Arben Rrozhani, 30.03.2010
Ndoshta edhe sot, nëpër rrugët dhe sheshet e Shqipërisë e përtej kufijve do të vijojnë spektaklet e shëmtuara të patriotizmit. Sloganet e tipit “Fuck Greece”, djegia e flamurit grek në mënyrë demonstrative dhe thirrjet e shpifura anti-helene, ka qenë përgjigjja e marshit ushtarak të një njësie elite, gjatë parakalimit në Athinë për të kremtuar përvjetorin e pavarësisë nga ish-Perandoria Otomane.
Reagime të tilla ndaj thirrjeve greke se veshje do bënin me lëkurët e shqiptarëve, ishin të pritshme dhe ashtu siç pritej, u manifestua në mënyrën më të shëmtuar. Një popull në mesin e vendeve që së bashku duan të hyjnë në BE, imitoi turmat e nxënësve të Kur’anit në vendet më obskurantiste të botës myslimane, që kanë djegien e flamujve si etalon të shprehjes së urrejtjes ndaj perëndimorëve.
Frymëzuesve të patriotizmit të shëmtuar mund t’u vijnë të hidhëta këto perifrazime, ndoshta po aq sa ç’u ka ardhur hidhët edhe shprehja greke me lëkurët e shqiptarëve. Nëse konstatimi ynë nuk është i saktë, i dyti është i vërtetë: grekët prej gati dy dekadash “rrobën” e tyre e kanë bërë duke rrjepur lëkurët tona, ku hamë, flasim me telefonë celular, harxhojmë karburantet e ardhura nga Greqia etj.
Prej hapjes së Shqipërisë dhe futjes së Greqisë me rolin e saj udhëheqës dhe investitor kryesor në sektorët më fitimprurës të ekonomisë, ashtu si dhe në shumë vende të tjera të rajonit, shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë fqinjësinë me shtetin Helen.
Është e vërtetë, se Athina ishte porta e parë ku u dyndën qindra mijëra shqiptarë të pashpresë dhe sot, rreth 700 mijë prej tyre e kanë zgjedhur si vendin ku kanë punën, jetën, të ardhmen e fëmijëve.
Po aq e vërtetë sa kjo pjesë e rëndësishme e popullsisë shqiptare, ka kontribuar atje për të rimëkëmbur ekonominë greke, duke bërë ato punë që grekët nuk duan apo nuk dinë t’i bëjnë.
Këtë realitet ekonomik të emigrantëve shqiptarë në Greqi e ka konfirmuar vit pas viti dhe Banka Kombëtare e Greqisë, e cila nuk mund të mos vinte në dukje përfitimet që ka pasur Greqia, ashtu si dhe Shqipëria nga puna e emigrantëve shqiptarë atje. Rreth dy të tretat e emigrantëve shqiptarë në Greqi kanë llogari bankare në bankat greke, me një shifër që mendohet se shkon mbi 3.5 miliardë euro.
Ata sjellin tani në Shqipëri rreth 800 milionë nga 1 miliardë që sillnin para krizës dhe ndoshta do të sjellin edhe më pak në vitin 2010, kur ekonomia greke është në fillimin e planit të shpëtimit nga kolapsi financiar dhe gjithnjë e më shumë emigrantë po i ulin remitancat (dërgesat në valutë) për familjet e tyre në Shqipëri.
Por ashtu siç vijnë shumica e mundit dhe të djersës së emigrantëve tanë kthehet sërish në Greqi. Duke zaptuar sektorët kryesorë të shërbimeve, furnizimit me lëndët djegëse apo mallrat e konsumit të përditshëm, kompanitë greke janë shndërruar në aktore të para të ekonomisë shqiptare, aq sa mjafton një grevë doganierësh grekë në pikat kufitare me Shqipërinë për të çuar vendin drejt kolapsit.
Siç doli edhe nga forumi i tretë i marrëdhënieve greko-shqiptare, organizuar pak kohë më parë në Tiranë, 50 për qind e totalit të investimeve të huaja në vendin tonë i përkasin Greqisë. Paradën greke të ekonomisë shqiptare e bën vetë ministri shqiptar i Ekonomisë: “Bizneset greke janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Ato përbëjnë gjysmën e stokut të investimeve të huaja në vendin tonë.
Investimet greke kanë qenë një ndihmë e jashtëzakonshme për tranzicionin shqiptar. Ato dominojnë në tregun e telefonisë, me kompanisë AMC dhe Vodafon që janë lider, në tregun bankar me Tirana Bank, Alpha Bank. Emporiki Bank, NBG Bank etj., të cilat u shërbejnë konsumatorëve në të gjithë vendin me produktet më të avancuara.
Aktualisht, numri i bizneseve greke në vendin tonë llogaritet në 110, por me rëndësi të jashtëzakonshme., madje edhe në fushën energjetike”. Greqia, ndërkohë, vijon të jetë partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, pas Italisë. Sipërmarrjet greke kanë realizuar një volum investimesh me mbi 1 miliardë euro dhe këto janë kryesisht në shërbime, apo tregun bankar.
Por, kjo prani greke është një thikë me dy presa në Shqipëri. Ato, duke operuar kryesisht në sektorin e shërbimeve, nuk prodhojnë gjë, dhe valutën e marrë e kthejnë te kompanitë mëmë.
Një realiteti që nuk mund ta injorojë edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që para dy muajsh paralajmëroi se kriza ekonomike greke mund të përfshinte edhe Shqipërinë, sepse “shumë kompani e banka greke janë aktive në vend, dhe sidomos për shkak të numrit të madh të emigrantëve dërgimi i remitancave të të cilëve pritet të bjerë”.
Dhe aq situatë e brishtë është saqë, vendimi i Bankës Qendrore të Shqipërisë, që bankat të lejohen të nxjerrin valutën jashtë vendit, shtyu organizime të biznesit shqiptar që të bëjnë thirrje për masa të ashpra të hemorragjisë valutore në vend.
Në shumë vende të qytetëruara, protestat janë një e drejtë kushtetuese dhe si të tilla ato shprehin qëndrime të një grupi shoqëror apo politik. Në paradën e 25 marsit në Athinë u prek mbarë kombi shqiptar, por përgjigjja nuk mund të jetë me djegie flamujsh apo thirrje për luftë.
Kombe mirëfilli patriotë, që u dhimbset vërtet lëkura dhe nuk e shesin atë të parën gjë që bëjnë është bojkotimi dhe nëse bëhet kështu politika greke, frymëzuese e atij kori racist që nuk këndon për herë të parë në Athinë, do t’i vinte gishtin kokës dhe t’i bënte mirë llogaritë.