TemA, 3 Korrik 2012
Edhe një deputet tjetër mes demokratëve nis të ngrejë zërin kundër ndryshimeve në qeveri. Selami Xhepa, duke folur për gazetarin Ilir Babaramo, tha se duhej të kishte pasur ndryshime më të thella. Ai deklaroi se “një individ sado inovativ të jetë, lodhet dhe ndryshimi do ishte i dobishëm”.
Xhepa, i cili para pak kohësh dha një intervistë ku e quajti zonën e tij elektorale, Bulqizën, një Perëndim të Largët, deklaroi se ishte e nevojshme të bëhej një analizë e hollësishme e qeverisjes. “Nëse kjo nuk do të bëhej, entuziazmi përtej mbështetësve tradicionale do të ishte shumë i vakët,” tha ai.
Duke folur sërish për ndryshimet në qeveri, Xhepa tha se gjykimi kryesor i takon kryeministrit, por shtoi se duhej të kishte një ndryshime në shumë sektorë. “Ka një lloj lodhje, një tkurrje në aktivitetin e administratës publike,” tha Xhepa.
Ai tha se publiku do i mirëpriste këto ndryshime. “Demokracia fillon e mbaron tek partitë politike. Partitë nuk kanë arritur të krijojnë mekanizma që të përcjellin frymën nga baza deri në nivelet e larta,” theksoi Xhepa.
“Duhet një dinamizëm nga baza tek qendra. Duhet një dialog i brendshëm pasi shqetësimi i përbashkët është dinamizmi i reformave. PD duhet të jetë një forcë politike që të përfaqësojë interesa jo të një pjese të vogël të shoqërisë”.
Xhepa i quajti të rëndësishme kritikat e bëra nga deputeti i PD, Mark Marku. “Një sërë kritikash të bëra nga Marku Marku janë të rëndësishme dhe ka nevojë për një reflektim në PD. Ky reflektim do ishte i shëndetshëm,” tha Xhepa.