PASQYRA NUK GËNJEN

0
39

Kim Mehmeti

Shqiptarët e Maqedonisë sot “zbaviten” me një zënkë ndërpartiake mes BDI-së në pushtet, e cila i përmbahet parimit se, nëse kryetari të thotë se miu është luan, besoji kryetarit dhe jo syve, dhe PDSH-së në opozitë, që i mbeti besnike e epur bindjes se bariun nuk e bën të vlefshëm ajo që ka në kokë, por shkopi që ai mban në duar. Duke mos pasur zgjidhje tjetër përpos të dëgjojnë, si BDI-ja dhe PDSH-ja ia hanë kokën njëra-tjetrës -gjithmonë në stilin e partive mbarëshqiptare: ai që na akuzon është më i keq se ne- shqiptarët e Maqedonisë tani hamenden vallë t’i besojnë PDSH-së, e cila pohon se në radhët e parlamentarëve të BDI-së ka një ish-bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete policore të Jugosllavisë së dikurshme, apo BDI-së që thotë se nuk u duhet besuar atyre që merren me përçarjen e popullit.

Dhe duke u “zbavitur” me këto akuza të ndërsjella, shqiptarët e këtushëm nuk ia dalin ta zbërthejnë të vërtetën shqetësuese që shpalos kjo grindje ndërpartiake: të vërtetën se kur është në pyetje mbrojtja e atyre që janë në maje të piramidave partiake, kryesuesit e partive të këtushme bëhen luftëtarë të denjë për t’ua pasur lakmi; por kur bëhet fjalë për ta mbrojtur ndonjë shqiptar të rëndomtë, ai mund të kalbet në burg me vite, e pushtetarët shqiptarë të mos kenë kohë të merren me të, shkaku i angazhimeve të mëdha me punë shtetërore.

Apo, kur duhet, për shembull, ta emërojnë rektorin e tyre partiak, apo anëtarin e partisë së tyre në ndonjë këshillë ku merren paga të majme mujore, ata shkelin ligj e institucione; por kur bëhet fjalë për hallet e ndonjë qytetari të rëndomtë, ata të lodhin duke u thirrur në ligje e rregulla institucionale. Dhe, duke qenë të tillë, ata u ulën në prehrin e Gruevskit dhe atij ia sforcuan bindjen se vetëm shqiptari i kompromentuar është i dobishëm për shtetin dhe se nuk ka shqiptar që nuk shitet, por ka blerës që nuk dinë t’ia caktojnë çmimin e duhur.

Andaj, edhe kjo betejë mes PDSH-së e BDI-së, lidhur me pohimet se një nga deputetët e tanishëm të partisë së Ali Ahmetit ka qenë “kodosh” i dikurshëm policor, duhet shikuar nga prizmi i një defekti të madh që ka të bëjë me veprimin politik të partive të këtushme shqiptare: ato veprojnë si sekte të cilat qëllim parësor kanë mbrojtjen me çdo kusht të “sektashëve” të vet. Që do të thotë, populli dhe kolektiviteti në emër të së cilit thirren, atyre u shërben vetëm sa për të qenë më të fortë se ligji atëherë kur duhet ta mbrojnë vetveten nga ndëshkimi eventual, e çka i bën më të butë se qulli, kur duhen mbrojtur interesat e popullit të vet.

Kur jemi te pohimet e PDSH-së, se në radhët e deputeteve të BDI-së ka një bashkëpunëtor të dikurshëm të shërbimeve sekrete policore të ish-Jugosllavisë, partiakët e Ali Ahmetit u mbrojtën ashtu siç mbrohen nga të gjitha akuzat e tjera, përfshi edhe ato se pozita e tyre e vasalit në qeverinë e Gruevskit nuk është poshtëruese vetëm për partiakët e kësaj partie, por për gjithë shqiptarët e Maqedonisë. Pra, u mbrojt në stilin: A edhe ju gjetët të na akuzoni për spiunazh; a edhe ju gjetët të na tregoni se qenkemi vasalë? Që do të thotë, siç ka ndodhur gjithmonë deri më tani kur dikush ka drejtuar gishtin drejt BDI-së, në vend që të ofrojë argumente për të kundërtën e asaj që thotë denoncuesi, partia e Ali Ahmetit merret me (pa)ndershmërinë e akuzuesit, e që do të thotë se akuzat e kundërshtarit ajo i vlerëson sipas logjikës së prostitutave që mendojnë se janë më pak kurva nëse ato i akuzon shoqja e tyre që e shet vetveten në sokak.

Pra, BDI-ja edhe kësaj radhe nuk ishte e denjë të vlerësonte as dëmin që i është bërë nga këto pohime publike të partisë rivale, e le më të dilte publikisht e t’u thoshte kryesuesve të PDSH-së: O tregoni faktet për këto pohimet tuaja dhe ku i merrni ato dokumente sekrete, o do t’u padisim. Dhe, duke mos e bërë këtë, BDI-ja e shtoi besueshmërinë e këtyre pohimeve të PDSH-së, siç i shtoi edhe “ekspertizat” e kafeneve ku thuhet se partia e Ali Ahmetit do ua mbyllë gojën këtyre të PDSH-së, ngaqë ka në dorë dosje diskriminuese për krerët e kësaj partie. Me çka, shqiptarët sërish u bënë aktorë parësorë në filmin tragjik ku ata luajtën rolin kryesor për dekada me radhë, e që mbante titull “Shqiptari kundër shqiptarit”.

Me çka pra shqiptarëve të këtushëm nuk u lejohet as mundësia që të pranojnë publikisht atë që dihet: se lufta tragjike dydekadëshe kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” – e gjatë së cilës këtij populli ia asgjësuan disa gjenerata intelektualësh – nuk mund të ishte aq e suksesshme pa ndihmën e shqiptarëve të cilët, të shantazhuar apo vullnetshëm, i ndihmonin qarqet policore të ish-Jugosllavisë që sa më lehtë ta mbronin shtetin nga “rreziku shqiptar”. Apo që vepruan përafërsisht si sot ata që i shërbejnë si mbulesë politikës antishqiptare dhe në kundërshtim me integrimet euroatlantike të Gruevskit.

Sa i përket deputetit të BDI-së, për të cilin thuhet se ka qenë bashkëpunëtor i policisë së ish-Jugosllavisë, për të mediat e këtushme dhe PDSH-ja i thanë të gjitha. Pra, u tha se 13 faqet e dokumentit policor, të nënshkruara me dorën e tij e që mbajnë datën e qershorit të vitit 1982 – të vitit kur ish-Jugosllavia filloi luftën e përgjakur kundër “irredentizmin dhe nacionalizmin shqiptar” – dëshmojnë se bëhet fjalë për një gjimnazist të dikurshëm, që ka denoncuar për veprimtari “armiqësore” kushëririn e vet dhe shokët e tij të shkollës.

Pra, për të dyshuarin si spiunin të dikurshëm policor, e deputet të tanishëm të BDI-së, mediat dhe partia opozitare shqiptare, PDSH-ja, thanë aq shumë, sa mungonte vetëm publikimi i fotografisë së tij. Apo përshkrimi ishte aq i saktë, sa nuk kishte nevojë të përmendej emri dhe mbiemri i tij, e ndonjëri të binte ndesh me ligjin, i cili të ndëshkon nëse e bën publik identitetin e personit për të cilin komisioni për lustrim ka të dhëna se ka qenë bashkëpunëtor i dikurshëm i policisë.

Dhe, pas gjitha këtyre akuzave ndërpartiake mes PDSH-së dhe BDI-së, ka diçka që duhet thënë, ka diçka që mbetet e mbuluar nga pohimet e njërës parti, që ka për qëllim dëmtimin sa më të madh të rivalit politik dhe orvatjes së tjetrës parti, që ta kthejë grushtin e marrë politik: kjo zënkë partiak tregon se fytyra e vërtetë e këtyre dy partive është ajo që shihet në pasqyrën që nuk gënjen, në pasqyrën e pozitës mjerane të shqiptarëve të këtushëm, të këtij populli të këtushëm shqiptar, i cili posa del nga njëra gropë e bërë nga ndonjë projekt antishqiptar i Gruevskit, futet në tjetrën të gërryer nga qeveria aktuale.

Dhe, njësoj si në kohët për të cilat ka të bëjë kjo zënkë ndërpartiake, të gjitha këto gropa nëpër rrugët politike nga ecin shqiptarët e Maqedonisë drejt së ardhmes së tyre, Gruevski i gërryen me argatët e tij shqiptarë. Andaj, ndoshta do vijë dita kur gjeneratat e ardhshme, njësoj si këto të sotmet, do i numërojnë bashkëpunëtorët shqiptarë të qeverive të deritanishme maqedonase, e të cilët i ndihmuan sunduesit e dy dekadave të kaluara, që ta mbajnë këtë popull në pozitën e të nënshtruarit. Dhe kjo ndodh mbase pse shqiptarët e Maqedonisë ende nuk janë të gatshëm ta shikojmë të kaluarën e tyre në sy, e të mësojnë diçka nga ajo, ngaqë nuk u besojnë syve, por asaj që thonë të parët e partive dhe ngaqë nuk e vlerësojnë atë që “bariu” ka në kokë, por shkopin që ai mban në duar.