Pasardhësi i Moisiut

0
39

Skënder Minxhozi

Ambasadori holandez në Tiranë (ky vend mund të quhet pa frikë një rezervat ambasadorësh), ka hedhur një ide që rrotullohet prej kohësh në kokat e shumë njerëzve. Teksa shohim dozën ditore të qesëndive e sulmeve shpesh pa kripë që Sali Berisha rezervon për Bamir Topin, nuk mund të mos e hedhim vështrimin mbi identikitin e atij që do të bujtësi i ardhshëm i Presidencës.

Që nuk do të jetë zoti Topi, ky duket elementi i vetëm i qartë i kësaj meseleje. Po kush do të jetë se? ! Topalli, vetë Berisha, ndonjë delfin i tyre, apo ndonjë emër deri më tash larg syve të opinionit publik? ! Mesa duket kjo ka qenë në thelb oferta e ambasadorit holandez Van Den Dol. Pra, që kreu i shtetit së pari të zgjidhet me konsensus dhe së dyti, që të mos jetë një zgjedhje politike, e që të ketë një mbështetetje sa më të madhe me vota në Kuvend.
Kjo formulë të kujton sot, hiç më pas sesa precedentin e vitit 2002. Një precedent që faktikisht s’ka edhe aq lidhje me vetë formatin dhe identitetin e presidentit, sesa me një krizë politike që po konsumohej asokohe në Shqipëri, e që kishte lidhje me zgjedhjet e vitit 2001.

Siç dihet, fjala është për votimet që u vendosën nga truku i famshëm i Dushkut, me 12 deputetët e së majtës që dolën thuajse nga hiçi. Parlamenti i dalë nga ato zgjedhje, më saktë shumica e atij parlamenti, i kishte numrat për ta zgjedhur vetë presidentin. Porse paralajmërimi i ndërkombëtarëve që vëzhguan zgjedhjet, ishte shumë i qartë: keni numrat për të qeverisur, jo për të zgjedhur kreun e shtetit. Kjo rrethanë solli në skenë Alfred Moisiun, një ushtarak nga një familje e njohur e me traditë, i cili ndoshta ka qenë presidenti më i suksesshëm i këtyre njëzet vjetëve.

U arrit pra tek ideja e presidentit konsensual (në ato kohë kjo fjalë përdorej vend e pa vend), për shkak të një situate politike që u konsiderua anormale, pas një rezulati zgjedhor defektoz. Sot, kjo ide duket se po del sërish në plan të parë. Të huajt po shohin se votimet në Shqipëri vazhdojnë të prodhojnë kriza e jo zgjidhje, ata e ndjejnë gjithashtu shkallën e lartë të antagonizmit politik që i ndan aktualisht palët në vend. Mesa duket, në këto kushte, një president i dalë prej një kompromisi, do të ishte një formulë paqëtuese dhe që do t’i jepte institucionit të presidentit baraslargësi dhe besim nga të dyja partitë e mëdha.

Por që të arrihet tek kjo skemë, duhen plotësuar dy kushte. Që të dyja të vështira, kur përballë ke zotin Berisha. Së pari, duhet që ai të heqë dorë nga planet që ka për kreun e ardhshëm të shtetit. Pra, të lerë mënjanë qoftë ambiciet personale, apo edhe dëshirën për të zgjedhur një njeri të tijin në atë post. Së dyti, jo më pak e rëndësishme, maxhoranca duhet bindur që të pranojë një zgjidhje, e cila në një mënyrë a një tjetër, zyrtarizon idenë se dy zgjedhjet e fundit ishin jo të mira dhe se parlamenti e pushteti lokal i dalë prej tyre, e delegjitimon të djathtën nga mundësia për ta zgjedhur ajo kreun e shtetit.

Rebusi presidencial sapo ka nisur. Brenda tij ndërthuren shumë përllogaritje, interesa dhe plane të ardhshme. Të gjitha në funksion të ndarjes së tortës së pushteteve, por edhe të zgjedhjeve të vitit 2013. A do të arrijnë ndërkombëtarët të imponojnë një figurë “outsider”-i, apo kreu i shtetit do të jetë një koleg partie i zotit Berisha? Në mos vetë zoti Berisha? Këtë do ta shohim në muajt që do të vijnë. Ndërkaq kemi për të asistuar në batutat e fundit të presidencës Topi. Edhe kjo një telenovelë që po merr nota interesante. Me të vetmin problem: në Shqipëri koncepti i interesantes bën rimë thuajse gjithmonë me nocionin e krizës.