
Mentor Kikia
Një ftesë për prokurorinë
Mbrëmë, “Top Channel” solli një nga shembujt më flagrantë të konfliktit të interesit, të abuzimit me pushtetin, të shkeljes së ligjit dhe karshillëkut të paprecedentë ndaj organeve shtetërore. Një duzinë kryetarësh në komunat e Ersekës dhe Librazhdit, komuna që zotërojnë pronësinë mbi sipërfaqet më të mëdha pyjore të vendit, janë pikërisht njerëzit që zotëronin licencat për shfrytëzimin e pyjeve, pikërisht në territorin e që administron komuna që ata drejtojnë. Licencat e tyre parashikojnë që objekt i aktivitetit të jetë shfrytëzimi, mbjellja e përkujdesi ndaj sipërfaqeve pyjore etj. Por që në fakt, ata bëjnë vetëm një gjë, shfrytëzojnë dhe shkatërrojnë. Investigimi që solli gazetari Marin Mema, përmes reportazhit të tij, tregonte qartë se si këta njerëz që zotërojnë pushtetin, janë shndërruar në pronarë të fshatrave që duhet të qeverisin.
Kryetarë komunash, deputetë, ish-deputetë, drejtues lokalë të partive, të majta e të djathta, janë pronarë të stacioneve të shfrytëzimit të pyjeve. Nuk po trajtojmë këtu faktin, nëse ata e shfrytëzojnë apo jo pyllin brenda kritereve shkencore që t’i lejojnë atij ripërtëritjen natyrore, pasi ky do të ishte një luks i madh. Faktet që hidhen në tavolinë janë shumë më të rënda se dëmtimi i mjedisit dhe pasurisë natyrore. Është përdhosja e ligjit, nëpërkëmbja e shtetit, përçudnimi i drejtësisë nga një kastë burokratësh politikë, të cilët tashmë ndihen pronarë të lumit, malit, fushës, minierës dhe pyllit. Ndërsa fshatarët dhe njerëzit që jetojnë në këto territore, janë ca skllevër mjeranë që vihen përpara si bagëtitë, duke i joshur me nga një thes miell, për të votuar dhe ligjëruar çdo 4 vjet sundimin e kësaj kaste me rrënjë në male e gjethe në kryeqytet.
Politika në Tiranë është përfshirë prej muajsh nga një spirale akuzash të rënda, ku në qendër është konflikti i interesit. Madje, mazhoranca, votoi në Parlament edhe për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja, pasi me kompaninë që zotëron ai kishte fituar dy tendera në Bashkinë e Durrësit, duke qenë edhe deputet.
Por faktet e publikuara mbrëmë në “Top Channel”, janë shumë më të rënda sesa tenderi i Ilir Beqjes. Kryetarët e komunave fitojnë tendera dhe shfrytëzojnë pyjet që i kanë vetë nën zotërim. As më pak e as më shumë, është sikur tenderin për rindërtimin e sheshit “Skënderbej” ta fitonte firma e vetë Edi Ramës, tenderin për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës ta fitonte firma e vetë Lulzim Bashës. Padyshim që do të thoni se, edhe pas atyre që i kanë fituar këto tendera, fshihen të afërm të këtyre zyrtarëve, por pronarët e rinj të pyjeve as nuk kanë denjuar që pas firmave që kanë regjistruar në QKR, të shënojnë emrat e të afërmve, duke sfiduar kështu hapur ligjet e shtetit.
Nëse do të ishte vetëm shfrytëzimi i pyjeve në Ersekë e Librazhd, ky alarm do të ishte jo shumë i justifikuar, por skandalet me pasuritë natyrore kanë tashmë përmasa tragjike në tërë vendin. Në male ku ka miniera, në male ku ka ende pyje, në lumenj ku ende shfrytëzohen inertet, në bregdet ku nuk ka më toka për të shitur, në periferitë e qyteteve ku fshatrat janë shitur me gjithë fshatarë e kasolle, janë pikërisht ky soj drejtuesish vendorë.
Shkoni në fshatrat periferikë të Tiranës si Sauk, Petrelë, Farkë, Mullet, Dajt etj., dhe do të mësoni se si kodra, lugina përrenjsh e pllaja të mbuluara më shkurre, gërxhe, pyje pishe e çfarëdo, u futën në dokumente pronësie prej këtyre soj kryetarësh komunash dhe iu shitën apo dhuruan pashallarëve të rinj të Shqipërisë. Pyesni se kush i ka blerë këto kodra e pllaja e do të mësoni emrat e gjysmës së zyrtarëve demokratë e socialistë dhe gjysmës së biznesmenëve të tipit Man Kukaleshi.
Një pushtet që ka pjellë, vazhdon të pjellë e do të pjellë korrupsion, nga kreu deri te kryeplaku i fshatit. Në mënyrë sistematike ky mekanizëm prodhoi një kastë që e bleu dhe vazhdon ta mbajë gjallë pushtetin me paratë që nxjerr nga shpërdorimi deri në ekstrem i pushtetit. Janë këto pushtetarë që fabrikojnë akte pronësie dhe qerasin më to padronët e politikës në Tiranë. Janë këta që, me bizneset e tyre abuzive, kanë blerë e vazhdojnë të blejnë kandidaturat e radhës dhe padyshim edhe fitoren e radhës.
Mjafton të njihni disa syresh banorë, që u qëndrojnë kryekomunarëve si ogiçër dhe do të mësoni se të gjithë kanë paguar nga 50-100 mijë euro pranë krerëve të partive të tyre për t’u kandiduar. Dhe janë po këta që do të rikandidojnë sërish, duke paguar taksën te kryetari i partisë. Nuk është thashethem fshati, por një realitet që ka bastërduar e po çon drejt shkatërrimit rendin demokratik, garën e barabartë dhe votën e lirë. Të presim zgjedhjet vendore dhe do të shikojmë se sa nga kryetarët aktualë të komunave do të rikandidojnë, ose më saktë sa nuk do të rikandidojnë. Duhet të dimë se më shumë se gjysma prej tyre kanë në krye të komunave qëkurse u larguan nga zyrat e fshatit kryetarët e kooperativave që emëroheshin nga partia.
Kjo martesa e frikshme politikë-biznes, është në fakt binomi më i vështirë për t’u deshifruar nga drejtësia. Por tashmë prokuroria ka në dorë një fakt. Ka në dorë regjistrin e QKR, ku kryetarët e disa komunave kanë regjistruar biznese që ushqehen me pasuri që janë pronë e komunës që ata drejtojnë. Nuk dimë të ketë konflikt interesi më flagrant, ndaj dhe prokuroria duhet të tregojë së paku një herë kurajë. Një pushtetar që vetë kontrollon pronësinë mbi pyllin, vetë kontrollon pronësinë mbi firmën, vetë shpall tenderin, vetë e fiton dhe vetë e firmos! Nëse ky nuk quhet konflikt interesi, atëherë prokurorinë ta shpallim OJQ dhe të heqim nga televizionet atë reklamën që tregon kufizimet e qëndrimit në BE pas liberalizimit të vizave. Një ditë ndoshta do të mësojmë se na kanë pronësuar edhe neve, njerëzit e thjeshtë.







