Patriotizmi shqiptar midis kozmopolitanizmit dhe provincializmit

0
61

Adri Nurellari

Adri Nurellari, botuar tek gazeta Shqip

Tërësia territoriale është padyshim një ndër dy tre gjërat më të rëndësishme dhe delikate në gjithë historinë e cilitdo shteti por në Shqipëri është trajtuar nga qeveritarët si të ishte diçka teknike, rastësore e periferike. Vendimi unanim i gjykatës kushtetuese jo vetëm që tregoi shkeljen e legjislacionit shqiptar lidhur me shpërfilljen e presidentit në mandatimin e grupit negociator, por ajo që është më e rëndëishme ishte se nxorri në pah shkeljen edhe të së drejtës ndërkombëtare.

Domethënë negociatorët teknikë dhe firmëtarët qeveritarë kanë stisur për motive të paqarta e dyshimta, një marrëveshje që nuk garanton as ato pak të drejta që i takojnë shtetit tonë falë së drejtës ndërkombëtare duke mundësuar një aneksim të fshehtë e paqësor në favor të shtetit fqinj të një pjesë të konsiderueshme të territorit tonë. Në një shtet normal prokuroria do kishte nisur hetimet ndaj individëve që kanë qenë përgjegjës për këtë marrëveshje dhe më e pakta gjë që do kishte ndodhur do ishte doreheqja e atyre zyrtarëve që e kanë hartuar dhe mbrojtur publikisht në mënyrë të verbër këtë marrëveshje.

Kuptohet që yni nuk është një shtet normal, dhe krejt në mënyre abnormale këta zyrtarë në vend që të rrinin kokëulur e mos të bëzanin nga pendesa, fillojnë sulmojnë e akuzojnë si ekstremistë nacionalistë dhe folklorikë ata aktorë apo faktorë që shfaqën dyshime ose e denoncuan këtë marrëveshje të bërë me një shpejtësi skëterrë fshehurazi nën rrogoz. Madje nuk hezitojnë të kurdisin dallaverin e radhës për ta çuar më tej përpara nëpërkëmbjen e dinjitetit dhe interesave tona kombëtare përkundrejt fqinjit tonë jugor duke sajuar një regjistrim popullsie ku do të përfshihet vetëdeklarimi i kombësisë dhe fesë.

Përveç diskreditimit njëherë e mirë me këto veprime të çfarëdo pretendimi hipokrit apo retorike të zbrazur që vërshoi nga kjo qeveri për rrugën “patriotike” duke dëshmuar se patriotizimi i saj ishte një maskë e rreme që në të vërtetë shërbeu për të kamufluar abuzimet me qindra miliona euro të hetuara nga prokuroria, kjo histori demonstron edhe një tjetër fakt. Demonstron përmbysjen e sistemit moral të referimit apo konvencioneve të vlerave. Tanimë ekstremizën i paarsyeshëm po quhet nga qeveritarët shqetësimi për integritetin territorial të një vendi si dhe respektimi i kushtetutës.

Sipas këtyre qeveritarëve duhet që neve që ngritëm zërin për patriotizëm, të na vijë turp që shqetësohemi për lëshimet territoriale apo shkeljen e kushedisesatë të kushtetutës?! Ata e kanë shpallur patriotizmin jashtë mode sepse në modë sot është të jesh renegatë, të shesësh çtë kesh ndaj blerësit më bujar apo të lëpish atë që ke pështyrë për dikë kurdoherë që të leverdis. Sipas këtij sistemi alternativ “vlerash” të elitës së tanishme politike, nuk është ekstremizëm te merren armët në krah kundër institucioneve e të digjet e bëhet shkrumb e hi Shqipëria në 1997; të organizohen puçe anti-shtetërore në 1998; të vidhet prona publike, buxheti, thesari, zgjedhjet dhe gjithçka tjetër ku mund të shtihen duart; të thirren ushtritë dhe politikanët e huaj për të zgjidhur mosmarrëveshjet e pazareve mes politikanëve tanë; të bëhen bojkote e greva urie etj. etj.

Ky vend ka kaluar në këto dy dekada disa prej zhvillimeve më ekstreme dhe absurde të historisë bashkëkohore të Evropës dhe kasta shkaktare ka kurajën të quajë ekstremiste ata pak zëra të mekur patriotësh që mezi iu dëgjohet zëri. Shqipja jonë e dashur fatkeqësisht në këtë rast del tepër e varfër për t’ë gjetur fjalë për të përshkruar një paradoks kaq të skajshëm, qesharak e të turpshëm.

Së pari është e nevojshme që të bëhen disa sqarime për ata persona që kujtojnë se patriotizmin është fjalë të keqe. Sot në mbarë globin vazhdon supremacia e shteti-kombi si aktori kryesor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Përpara se Evropa të kalonte në epokën e shtet-kombeve me paqen e Vestfalisë në 1648, ajo ishte tejet e fragmentuar politikisht dhe dominohej nga luftërat fetare, konfliktet dinastike apo përplasjet tribale.

Deri në atë kohë në shoqëri mbizotëronin nocione përkatësie të tipit klasore, fisnore, dinastike, fetare, profesionale, krahinore, dialektale etj. Pra kalimi tek koncepti i kombit ishte një hap i rëndësishëm dhe thelbësor në historinë e njerëzimit duke lënë mënjanë dimensionin provincial apo bashkimet me bazë tek identitetet e sipërpërmendura. Formimi i kombit solli edhe konceptin e patriotizmit i cili dallon shumë nga këto forma bashkimi apo besnikëritë dhe identitetet që lidhen më grupimet primitive në fjalë.

Dallimi qëndron në faktin që patriotizmi është i lidhur ngushtë me shtetin sepse ky koncept nuk bazohet në lidhjen e gjakut, kastës, fisit por në lidhjen me idenë e kombit dhe për rrjedhojë në lidhjen me institucionin thelbësor të kombit, shtetin. Kjo do të thot që një ndër burimet e mosvajtjes mirë të punëve në shtetin tonë është pikërisht mungesa e patriotizmit. Patriotizmi modern bazohet në ato simbole apo karakteristika që i përkasin të gjithë individëve të një kombit, duke përjashtuar ato elementë që ndërtojnë mure përcarëse brenda kombit. Kombi ynë në fakt ka vuajtur vazhdimisht nga sfida që i ka ardhur prej krahinorizmit, klanizmit apo dallimit fetar prandaj edhe në këtë rast ndërmarrja nga shteti i një nisme zyrtare siç është regjistrimi i përkatësisë fetare nuk është gjë tjetër përveçse një akt që na kthen prapa e që na çon drejt përçarjes.

Bashkimi Evropian ku ne po përpiqemi të anëtarësohemi është një eksperiment i ri ne proces e sipër ndërkombëtar dhe sipërkombëtar dhe mund të konsiderohet si një sfidë e ardhshme ndaj konceptit klasik të shtet-kombit. Por duhet patur parasysh që kjo sfidë vjen nëpërmjet përqafimit të vlerave dhe identiteteve gjithëpërfshirëse pa braktisur plotësisht identitetet kombëtare. Dimensioni i kombit dhe koncepti i patriotizmit sfidohet nga një koncept aspirant akoma më në pararojë dhe që mund të konsiderohet një stad më i lartë zhvillimi e që është kozmopolitanizmi. Ky i fundit merr trajta universale mbarënjerëzore dhe që më së bukuri përshkruhet nga teksti i këngës Imagine të John Lennon.

Përqasja kozmopolitane më josh edhe mua që po shkruaj këtë shkrim me tone patriotike dhe me sinqeritetin më të madh më duhet ta pranoj që argumentet kozmopolitane që mund të vijnë kundër konceptit të patriotizmit shqiptar deri diku më vënë edhe mua në dyshim, duke qenë se shpesh e ndjej veten në trysni të brendshme midis të konsideruarit të vetes më shumë ekskluzivisht shqiptar apo qytetar të botës. Mirëpo sulmet që po i vijnë identitetit tonë kombëtar dhe patriotizmit shqiptar spo i vijnë nga kozmopolitanët apo alternativa e bashkimit në Bruksel. Kjo gjë do ishte e mirëpritur sepse do dëshmonte evoluim. Sfidat fatkeqësisht po i vijnë nga një e kaluar e largët historike provinciale.