Arben Rrozhani, 27.05.2010
Ndërsa Shqipëria është ende pa zgjidhje të ngërçit politik, nisur gati 11 muaj më parë, opozita shqiptare ka këmbëngulur vazhdimisht se kërkon vetëm konfirmimin zyrtar të mashtrimit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, pra nuk kërkon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, që e lanë atë sërish në opozitë, megjithëse mori sërish votën popullore. Një bujari e tillë përballë qeverisë së kryeministrit Berisha, që gjatë këtyre muajve ka bërë vetëm shantazhe, diversione dhe presione për të bërë opozitën një vegël qorre të pozitës, ngjan shumë nënshtruese përballë pritshmërive që priten të konfirmohen, se qeverisja aktuale është në pushtet falë mashtrimit zgjedhor, deformimit të votës dhe vënies në funksion të mbajtjes së pushtetit të makinës shtetërore.
Të detyruar prej përshkallëzimit të qëndresës së opozitës, që kulmoi me grevën 19 ditore të urisë të nisur në 30 prill 2010, autoritetet europiane vendosën të ndërhyjnë sërish pas misionit të dështuar në Tiranë të një grupi parlamentarësh europianë. Rezultati ishte darka dhe bisedimet në Strasburg të enjten e kaluar, në restorantin “Krokodil”, ku udhëheqësit e PD-së dhe PS-së ranë dakord për modalitetet e zgjidhjes së krizës rreth hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Aty u vendosën kushte dhe afate, siç deklaronte edhe njëri prej europarlamentarëve të pranishëm, qiprioti Ioannis Kasoulides, nënkryetar i Grupit Parlamentar Kristiandemokrat në Parlamentin Europian. Nëse nuk do të kishte premtime dhe afate, Kasoulides nuk do të shprehej: “Janë diskutuar të gjitha çështjet që lidhen me këtë gjendje. Pas një shqyrtimi të plotë mund të them se është bërë përparim, gjë që na bën ne të jemi optimistë se kur udhëheqësit të takohen përsëri, siç u vendos, brenda dy ose tre javësh, ne shpresojmë se do të kemi një marrëveshje”.
Edhe kryetari i PD-së, Berisha do të shprehej po ashtu më 22 maj, duke komentuar darkën dhe bisedimet në Strasburg: “Ka vullnet për të gjetur zgjidhje brenda dy javëve, por kërkoj të respektohet me çdo kusht Kushtetuta për zgjidhjen… Është e caktuar që cilido që të përfitojë nga hapësirat e mëdha që lejon Kushtetuta e vendit, ligjet e vendit. Unë kam besim se kjo do ndodhë, unë vlerësoj çdo përpjekje të cilitdo që të përfitojë nga ajo që garantojnë ligjet, shqyrtimin e materialeve zgjedhore sipas rregullave në arkiv, çdo të drejtë tjetër që lejon ligji”.
Dje, katër ditë më vonë, po i njëjti kryeministër, partner në bisedimet e Strasburgut me tagrin e shefit të qeverisë shqiptare dhe të partisë qeverisëse, “harronte” çfarë kishin deklaruar europarlamentarët dhe ai vetë, duke u përpjekur të krijojë një spirale të re krize mbi krizën që ka vendi prej 11 muajsh: “Një gjë dua t’ju garantoj se nuk ka pasur në mënyrë kategorike asnjë ultimatum për të zgjidhjen e krizës”.
Këto fjalë, bashkë me shumë të tjera ku opozita cilësohej primitive etj., etj., Berisha i artikuloi në sallën e mbledhjes së qeverisë pak orë para se në Tiranë të mbërrinte grupi i të dërguarve te Bashkimit Europian, i ngarkuar me vlerësimin në terren për hapat që ka hedhur prej darkës së “Krokodilit”, kryeministri dhe kryetari i partisë qeverisëse.
Që z. Berisha do të dredhojë edhe për disa kohë për të ofruar zgjidhjen e propozuar nga faktori ndërkombëtar, e konfirmoi përsëritja neveritëse e togfjalëshit: “Ne jemi qeveri e dalë nga zgjedhjet më të lira dhe të ndershme të bëra ndonjëherë në këtë vend, zgjedhje që u certifikuan nga OSBE-ODHIR”, kur dihet botërisht se strumbullari i krizës që ka pllakosur vendin është fakti se qeveria aktuale është një “ndërtim pa leje”, e ngritur mbi votat e deformuara të elektoratit shqiptar, se ajo shumicë është krijuar si rezultat i dhunës shtetërore për të rimarrë pushtetin e pamerituar, se këto zgjedhje ishin një zhgënjim për qeveritë dhe mbështetësit e popullit shqiptar në rrugën drejt BE-së, se vërtet OSBE/ODIHR tha se ishin një përparim me zgjedhjet e shluara, por… një e treta e votave ishin numëruar keq apo shumë keq, çka i jep opozitës të drejtën për të ngulmuar edhe më tepër se si u trafikua vota që nuk iu dha partisë së z. Berisha, plus pretendimeve për shkelje të tjera flagrante, që në esencë janë pasqyruar në procesin skandaloz të votimeve në qendrën numër 3052 në komunën Ruzhdie të Fierit, të shndërruar në simbolin antidemokratik se si qeveria e z. Berisha i zhvilloi zgjedhjet në Shqipëri.
Ajo çka pritet të dalë sot është me siguri një listë rekomandimesh të bërë nga ekspertët e KE-së dhe BE-së, ekskluzivisht për modalitetet e hapjes së kutive të votimit me materiale zgjedhore dhe fletë votimi, si dhe mundësitë që ofron legjislacioni shqiptar për hapjen e tyre. Ashtu siç ka bërë në të shkuarën dhe jo më larg se dje, z. Berisha do të shprehet se është i hapur, se është njeri i dialogut, i ligjit etj., etj., por duke e vonuar zgjidhjen e ngërçit rreth hetimit të zgjedhjeve.
Por, ndërsa partneri i tyre në Shqipëri, mundohet ta vonojë sa më shumë zgjidhjen, autoritetet e Brukselit nxitojnë dhe nuk duan t’i ndëshkojnë shqiptarët duke i lënë si vendi i vetëm i paintegruar në Ballkan. Këtë e përforcon edhe vendimi i djeshëm i Kolegjit të Komisionerëve për të miratuar rekomandimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, duke mos harruar kushtet “teknike” të zbatimit të ligjit, për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe konfiskimit të aseteve të krimit.
Dhe ndërsa për punë ditësh Bashkimi Europian pritet të përgatisë opinionin lidhur me heqjen e vizave për Shqipërinë, për ta kumtuar atë në samitin e Sarajevës në 2 qershor, partneri i tyre në Shqipëri, ka një axhendë tjetër, të lidhur jo me liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe as me integrimin e mëtejshëm të vendit me BE-në, por me mbrojtjen e mashtrimit zgjedhor, mbi të cilin është ngritur qeveria e tij.