Patologji mediatike

2
30

BLEDAR H. PRIFTI, 05.10.2010

Lexova këto ditë një shkrim të analistit Mustafa Nano titulluar “Po plaçkisin Shqipërinë ditën me diell”. Ai ishte një shkrim që evidentonte dhe sillte ide në lidhje me korrupsionin që ka pllakosur qeverinë Berisha-Meta. Por, fatkeqësisht, pas një analize që i bëhet korrupsionit qeveritar, Nano vendos që ta përfundojë shkrimin me fjalinë: “Një pushtet tërësisht i korruptuar komandon vendin krejt i pashqetësuar veç në një rrethanë: kur opozita është po kaq e korruptuar.”

Pa gjykuar vërtetësinë apo falsitetin e pretendimit të Nanos në atë fjali të fundit, duket ashiqare se ajo fjali është e palidhur logjikisht me vijshmërinë e analizës së autorit. Prej këtej më lindin pyetjet, të cilat kushdo analist ia bën vetes përpara se të shpalos mendimet e tij/saja për publikun: Cili është qëllimi i analistit në këtë shkrim? Çfarë donte t’i shpjegonte ai publikut dhe lexuesit? Çfarë shërbimi i bën ky shkrim opinionit publik? Si mundet një analist i këtij kalibri të shpenzojë gjithë këtë hapësirë mediatike për të na treguar korrupsionin e qeverisë Berisha-Meta dhe në fund, si një profet, me një fjali të vetme na jep arsyen e ekzistencës së këtij fenomeni??!!”

Duke u nisur nga qëllimi i shkrimit, shkrimi i Nanos, si shumë shkrime të tjera në media, nuk mbart asnjë qëllim, të cilin ne mund ta evidentojmë dhe as një shërbim që ai i bën opinionit publik. Pas leximit të atij shkrimi, opinioni publik do të ishte shumë më konfuz dhe pesimist sesa ishte më parë. Në realitet, analist nuk quhet një person që flet e shkruan si gjithë të tjerët, por një person që flet e shkruan përmes një procesi të menduarit kritik dhe që ofron zgjidhje për problematikat, me të cilat përballet një shoqëri apo grup shoqëror. Supozojmë se autori kishte si qëllim bërjen publike dhe evidentimin e korrupsionit qeveritar. A thua për këtë mund ta quajmë z. Nano analist??

Me fjalët që do t’i shkonin për shtat shprehive të vet z. Nano, unë do të thosha: “dreqi ta hajë, por nuk quhesh sot analist të flasësh për korrupsionin qeveritar në një kohë kur i vogël dhe i madh, i shkollë dhe i pa shkollë, e ka kuptuar se kjo qeveri është e korruptuar që në embrion”. Një analist i vërtetë do t’i shpjegonte opinionit publik dhe popullit arsyet e këtij korrupsioni galopant dhe jo të mjaftohej me evidentimin e një fenomeni që e shikojnë dhe ndiejnë të gjithë.

Këtu Nano ka bërë mrekullinë e profetit dhe e ka shpjeguar arsyen e ekzistencës së korrupsionit qeveritar në fund me një fjali të vetme. Normalisht, lexuesi duhet të jetë habitur me faktin se si autori arriti në këtë përfundim në një kohë kur janë po Nano dhe mendimtarët si ai që e kanë sulmuar opozitën socialiste për radikalitet dhe sulme tejet agresive kundër pushtetit.

Ky shkrim orvatet që të rifreskojë memorien e analistëve si Nano dhe të evidentoj atë që unë e quaj “Patologji Mediatike”, apo sëmundje të mediave dhe analistëve shqiptarë. Për mbarë opinionin publik është e qartë se kjo opozitë nuk e ka lënë në asnjë moment të qetë këtë qeveri të krijuar përmes një pazari banal midis Sali Berishës dhe Ilir Metës. Të vetmit që e kanë lënë të qetë këtë qeveri ka qenë media dhe analistët e saj. Fill pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, media dhe analistët nuk kanë bërë gjë tjetër, por kanë sulmuar Edi Ramën dhe opozitën, duke lënë në errësirë pazarin Berisha-Meta, elementët e tij dhe pasojat që do të kishte ky pazar në mbarëvajtjen e politikës dhe ekonomisë shqiptare.

Të gjithëve na kujtohet periudha pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kur media dhe analistët e saj u lëshuan të tërbuar si ujqër, hiena, e çakej kundër Edi Ramës dhe opozitës socialiste. U ndërsyen të gjithë në atë që unë e kam quajtur “kryqëzata anti-Rama” dhe kushdo përpiqej që të tregonte se kush i kishte dhëmbët më të mëdhenj për të kafshuar opozitën dhe Ramën, të cilët nuk ishin gjë tjetër, por viktimë e një pazari, i cili shumë shpejtë do të fillonte të kafshonte median dhe mbarë shoqërinë shqiptare. Çfarë nuk thanë dhe çfarë nuk shpifën kundër Edi Ramës.

Në fillim ulërinin dhe u lëshuan kuç e maç duke thënë se Rama proteston për të mbajtur postin e kryetarit të PS-së. Por, shumë shpejt koha vërtetoi se kjo gjë ishte thjesht një marrëzi e fabrikuar në zyrat e Berishës dhe Metës. Nuk do të mjaftonte aspekti pozitiv, por kjo media dhe shumë analistë do të futeshin edhe në aspektet familjare dhe në shtratin e Edi Ramës. Në çdo debat televiziv, mendimtarët tanë në media do të hidhnin një det akuzash dhe sharjes kundër opozitës dhe Edi Ramës.

Të budallallepsur, të ndërsyer dhe punësuar nga mendjet e djallëzuara, dhe të bashkuar në tufa që ulërinin për kurban, media dhe analistët e saj mbuluan në mënyrën më idioteske dhe djallëzore pazarin më të ndyrë që ka ndodhur ndonjëherë në politikën shqiptare dhe atë botërore. Kjo tufë naivësh, ujqërish, hienash, dhe çakejsh injoroi në mënyrë absurde pazarin Berisha-Meta edhe pasi u bë publik ndarja e pushtetit si plaçkë lufte, ku 80% i takonin Berishës dhe 20% i takonin Metës. Kjo tufë nuk e kish për gjë të na tregonte ne se ishte normale që një parti të votohej nga elektorati për një arsye dhe të përdorte mandatin e dhënë nga ai elektorat për të kundërtën e arsyes për të cilën u votua. Përkundrejt këtij pazari djallëzor, opozita socialiste nisi një aksion politik për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe të pushtetit të lindur nga pazari Berisha-Meta.

Repertori i protestave opozitare, që përfshinin edhe përfaqësues politik të forcave të djathta, përfshinte protesta mbarëpopullore, bojkot të parlamentit, dhe grevë urie. Në çdo hap të këtyre protestave mbarëpopullore, opozita do të duhej të përballej jo vetëm me pushtetin Berisha-Meta, por edhe me median dhe mendimtarët analistë naivë, finokë, dhe të djallëzuar të punësuar prej medias. Në mënyrë sistematike, media dhe mendimtarët e saj u rreshtuan përkrah pushtetit Berisha-Meta duke sulmuar opozitën dhe liderin e saj. Mendjendriturit e medias nuk reshtën së sulmuari opozitën edhe kur gra e burra të kësaj force u sakrifikuan në grevën e urisë.

Dhe gjatë gjithë kësaj kohe që media dhe mendimtarët e saj merreshin me sulmet kundër opozitës dhe Edi Ramës, pushteti Berisha-Meta vazhdonte të konsolidonte lidhjet filo-mafioze dhe të grabiste dhe mbyste dalë-nga-dalë interesat dhe pasuritë e shqiptarëve. Çdo ditë opozita dhe lideri i saj paralajmëronin median, mendimtarët e saj, dhe mbarë shoqërinë për babëzinë e këtij pushteti dhe katastrofën politike dhe ekonomike që do të vinte prej ekzistencës së tij.

Sot media dhe mendimtarët e saj nuk po bëjnë gjë tjetër, por po numërojnë rastet e korrupsionit të tipit mafioz që opozita socialiste i denoncoi dje. Për të mos mjaftuar marrëzia mediatike, mendimtarët e saj shpikën arsyen idioteske se nuk mbështesnin veprimet e opozitës, sepse ajo kërkon pushtetin. Mos harroni së pretendimi fillestar i mendimtarëve të medias ishte që Rama i bën këto protesta për të mbajtur postin e kryetarit të PS-së. Por këtu ka një paradoks: Dje këta mendimtarë i kërkonin Ramës perse nuk protestoi për Gërdecin, por nuk vonuan ta shanin Ramën, sepse protestoi për vjedhjen e zgjedhjeve.

Jam i sigurt se do të ishin përsëri këta mendimtarë që nëse opozita do të protestonte për Gërdecin do ta konsideronin atë një protestë për pushtet, të paktën këtu të çon logjika e argumentit të tyre. Pavarësisht asaj që do të bënte opozita, media dhe mendimtarët e saj do të shpiknin një arsye për të sulmuar opozitën, dhe kjo të kujton atë shprehjen/lojë popullore “çfarë uji i ke dhënë gomarit?” Bile, këta mendimtarë kanë ndërmarrë rolin e Nostradomusit dhe janë në gjendje të parashikojnë se si do të sillej opozita nesër nëse vjen në pushtet.

Po këta mendimtarë mediatik kanë harruar se demokracia bazohet në principin e ndëshkimit dhe shpërblimit të pushtetit. Zgjedhjet e lira janë test për qeverinë dhe performancën e saj dhe jo një test për opozitën. Qëndrimet dhe sulmet kundër opozitës nuk janë gjë tjetër veçse pallavra dhe fjalë boshe që kontribuojnë në zgjatjen e jetës së pushtetit ekzistues dhe “status quo”-së politike. Problemi real sot është pushteti dhe jo opozita. Nëse në ndëshkojmë pushtetin sot, opozita është e vetëdijshme rreth fatit të saj kur të jetë nesër në pushtet.

Po përse ndodh kështu me median dhe mendimtarët e saj? Siç mund ta kuptoni edhe nga analiza e mësipërme, mund të ketë disa arsye që kanë shkaktuar këtë patologji mediatike. Një arsye është blerja e disa mediave dhe mendimtarëve të tyre nga pushteti aktual. Si shërbëtor të pushtetit, ata do të bënin çdo gjë për të dërrmuar opozitën dhe ruajtur pushtetin e padronëve të tyre, pavarësisht vlerave shoqërore dhe politike të pushtetit. Një arsye tjetër është edhe mungesa e një mendimtari me një sistem të kristalizuar vlerash dhe besimi. Duke mos pasur një sistem vlerash dhe besimi, këta mendimtarë kënaqin veten duke sulmuar këdo. Duke mos qenë pjesë e forumeve partiake ose politike dhe duke mos pasur një sistem solid vlerash dhe besimi, ata janë të prirur të sulmojnë këdo që është i angazhuar në politikë, duke e konsideruar klasën politike si një klasë kundërshtare.

Një arsye tjetër e rëndësishme, e ndërlidhur me të parat, është edhe injoranca e disa mendimtarëve mediatik rreth principeve bazë të demokracisë dhe funksionimit të një sistemi demokratik. Para disa ditësh dëgjova një mendimtar mediatik të theksonte se vota e lirë dhe transparenca e zgjedhjeve duhet të ishte arsye dytësore për opozitën për të protestuar. Kjo është absurde dhe e pakonceptueshme në një shoqëri demokratike. Në hierarkinë e nevojës së një sistemi demokratik, nevoja për zgjedhje të lira dhe transparencë qëndron në majën e hierarkisë.

Nuk ka nevojë më të madhe në një sistem demokratik sesa nevoja për votën e lirë dhe transparencën e saj. Aty fillon e ardhmja e demokracisë. Këto patologji mediatike të përmendura më sipër nuk bëjnë gjë tjetër por ruajnë “status quo”-në e pushtetit, ndihmojnë në kristalizimin e fenomeneve korruptive dhe mafioze, dhe vështirësojnë rolin e opozitëbërjes deri në atë pikë sa edhe mendimtarit mediatik Nano i duket sikur opozita është në pushtet e korruptuar si vetë pushteti Berisha-Meta.

2 COMMENTS

  1. M. Nano ka te drejtë kur thote Siç!
    Ti je duke luajtur rolin e avokatit te djallit.
    Asgje nuk e tradheton me teper karakterin e nje njeriu, se sa gjerat me te cilat ai tallet.
    “Lavdia eshte nje helm qe duhet marre ne doza te vogla.” Balzak
    “Te kesh gjithmonë te drejte, te besh gjithmonë karriere, te shkelesh me kembe gjithçka, mos te kesh kurre dyshime: Nuk jane valle keto cilesite me te cilat marrezia qeverise boten?” – WILLIAM MAKEPEACE THACKERAY.

  2. Po tani qe Rama ja ka dhene tre mije vota Metes, apo qe Meta u be deputet me tre mije vota te vjedhura: Cfare do te thuash?
    Apo, asgje: Rama e ndihmoi Meten te behej deputet per te vazhduar lojen se bashku, por Meta eshte i zgjuar, ja di aftesite Rames, prandaj kembeu ortak.

Comments are closed.