Pas blerësit të Kakomesë fshihet mafiozi bullgar

0
97

Ne kontrate blerësi një 30-vjeçar bullgar

TIRANE- Pas blerësit zyrtar të 290 mijë hektarëve tokë në bregdetin e Gjirit të Kakomesë, fshihet një emër i përfolur për lidhje me krimin e organizuar. Nëse në letrat e kontratës së shitjes së 23 marsit 2012 të 290 mijë metrave katrorë tokë në Kakome, blerësi është 30-vjeçari bullgar Jeko Petkov Kolev, pas tij dhe firmës që ai përfaqëson në Tiranë është bosi i madh i akuzuar nga amerikanët si përfaqësues i mafias bullgare që ka kapur jo vetëm ekonominë e vendit, por është shtrirë edhe jashtë në rajon, siç është rasti i Shqipërisë.

Kolev është në Tiranës përfaqësues i firmës “Balkan Roads”, degë e kompanisë mëmë në Sofje të Bullgarisë. Kolev është bashkëthemelues dhe anëtar i bordit të drejtorëve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Bullgaro-Shqiptare (BALÇI), por edhe anëtar i Bordit të Drejtorëve në kompaninë “Balkan Roads”, ku është bashkëpronar prej vitit 2008 edhe biznesmeni shqiptar Dritan Çelaj. Kompania ishte regjistruar në 5 nëntor 2008, ndërsa kishte bllokuar në bankën bullgare, dega Tiranë e First Investment Bank (FIB) shumën prej 20 milionë lekësh, si kapital themeltar, për regjistrimin dhe krijimin e shoqërisë “Balkan Roads” sh.p.k. Kjo është dega shqiptare, që ka blerë Kakomenë. Kurse kompania mëmë është mjaft e njohur dhe, fatkeqësisht, drejtuesi i saj njihet për keq.

Në raporti vjetor të kompanisë bullgare “Holding Roads PLC” për vitin 2008, ndërsa jepen të dhëna për aktivitetin 1-vjeçar të saj, ndër të tjera thuhet se po krijohet dega e re “Balkan Roads”, me qëllim pjesëmarrjen e saj në tenderët publikë për ndërtime dhe investime në infrastrukturë dhe turizëm. “Holding Roads PLC” regjistroi një degë në Republikën e Shqipërisë, me emrin “Holding Roads” (dega Shqipëri), thuhet në faqen 16 të dokumentit të kompanisë bullgare të vitit 2008. Në një takim special të mbajtur në 5 janar 2009, ndër vendimet e tjera që u morën ishte edhe ai për dhënien e një bonusi për antarët e Bordit të Supervizionit të kompanisë, ose e thënë ndryshe paketës së aksionerëve, sipas rezultateve të mira të arritura në vitin financiar 2007.

Mes emrave të bordit i pari renditet shtetasi bullgar Vasil Krumov Bozhkov, president i Bordit Supervizues të kompanisë, që merr një shpërblim prej 3 milionë e 840 mijë leva bullgare, ose rreth 1,92 milionë euro (1 euro është afërsisht sa dy leva bullgare). Bozhkov, njihet në vendin e tij njihet si një ndër biznesmenët më kontraversë dhe i hetuar në vite për lidhje me krimin e organizuar dhe mafien ruse. Profilin e biznesmenit bullgar Bozhkov, e bëri ish-ambasadori amerika në Sofje 7 vite më parë në një dokument që i përcolli DASH-it dhe që u publikua vjet nga Wikileaks. Aty Bozhkov renditet bashkë me krerët e krimit të organizuar dhe organizatat më influente të krimit në Bullgari ku Bozhkov mban vendin e parë në listë dhe konsiderohet si më i rëndësishmi, ndërsa në kabllogram përmendet dhe nofka e tij “Kafka”, siç njihet në Bullgari.

Në kabllogram detajohet aktiviteti i tij si njeri shumë i rëndësishëm i nëntokës së krimit të organizuar që prej vitit 1990 ndërsa pasuria e tij çmohet diku te 1.5 miliardë USD. Bozhkov përshkruhet si një gangster me shumë lidhje në politikë dhe i interesuar së fundmi në shtrirjen e investimeve në vendet e huaja sidomos në ndërtim infrastrukture dhe në zona turistike. Amerikanët në kabllogram e përshkruanin atë në vitin 2009 si një gangster të fuqishëm që po përpiqet të lajë hesapet me të kaluarën e tij dhe të “certifikohet” si një njeri i fushës së biznesit.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

(ns/shqiptarja.com)