Pasuria ime je ti, o Sali!

0
85

Fatos Nano, 24.08.2010

…Ndryshimi me të kaluarën kur qeverisnit ju, mocionistët, është evident: ne nuk qeverisim me pasione, por me ligje, ne nuk biem pre e emocioneve politike dhe arkaike, por i bindemi ligjit. Ne nuk rindërtojmë një luftë gjahu shtrigash siç ishin rastet qesharake të “drurit të arrës” kur doktori iu vërsul, në emër të luftës kundër korrupsionit ish-ministrit të vet të financave vetëm, sepse nuk po i bindej politikisht.

Ne nuk lejojmë të abuzohet me detyrën apo të anashkalohet ligji në emër të luftës së klasave, siç bënte doktori dhe siç pretendon se ta bëjë sërish, nëse vjen “por s’ka për të ardhur” në pushtet.

Ne nuk ndërtuam kompani biznesi pranë partive tona, siç bëtë ju me firma “shqiponjash” (dhe po ju sjell në kujtesë vetëm ndonjë nga “çuditë” tuaja) Shqiponja, aspak kombëtare, me të cilat kontrollonit dhe realizonit kontrabandën me Serbinë e Miloshevicit. Ne nuk lejuam ndërtimin e firmave piramidale, ju e dini mirë që këto janë arkivuar si burime të pastra të një korrupsioni galopant qeveritar që shkatërroi shtetin. Ne ndërtuam banka serioze dhe vazhdojmë të luftojmë me mjete ligjore dhe institucionale informalitetin.

Madje, ne me vetëdije politike ditëm të marrim dhe të mbajmë edhe kosto të larta jo vetëm administrative e qeverisëse, por edhe politike, duke i çrrënjosur përfundimisht piramidat që ngritët ju për të rënë vetë brenda.

Deri në vitin ’97-të kur në Shqipëri gëlonin faturat prej bakalli te Sude Alimucëve, korrupsioni dhe konflikti i interesave konsideroheshin nga lidershipi i kohës “pleh” që ndihmonte kapitalizmin e ri shqiptar të lulëzonte. Vetë kryetari juaj në një mbledhje të Këshillit të vet Kombëtar kur ishte President, kritikoi anëtarët e forumit të vet pse nuk merreshin me biznes.

Shtypi opozitar i asaj periudhe e konfirmon këtë deklarim. Kjo filozofi e kryetarit tuaj shpjegon më së miri mungesën e akteve ligjore e nënligjore që ju duhet të aktivizonit për të ndërhyrë në luftën kundër korrupsionit dhe te konfliktit të interesave gjatë regjimit të tij të korruptuar deri në palcë. Beteja e vërtetë kundër këtyre fenomeneve gërryese për shoqërinë, ekonominë dhe shtetin shqiptar ka filluar realisht në vitin ’97-të, me përmbysjen e regjimit të Berishës nga vota plebishitare e shqiptarëve.

…Grupi i opozitës ka në përbërjen e vet që nga pronarë restorantesh e deri në tregtarë grosistë apo investitorë që njihen nga të gjithë. Edhe listat e kandidatëve për deputetë të opozitës aktuale që do të jetë edhe opozita e nesërme, kanë në përbërje njerëz të pasur dhe me biznese, të cilët së shpejti do i shihni në krah të zotit Berisha në fushatë apo në faturat e transparencës së financimit të fushatës zgjedhore.

Ne jemi pro përfshirjes në politikë dhe vendimmarrje qeverisëse të çdo sipërmarrësi që përvojën e vet të menaxhimit e vë në dispozicion të përmirësimit të menaxhimit të politikës dhe të shtetit, me kushtin që tashmë është bërë dhe normë ligjore, të mos shtojnë asnjë qindarkë të pasurisë së vet nëpërmjet ushtrimit të funksionit publik.

Neni 70, pika 3 e Kushtetutës parashikon, për më tepër, për deputetët se “nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”.

Për këtë arsye do të kishte tingëlluar të paktën si më e ndershme që në objektin e mocionit për debat të ishte kërkuar diskutimi jo vetëm i atyre të “njerkës” (domethënë ministrave, neni 103) për arsye që vetëkuptohen, por edhe i atyre të “nënës” (pra autorëve dhe bashkëkolegëve në këtë sallë, deputetëve, nenet 70 dhe 103), edhe pse në këtë rast përgjigja do të ishte e njëjta, sepse përgjigja ime nuk është pjesë e lojës politike, por është thjesht një përgjigje e qartë ligjore.

…Ju kujtoj se gjatë asaj interpelance në fjalën time të hollësishme unë ju solla në vëmendje se sa qesharake kanë qenë dhe mbeten akuzat tuaja, sipas së cilave unë paskam përvetësuar më shumë se 2 miliardë dollarë amerikanë.

Mbështetur në akuzat tuaja, që vazhdojnë të bëjnë rikoshet, gjatë periudhës që na ndan nga ajo ditë kjo shifër ka mbërritur në mbi tre miliardë, pasi vetëm nga taksat, brenda një viti, unë përvetësuakam, gjithnjë sipas Berishës, 1,4 miliardë të tjerë kësaj radhe.

Përfitoj të përsëris këtu se e vetmja pasuri e imja dhe e hipotekuar politikisht mbetesh ti, o Sali! Në respekt të publikut më lejoni të deklaroj se bashkëshortja ime ka një biznes të ligjshëm, të regjistruar dhe me veprimtari transparente, si askush tjetër dhe se ajo asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk ka përfituar nga ndonjë tender apo pare publike e buxhetit të shtetit.

Ju ftoj të bëni vetë publike emrat e deputetëve tuaj, deri edhe të zgjedhur në funksione apo forume shumë të larta që gjithë ditën ose merren me biznese dhe me trafiqe influencash ose sillen në paradhoma të ministrave “që ju i akuzoni për konflikt interesash” jo për hallet e elektoratit por për ndere personale joligjore për biznese dhe prona private të tyre apo të ortakëve të fshehtë biznesmenë.

*(Pjesë nga fjala e ish-kryeministrit Fatos Nano në seancën plenare në Kuvend në 5 prill 2005, kur opozita e z. Berisha kishte kërkuar mocion për debat ndaj shefit të qeverisë)