Pasojat e mundshme të një vizite

0
27

Dorian Koçi, 14.09.2011

Pardje Shqipëria u vizitua nga ministrat e punëve të jashtme të Italisë dhe Greqisë. Në axhendën e dy ministrave të jashtëm ishte inicimi dhe mbështetja e dialogut politik në Shqipëri me qëllim që Shqipëria të arrijë përmbushjen e 12 pikave të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Kjo vizitë, ishte vizita e parë e këtij rangu të lartë, qysh nga vitet e turbullta 1997-2002, që ka mbledhur sëbashku ministrat e jashtëm të dy vendeve me të cilat Shqipëria ka marrëdhëniet më të ngushta nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Vizita u zhvillua në një kohë kritike për Shqipërinë, në prag të publikimit të progres raportit mbi bazën e të cilit Komisioni jep rekomandimet për statusin e ardhshëm të Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

Ndaj parë në këtë pikëpamje është për tu gëzuar fakti se fqinjët dhe partnerët tanë shikojnë ende dritë në fund të tunelit që ky raport të jetë pozitiv, gjithmonë duke pasur parasysh faktin se pas vizitës së tyre në Shqipëri fillon dialogu i shëndetshëm politik dhe funksionimi i demokracisë. Edhe pse në pamje të parë mund të duket se ka një ekzagjerim të asaj se ç’mund të arrijnë diplomacitë e vendeve fqinj në raport me politikën shqiptare, gjithsesi përpjekja e tyre vlen për tu përgëzuar pasi vjen në një kohë ku Shqipërisë i nevojitet më shumë se asnjëherë miqësia dhe përkrahja ndërkombëtare.

Të dyja vendet në periudha të ndryshme e kanë shpallur veten “avokatët” e Shqipërisë në Bruksel, çka krijuar marrëdhënie të ngushta politike midis Shqipërisë dhe tyre në këta 20 vjet tranzicion.

Mirëpo duhet theksuar fakti se këto marrëdhënie të afërta nga interesat ekonomike dhe gjeostrategjike, shpesh here janë imponuar dhe nga krizat politike në Shqipëri. Duke qenë të dy vendet që kanë pritur dhe numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë, Greqia dhe Italia janë munduar që herët të krijojnë kushte të favorshme politike dhe ekonomike në Shqipëri në mënyrë që të kishte sa më pak vale emigracioni drejt tyre. Edhe pse politikat e tyre nuk mund të quhen të suksesshme pasi nuk kanë arritur të krijojnë habitatin e duhur politik evropian rreth Shqipërisë, gjithsesi në vite krize ndërhyrja e tyre ka qenë vendimtare për të shmangur rreziqe më të mëdha.

Për këtë gjë qeveritë e të dyjave vendeve duhen falënderuar duke mos aplikuar cilësinë negative të mosmirënjohjes që gjendet shumë herë në radhët e shtypit dhe opinionit publik shqiptar. Është e vërtetë që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe dy vendeve nuk kanë qenë gjithmonë ngjyrë rozë dhe midis tyre ka pasur dhe incidente të dhimbshme si ngjarja në Peshkëpi apo mbytja e anijes me refugjatë shqiptarë në Adriatik më 1997, por e vërteta është se në të dyja vendet forcat progresiste dhe evropiane kanë mbizotëruar në politikat e tyre ndaj Shqipërisë duke u përpjekur të krijojnë marrëdhënie të mira.

Paragjykimet ndaj politikave të tyre të ndjekur ndaj Shqipërisë vijnë sepse në të kaluarën ka pasur një rivalitet greko-italian për volumin e tregtisë, dominim ekonomik dhe politik mbi Shqipërinë i cili na ka bezdisur fort neve si qytetarë, por nga ana tjetër i ka dhënë mundësinë diplomacisë shqiptare që të mund të përfitojë nga kjo lojë interesash. Sot, shikojmë se ky rivalitet është zbehur, pasi pesha specifike e Greqisë ka rënë në rajon për shkak të krizës ekonomike që e ka kapluar por dhe evoluimit të politikës së biznesit italian që është bërë më aktiv në Shqipëri se në dhjetëvjeçarin e kaluar. Parë në këtë kontekst, duke qenë se diplomacia jonë e ka humbur privilegjin e përfitimit ndaj rivalitetit të dy fuqive rajonale, duhet të jetë e kujdesshme për të kontrolluar mirë hapat që hedh në marrëdhënie me këto dy fqinj.

Kjo gjë në fakt vlen më tepër për marrëdhëniet me Greqinë, politika e së cilës vuan dhe ka brenda saj simptoma të nacionalizmit të shekullit të kaluar. Para disa ditësh nga Prishtina, ministri i jashtëm grek Lambridis, i bëri thirrje Tiranës zyrtare që të miratonte marrëveshjen detare që Gjykata Kushtetuese në Shqipëri e hodhi poshtë si të pavlefshme me një rezultat spektakolar, 9 vota pro dhe asnjë kundër. E deklaruar në Prishtinë kjo deklaratë mori në fakt ngjyrat e një pazari ballkanik. Nënteksti i saj dukej sikur ishte që ne “do të mund të njohim Kosovën”,gjë që demonstrohej nga vizita e ministrit të jashtëm në Prishtinë, por “ju duhet të na bëni lëshime në çështjen e kufirit detar”.

Po kështu i një interesi të jashtëzakonshëm është dhe regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, jo vetëm për faktin se në Shqipëri ekziston një minoritet etnik grek i njohur nga të gjitha konventat ndërkombëtare por sepse si është parë kohët e fundit nga deklaratat e ish-konsullit grek në Korçë tentohet zgjerimi i hartës së këtij minoriteti. Përmendja e Kritereve të Kopenhagës, dhe në veçanti e atyre që lidhen me minoritetet në konferencën e shtypit të ministrit Lambridis është një dëshmi e tërthortë e atyre se çka u bisedua me dyer të mbyllura në ministrinë e punëve të jashtme.

Sigurisht këtu nuk është fjala për të drejtat e minoriteteve të njohura nga të dyja palët dhe që çdo shtet ndjen detyrimin për ti përmirësuar vazhdimisht, por për të “drejtat” e popullsive të ashtuquajtura minoritare që mund të shtohen në territorin e Shqipërisë pas regjistrimit që do të zhvillohet në tetor. Pala shqiptare duhet të jetë dinjitoze në bashkëbisedimet e saj me palën greke duke demonstruar se është larguar nga dilentatizmi politik që e konsideron një lëshim të mundshëm sot-çështja e kufijve detarë dhe regjistrimit të popullsisë, për një të mirë të mundshme mot-votën jobllokuese të Greqisë drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Fuqizimi dhe funksionaliteti i demokracisë shqiptare është shërbimi më i mirë që mund ti bëjë politika shqiptare qytetarëve të vet, për të bërë të mundur që vizitat e ardhshme të jenë vizita të qarta partneriteti dhe jo të tipit këshillues dhe negociues. Shqipëria e shekullit të XXI i ka të gjitha mundësitë që për të parën herë në jetën e saj politike si pjesëtare e një aleance të fuqishme si NATO, të bëj hapin e madh për tu anëtarësuar dhe në Bashkimin Evropian. Në këtë aspekt na pëlqen apo s’na pëlqen, politika jonë ka se ç’mësoje nga politika italiane dhe greke që në këto kohëra krizërash ekonomike i kanë zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre me konsensus duke bërë më të mirën e mundshme për vendin dhe për qytetarët e vet.

Opinioni publik dhe shoqëria civile duhet ti bëjë vazhdimisht presion politikës shqiptare që ajo të ngrihet në nivelin e politikave fqinje në mënyrë të tillë që të përftojë sjelljen evropiane në politikë dhe anomalitë e saj të mos kërkojë ti zgjidhë duke hyrë në spirale të pafundme negocimi nga fqinjët, pasi pastaj do të jetë shumë më vështirë që ti rezistojë trysnive të tyre për të mbyllur çështje që ende vazhdojnë të jenë të hapura me ta.