Pasojat sociale dhe politike të borxheve

0
44

Nga: ARBEN MALAJ, 19 Tetor 2010

Sfidat e ardhshme të ekonomisë shqiptare, aq më tepër pas një periudhe krize, rikthimi në ritmet e larta të rritjes ekonomike, stabiliteti…

…dhe qëndrueshmëria e financave publike, do të jenë jo të lehta. Çdo vonesë dhe çdo hezitim për reformat e domosdoshme, rrit jo pak kostot ekonomike, sociale dhe politike. Ka shumë diskutime të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të studiuesve për përmasat e ndërhyrjes në ekonomi, për kohën sesa duhet të zgjasë dhe për momentin kur duhet të fillojë tërheqja nga paketat ndërhyrëse në ekonomi.

Debati rreth strukturës së paketave, kostos dhe efikasitetit të ndërhyrjeve në ekonomi, duket se do të vazhdojnë gjatë. Ekspertët vlerësojnë se përmasat e ndërhyrjeve në ekonomi dhe përmasat e paketave kushtëzohen edhe nga niveli i deficitit dhe borxhit publik përpara krizës, si dhe nga kostoja e financimit te tyre. Një vend të veçantë dhe kritik ka zënë dhe diskutimi për cilësinë e të dhënave statistikore. Një analizë komplekse ndoshta ka vlerë edhe për realitetin ekonomik të vendit tonë.

Sa është borxhi ynë publik?
E arsyeshme do të ishte t’u besonin shifrave zyrtare të institucioneve përgjegjëse. Por edhe në vendet e tjera po diskutohet sesa më shumë do të rriten penalizimet për tejkalim të deficiteve dhe borxheve, ndoshta proporcionalisht do të rritet edhe risku i manipulimit të shifrave zyrtare të ekonomisë. Është e qartë se rritja jo reale e rritjes ekonomike ndihmon qeverinë të manipulojë, fshehë dhe falsifikojë nivelin real të deficitit dhe borxhit publik. Në ketë kontekst, pyetja se “Sa është borxhi publik i vendit tonë?” është korrekte jo vetëm profesionalisht. E para, gjatë gjithë tranzicionit rishikimi i rritjeve ekonomike të viteve të mëparshme ka qenë në ulje, automatikisht niveli i deficitit dhe borxhit do të jenë më të mëdha. E dyta, borxhit të vitit 2009 i fshihen miliarda lekë, të cilat janë mospagesa nga buxheti i kompanive private, që kryen investime elektorale. Kjo shifër tenton të jetë 6-10 miliard lekë.

Papërgjegjshmëria e mospagesave nuk është vetëm tek fshehja e deficitit, por edhe tek falimentimi i disa prej firmave private. Mospagesat rritën edhe kreditë e këqija në banka, ndërsa bankat vështirësuan dhënien e kredisë dhe rritën koston e saj. E treta, borxhi ynë publik i 2009-ës është më i madh, sepse qeveria bllokoi rimbursimin e TVSH, rriti abuzivitetin me taksat dhe tatimet, duke rritur realisht pjesën e fshehtë të deficitit. E katërta, qeveria vazhdon të mos respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ish- ushtarakët. Pagesat e prapambetura sa vijnë dhe do të rriten, sepse sa më shumë vonohet pagesa e pensioneve të ish-ushtarakëve, aq më shumë do të rendojnë buxhetet e ardhshme.

E pesta, qeveria vazhdon të mos kompensojë ish-pronarët, duke e mbartur këtë kosto për më vonë. Sa më pak qeveria bën kompensim për ish-pronarët në natyrë, aq më e madhe bëhet fatura financiare që do të paguajë buxheti, aq më shumë taksa do të paguajnë shqiptarët në të ardhmen. E gjashta, borxhi shqiptar publik është më i lartë, sepse po rriten detyrimet e prapambetura të ish të përndjekurve politikë, për të cilët qeveria miratoi një ligj pa faturë financiare dhe premtoi ta paguante brenda 8 vjetëve. Detyrimet proporcionale të papaguara ndaj tyre në vitin 2009 dhe 2010 janë borxhe të fshehura të qeverisë.

Sa na kushton borxhi publik? Sipas shifrave zyrtare të qeverisë dhe FMN, borxhi publik në vitin 2013 do të jetë 2.2 herë më i madh se borxhi publik i vitit 2005. Sipas përllogaritjeve të FMN-së, nga 4.7 miliard dollarë në vitin 2005, ai rrezikon që në vitin 2013 të arrijë në 10 miliard dollarë. Vetëm gjatë kësaj periudhe borxhi publik do të rritet me 5.5 mild. $. Nëse në vitin 2005 borxhi publik i Shqipërisë ishte rreth 1 462 dollarë për frymë, në vitin 2009 ishte 2 150 dollarë. Pritet që në vitin 2013 me këto ritme do të shkojë rreth 3 165 dollarë për frymë.

Nëse në vitin 2005 interesat e borxhit ishin vetëm 265 milion dollarë, në vitin 2009 ato janë 363 milion dollarë dhe në vitin 2013 rrezikojnë të mbërrijnë në 578 milion dollarë, me një rritje prej 218%. Shqiptarët vetëm për periudhën 2005-2013 do të paguajnë një borxh në rritje prej rreth 5.5 miliard dollarë dhe një kosto borxhi të rritur me 313 milion dollarë. Rrezikohemi që jo vonë totali i interesave të borxhit të jetë i barabartë me totalin e investimeve publike të vendit, kjo është shumë shqetësuese për stabilitetin e financave publike. Shqetësimi është jo vetëm për nivelin e borxhit, por sidomos për koston e tij. Ka vende që për shkak të produktivitetit dhe efikasitetit të ekonomive të tyre, e financojnë borxhin me kosto gati zero.

Japonia ka një borxh që shkon deri edhe 300% e GDP. SHBA ka borxh në rritje, por e financojnë ekonominë e tyre me kosto të ulët, gati zero. Kostoja e borxhit të Greqisë ishte shumë më rendë se mesatarja e eurozonës, ndaj alarmoi gjithë institucionet për riskun e falimentimit të këtij vendi. Në tregjet ndërkombëtare ka likuiditete. Ndërsa klasifikimi që iu bë ekonomisë shqiptare për të marrë hua nga këto tregje, ishte shumë i ulët, çka do të thotë se kostoja e borxhit do të jetë e lartë. Ekonomia ka nevojë për financime të huaja, por jo për borxhe me interesa në euro 12-15% si në vitin 2008, kosto e rendë që ekonomia jonë po e paguan me rritjen e interesave të borxhit, duke filluar që nga viti 2009.

Borxhi publik dhe investimet publike. Analiza e tretë është efikasiteti dhe cilësia e investimeve publike. KLSH provon se në vitin 2009 qeveria ka keqpërdorur politikisht investimet publike, duke keqpërdorur politikisht borxhin e marrë. Shqiptarët do të paguajnë borxhe më të mëdha dhe më të rënda, sepse për interesa populiste dhe korruptive, cenohet rëndë përgjegjësia për përzgjedhjen e investimeve publike. Ndoshta viti 2009 ishte dhe viti i fundit, ku një pjesë e vështirësive të financimit në ekonomi u zbutën nga përdorimi i të ardhurave, nga privatizimi në rreth 270 milion dollarë.

Kjo mundësi sa vjen dhe tkurrret, ndërsa papërgjegjshmëria për të marrë borxh me çdo interes mjafton që të krijohet ideja e investimeve pa fund, sa vjen dhe do të rritet. Investimet publike janë të copëzuara, kostot e tyre kanë brenda një “fee/komision” të lartë të korrupsionit të përzgjedhjes së fituesve. Disa projekte të rëndësishme në ekonomi zvarriten pa fund. Inaugurohen me shumë pompozitet edhe investime të vogla, thjesht që çdo ditë të ketë një lajm në media. Ka shumë shembuj të spontanitetit, zvarritjeve dhe mungesës së efikasiteti të investimeve publike, po qartësoj dy pre tyre. Rruga Levan-Vlorë u inaugurua në prag të zgjedhjeve vendore 2007.

Ajo është jo më shumë se 30 km. Ka katër vjet dhe nuk po mbaron. Sikur të punohej 250 ditë çdo vit, do të punohej 1 000 ditë punë për 30 km, do të mjaftonin 30 metra rrugë në ditë. Zvarritja ndodh jo se nuk ka kompani shumë kredibël për rrugët, bile edhe kompani shqiptare shumë të mira, jo se nuk ka teknologji moderne për ndërtimin e infrastrukturës, por sepse ka spontanitet dhe korrupsion në rritje me investimet publike. Po kështu rruga Fier-Tepelenë, e cila është jo më shumë së 70 km, ka afërsisht të njëjtin fat. U vonua për ta filluar, u çoroditën donatorët me spontanitetin dhe fantazinë qeveritare për të ndryshuar projektin e miratuar dhe gati për ta financuar.

Marrëveshjet e financimit janë nënshkruar përpara zgjedhjeve 2005. Implementimi po ecën shumë ngadalë, duke e zvarritur pa fund ketë investim të rëndësishëm për qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve. Ka vite që zvarritet ‘bypassi’ i Fierit, i cili nëse vonohet akoma, do te bëjë të paefektshme investimet në aksin jugor të vendit, duke rritur vonesat dhe bllokimet e tejzgjatura. Po zvarritet pa fund mbështetja për bypass-in e Vlorës, qytetit me potenciale turistike të jashtëzakonshme, por më infrastrukturë rrugore nacionale, jashtëzakonisht të mbingarkuar.

Borxhet e larta sot, nesër do të imponojnë shkurtime drastike

Kur diskutohet dhe debatohet për deficitin, borxhin dhe koston e tyre në rritje, nuk debatohet thjesht për nivelet numerike, nuk diskutohet për presjet dhjetore, por për papërgjegjshmërinë në rritje për sfidat ekonomike, sociale dhe politike të vendit. Rritja e tyre dëmton rëndë rritjen ekonomike të vendit. Ajo që ndodhi në fillim të vitit 2010 për shkak të dështimeve në vitin 2009, detyrimi për të bllokuar menjëherë buxhetin e miratuar të vitit 2010, shkurtimi drastik i shpenzimeve në arsim dhe shëndetësi, janë shembujt konkretë se kush i paguan papërgjegjshmëritë në menaxhimin e financave publike.

Sa më shumë rritet borxhi i vendit, deri në vitin 2013 mund të jetë 68-70% e PBB-së, sa më shumë rritet kostoja e këtij borxhi, deri në vitin 2013 mund rritet 70% në raport me vitin 2005, aq më rëndë dëmtohet cilësia e rritjes ekonomike në të ardhmen. Nëse nuk ndalet përkeqësimi i financave publike, shumë shpejt shkurtimet do të bëhen më të mëdha, arsimi, shëndetësia dhe grupet sociale si të papunët, të pa aftët, të varfrit, do të goditen më rëndë. Mundësia më e mirë për të ulur këtë risk është të çohen ritmet e rritjes ekonomike. Reformat themelore për të çliruar rritjen ekonomike të vendit nuk kërkojnë kosto buxhetore, ato kërkojnë përgjegjshmëri dhe vullnet politik.

Janë reforma që kërkojnë të rritet liria e pronës, të luftohet korrupsioni, të luftohet kapja e shtetit, të nxitet biznesi i vogël dhe i mesëm, të rritet kursimi në ekonomi, që të ulet kostoja e financimit të saj. Papërgjegjshmëria politike e deficiteve të rritura publike dhe buxhetore rrezikon të kthehet në një kosto të rëndë sociale për të gjithë shqiptarët. Pasoja të rënda afatmesme dhe afatgjata të borxheve të mëdha dhe me kosto të shtrenjtë mund të jenë: pabarazi sociale në rritje, kohezioni social i vendit mund të përkeqësohet dhe stabiliteti politik i vendit bëhet më i vështirë. Këto janë mësimet konkretë, të cilat vijnë nga vendet e tjera që po kalojnë krizën e borxheve të rënda.