Pasojat e formulës së gabuar

1
33

Preç Zogaj, 26.09.2010

Ish-ministri i Ekonomisë, zoti Dritan Prifti, bënte thirrje dje të qeshim me Ilir Metën. Nga krahu tjetër, duke e paraqitur Priftin si kloun, Meta propozonte të njëjtën gjë për zëvendësin e tij në parti. Në fakt, të gjithë po qeshin me batutat, epitetet dhe akuzat që po shkëmbejnë ata me njëri-tjetrin. Kjo është një e qeshur e hidhur, nga ato që fqinjërojnë me përçmimin për politikën si zanat dhe me të qarët, si shprehje e dëshpërimit të zënë në kurth. Njerëzit po qeshin, sepse nuk qajnë dot. Sherri Meta-Prifti nuk është një përjashtim, një rast i veçantë, që fillon dhe mbaron me ata të dy.

Sherri i tyre u tregon edhe njëherë qytetarëve se politika shqiptare nuk ka skrupuj, por vetëm interes. Me çiltërsinë dhe padurimin e tyre të veçantë, që u është imponuar nga lufta e egër për copën më të madhe, këta zyrtarë të lartë të shumicës qeverisëse përcjellin mesazhin se këtu në politikë, në qeveri, kështu është: secili për vete, si në xhungël! Po e theksoj: Më mirë që shprehen. Është gjithsesi diçka më e ndershme se fshehja prapa gishtit. Unë dhe shumë e shumë të tjerë si unë jemi për transparencën, edhe kur ajo vjen si çjerrje maskash. Ne të gjithë vajtojmë nivelin ku ka rënë politika, që duhej të ishte edukatorja e madhe e qytetarëve.

Me arsye dhe intuitë, të gjithë e kuptojnë se kjo që po ndodh në qeverinë dhe qeverisjen Berisha-Meta nuk është thjesht shpërthim i dy-tre personave të llastuar me pushtet, por ka i rrënjët me thellë. Kjo që po ndodh është pasojë e drejtpërdrejtë dhe e paevitueshme e formulës së sforcuar mbi të cilën u ngrit pushteti i dalë nga zgjedhjet e qershorit 2009. Me bindjen se mbrojtja e ligjësive dhe principeve bazë të demokracisë është misioni kryesor i intelektualëve në politikë, autori i këtyre radhëve është munduar të paralajmërojë me kohë se vendi do t’ia ndjejë krismën marrëveshjes Berisha-Meta për të krijuar një shumicë që nuk kishte dalë nga kutitë e votimit, por nga interesat vetjake të një grupi me tipare kaste.

Kjo ishte në kundërshtim me një ligjësi elementare në demokraci , që thotë se legjitimiteti mbështetet në votë, në natyrën e votës së hedhur, në respektimin e vullnetit të zgjedhësve. Dihet se qytetarët kanë një zgjedhje themelore për të bërë kur shkojnë në votime. Ose zgjedhin vazhdimësinë, që do të thotë votë për qeverinë në fuqi, ose ndryshimin, që do të thotë votë për një qeveri të opozitës. Të tjerat janë nuanca që humbin në zgjedhjen e madhe. Cila ishte zgjedhja, cili ishte vullneti i zgjedhësve shqiptarë në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar?

Duke marrë parasysh rezultatin e shpallur, në bazë të leximit klasik që i bëhet votës, verdikti ishte një barazim i rrallë: shtatëdhjetë deputetë qeveria dhe shtatëdhjetë deputete opozita. Pra gjysma e shqiptarëve votuan për të mbajtur qeverinë që kishin dhe gjysma votuan për të sjellë një qeveri të re. Leximet e tjera, që kanë për qëllim të justifikojnë përfshirjen e LSI-së në qeveri nuk mund të përmbysin kurrë leximin bazë. LSI kishte vërtetë disa divergjenca brenda spektrit me PS-në. Këto divergjenca tregonin se e majta shqiptare ishte më plurale, siç do të kishte qenë më plurale e djathta parlamentare po të kishin hyrë në Kuvend LZHK dhe Partia Ligj dhe Drejtësi. Por, vetë LSI u votua për ta larguar dhe jo për ta mbajtur qeverinë.

Protagonisti i krijimit të koalicionit të pavotuar PD-LSI nuk ishte ai që pranoi ftesën, por ai ishte ai që e bëri ftesën: Berisha. Meta u josh. Disa njerëz në këtë vend prisnin që ai me tre deputetët e tjerë të partisë së tij të bëheshin flamurtarët e misionit për rivendosjen e zgjedhjeve të lira. Por ata nuk u rezistuan benefiteve të një pushteti që do të varej prej tyre. Siç e kam nënvizuar më parë, Berisha nuk duhej të ishte tunduar për të mbajtur pushtetin me votat e një fraksioni të vogël të së majtës. Berisha nuk duhej ta thërriste LSI-në. Ai bëri çmos të fitonte me bilanc, duke injoruar demokracinë e brendshme në parti.

Por kur pa se sprova e tij e pashembullt u ndal në kufirin e fitores, ai kishte detyrimin politik, atdhetar dhe qytetar të lexonte barazimin dhe të vepronte në përputhje me barazimin. Leximi ishte një qeveri kombëtare me një mandat të përcaktuar dhe me detyra të përcaktuara. Në këtë skenar, vendet në qeveri do të ndaheshin sipas mandateve të secilit koalicion, ndërsa PD kishte të drejtë të mbante kryeministrin sepse koalicioni i saj ishte në vend të parë.

Berisha ishte i mbuluar nga verdikti i popullit në këtë lexim. Ishte i mbuluar nga ligjësitë. Të gjitha të tjerat janë përralla dhe demagogji. Pas kësaj, duke parë dështimin e eksperimentit të vet për të fituar pa demokraci, Berisha do të duhej të reflektonte për të shkuar në zgjedhjet e parakohshme me një parti demokratike sërish të hapur, ku dinjiteti i personit respektohet dhe oponentët kanë vendin e tyre.

Por Berisha pa interesin e vet të çastit, pa afër, duke injoruar verbërisht pasojat e një formule thellësisht të gabuar. E keqja këtu nuk është thjesht se tradhtohen disa zgjedhës. E keqja është se deputetët tradhtojnë mandatin, tradhtojnë vetveten, përfshihen me këtë virus të rëndë politik në qeverisje dhe kjo është njëlloj si të licencoheshin për të bërë sipas qejfit.

Pasojat e formulës në fjalë do të ishin zbutur disi nëse Berisha do të pranonte ndërkohë kërkesën e opozitës për të vërtetuar legjitimitetin e qeverisë nëpërmjet hetimit parlamentare të zgjedhjeve. Por ai nuk e bëri as këtë. Praktikisht, kjo formulë e prishi LSI-në. Kjo formulë ka dëmtuar rëndë vetë PD-në. Berisha i ka dhënë LSI- së rreth njëzet për qind të pushtetit, kur si parti ajo ka rreth pesë për qind të votave. Ky është një pushtet që u mungon demokratëve. Berisha e ka lënë veten dhe qeverinë e tij në vartësi të trilleve, kapriçove dhe egoizmit të atyre që i shërbejnë si paterica.

Që as respektojnë, as kanë frikë. Berisha e ka futur pushtetin në lojën e cic-miceve dhe kalkulimeve të vogla- edhe një deputet këtu, edhe dy të tjerë atje- duke e ekspozuar keq ndaj zhvatjeve dhe abuzimeve. Akoma me keq, duke llogaritur të mbahet me forma të tilla aspak të denja, ai lë të kuptojë se nuk ka ndërmend të korrigjojë sjelljen në parti, gjë që paralajmëron humbjen e sigurt të PD-së. Kur nuk fitoi dot në 2009 me një bilanc të paparë arritjesh, si mund të fitojë pa demokraci të brendshme tani që kriza gërryen çdo ditë jetën e shqiptarëve?

Formula e koalicionit të pavotuar ka pasur e pritet të ketë efekte negative edhe në radhët e opozitës. Kalbëzimi i qeverisjes si shprehje e hakmarrjes së ligjësive të shkelura, bën që pushteti të bjerë me lehtësi në duart e opozitës. Pra, pushteti nuk fitohet me programe dhe ekipe, por të mbetet në dorë nga degradimi i qeverisë. Siç ka treguar përvoja shqiptare, kjo është një rrethanë fatkeqe që ushqen arbitraritetin e fitimtarëve.

Shkurt fjala: Formula e koalicionit të pavotuar është e dëmshme për të gjithë. Boll e pakuptimtë ka qenë kur nisi. Tani që po i tregon bathët është bërë akoma më e pakuptimtë. Një kthim në leximin e verdiktin e zgjedhësve, edhe pse i vonuar, është gjithnjë më i dobishëm për vendin se thellimi i kalbëzimit.

1 COMMENT

  1. Deshiron Opozita qe te rrezojë Qeverine e Kompromisit PD-LSI?
    Le t’i drejtohet elektoratit, qe ka votuar per deputetet e LSI: Jane ata dakord me kompromisin e bere nga ana e LSI?
    Le te investojne ca para dhe te bejne nje Referendum apo nje Peticion sipas Kushtetutes ne fuqi.
    Sovraniteti i takon popullit. Neni 2, pika 1 dhe pika 2.
    Jepjani te drejten popullit qe te ushtrojë Sovranitetin e tij, nese populli eshte dakord me perfaqsuesit e tij, lereni qeverine te qeverise.

Comments are closed.