 1991, i cili ishte pa dyshim edhe një akt tjetër për të dëshmuar përcaktimin politik të LDK-së dhe të popullit të saj, për realizimin e Pavarësisë së Kosovës. Andaj, për t’u sendërtuar ideja e pavarësisë së Kosovës, barra e përgjegjësisë historike do të bie mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila drejtohej nga vizionari dr. Ibrahim Rugova i cili me kalimin e kohës u shndërrua në simbol që rrezatonte shpresë për realizimin e aspiratave shekullore për pavarësi, e që padyshim vetëm me te, si me askënd tjetër, Kosova eci drejt pavarësisë së saj.

Në këto përpjekje të gjithanshme që i bënte Lidhja Demokratike e Kosovës, sidomos në kuadër të rrethanave dhe zhvillimeve politike të asaj kohe do të bëhen edhe përgatitjet e para për krijimin e Forcave te Armatosura te Republikes se Kosovës. Edhe në këtë proces, rol vendimtar do të luan Lidhja Demokratike e Kosovës, sepse pikërisht Degët e LDK-së në Diasporë, veçmas ajo në Gjermani dhe në Zvicër, do ta marrin përsipër organizimin e Grupeve të para të njësiteve ushtarake nga të cilat më vonë do të dalin bërthamat e para të FARK-ut më në krye Salih Çekajn, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin e shumë e shumë të tjerë të cilët janë ushtruar në Shqipëri.

Pikërisht nga këto njësite dolën komandantët tashmë të njohur, me FARK: un, qe u dalluan si një forcë ushtarake e përgatitur mirë, e cila me mjaftë sukses do ta detyronte Serbinë të hiqte dorë nga Kosova. Por kryeneçësia e udhëheqjes serbe do ta qon vendin e tyre në humnerë, jo vetëm duke u konfrontuar me Ushtrinë e Kosovës por me kalimin e kohës ajo u përball edhe me intervenimin e NATO-s e cila i dali në krah Ushtrisë se Kosovës dhe popullit të saj.

Pra Serbia me aventurat e saj, u përball në shkurt të vitit 1998 me luftën e Armatosur te Rep.se Kosoves, kurse në pranverën e vitit 1999 u konfrontua edhe me NATO-n, e cila përfundimisht e largoi ushtrinë serbe nga Kosova dhe Kosovën e solli në një stad të ri politik.

Data 7 Shtator 1990, dhe e tashmja më e përparuar e Kosovës, detyrimisht obligon qytetarët e saj, institucionet vendimmarrëse për të përkujtuar me dhjetëra figura politike e intelektualë të shquar të cilët u flijuan për t’u materializuar synimet e kësaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë historike dhe për t’u kurorëzuar përpjekjet shekullore të brezave të tërë të shqiptarëve me Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës!…

I qofte i lehte dheu i Kosoves Presidentit historik te Kosoves Dr. Ibrahim Rugoves!
Respekt pafundesisht, Delegatëve që miratuan me 7 shtator 1990, Kushtetutën e Republikës së Kosovës!

Respekt Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila me aq sukses i udhëhoqi të gjitha proceset politike e diplomatike!
Lavdi Forcave te Armatosura të Kosovës që me aq vendosmëri udhëhoqi Luftën e Kosovës për Liri dhe Pavarësi!

Me përkulje dhe përkushtim për Heronjtë dhe Dëshmorët e Kosovës!
Zoti i bekoftë aletatët e Kosovës me në krye ShBA-të dhe Bashkimin Evropian!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe Popullin e saj!

Zofingen, 5 shtator 2015.

Në emër të kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër
Zize Pepshi, nënkryetare!

1 COMMENT

  1. Pavaresia e Kosoves e ka siglen e UÇK-së. Kush mendon ndryshe ai nuk i kontribon gjakut të derdhur per te. S’ka lidhje pavaresia me parti, ajo eshte fryt qe dita dites po rritet.

Comments are closed.