Nga Auron Tare, 18 Korrik 2012
“Unë i bëj thirrje shoqërisë civile që të ngrejë një komision, krahas Institutit të Monumenteve të Kulturës, për ta monitoruar gurë për gurë këtë proces. E vërteta është se ajo arkitekturë që, në pamje të parë mund të mendohet se ribëhet me lehtësi, nuk ndodh kështu, pasi ajo është një vepër e një stili arkitekturor të asaj kohe, shumë të respektuar kudo. Ndaj dhe për t’i dhënë fund debatit me Shoqërinë Civile, ministria e Punëve Publike duhet të vendosë kontakte me të, të kërkojë që bashkë me Institutin, ose nëse dëshirojnë edhe veçmas, të krijojnë ekipin e tyre dhe të monitorojnë çdo lëvizje guri. Rruga do të bëhet…”
Deklarate e Kryeministrit të Shqipërisë, Dr. Sali Berisha II
Kur Partizani Meke me opingat e tij plot baltë shkeli në sixhadet e mrekullueshme të dhomave të Pallatit të Perandorit në Tiranë, ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore. Partizani Meke ecte krenar nëpër Pallatin e boshatisur duke vështruar me kërshëri këtë ndërtim që ishte aq i ndryshëm nga shtëpitë e gurta të fshatrave të Labërisë. I ardhur nga mali, Mekja hyri në Pallat si fitimtar dhe si një përfaqësues i një rendi të ri, i frymëzuar nga ideologjia bolshevike kërkonte të ndërtonte një botë të re.
Për ish çobanin Meke ky Pallat përfaqësonte botën e përmbysur, botën e cila ashtu si qilimat e shtrenjtë, ishte tash nën opingat e tij dhe mund të bënte me të çfarë të donte. Por Mekja i ngratë, çuditërisht, pasi u shtri në krevatin e Perandorit, bëri pis qilimat me hirin e duhanit dhe u pa në pasqyrën e madhe me koka bronzi, shkoi në punë të tij. Mekja dhe shokët e Mekes, të gjithë të ardhur nga mali, nuk e prishën Pallatin e Perandorit, nuk ia shkulën statujat, as pemët nuk ia prenë, as e qëlluan me plumba dhe as rrethimin nuk ia shkulën në emër të progresit. Ishte fundi i Luftës dhe fitimtarët mund të bënin ç’të donin në qytetin e sapoçliruar.
Profesorët me mjekra të gjata, që mund t’i pengonin, kishin frikë të flisnin, institucione për mbrojtjen e monumenteve nuk kishte dhe Pallati akoma nuk ishte Monument Kulture, por ishte Pallati i një Perandori pushtues. Mirëpo çuditërisht njerëzit e malit jo vetëm nuk e prekën Pallatin Perandorak, por Partizani Meke dhe shokët e tij e shpallen atë Monument Kulture të mbrojtur nga shteti. Kështu që ky Pallat i jashtëzakonshëm për vlerat e veta arkitekturore, historike edhe kopshtet unikale, erdhi deri në ditët tona i paprekur me të gjithë madhështinë e vet.
Mirëpo historia e këtij monumenti nuk paskësh mbaruar me kaq. Ca dite të shkuara i Pari i vendit foli publikisht dhe tha se kishte vendosur që Pallatit Perandorak t’ia shkulte rrethimin gurë më gurë. T’ia kafshonte kopshtet për t’ia dhënë rrugës që po ndërton aty pari. T’i prishte hyrjen e veshur me selvi dhe jo vetëm kaq, me gurët e shkulura të ribënte diku tjetër përsëri rrethimin historik të Pallatit.
Kaluan dy- tre ditë dhe mendova se në media do të kishte një reagim publik nga profesorët e zanatit mbi këtë ide novatore të Kryeministrit tonë.
Profesorët me mjekër të gjatë, që kanë gjithë jetën e tyre në zanatin e trashëgimisë, kulturës apo arkeologjisë, duhet të flisnin. Ata kanë botuar libra dhe studime, kanë shkuar nëpër konferenca shkencore apo kane bërë kurse për këto pune. Të gjithë këta të Urtët e Kombit kanë marrë gjithë këto dije me lekët publikë pikërisht për këtë ditë. Për këtë dite kur marrëzitë bëhen të rrezikshme. Se fundi i fundit për çfarë i do të urtët me mjekra dhe tituj shkencorë? Pikërisht për këto dite që në mos t’i ndalojnë, të paktën t’i frenojnë të pushtetshmit që nën delirin e madhështisë të bëjnë dëme të pariparueshme.
Shteti i shqiptarëve, që mbush 100 vjet, ka ngritur disa institucione, të cilat merren me ruajtjen e trashëgimisë kombëtare si Institut Monumentesh, Drejtori Trashëgimie, Drejtori Rajonale, Institut Arkeologjie, Akademi Shkencash e më the të thashë. Të gjithë këta burra dhe gra në mënyrë zyrtare duhet t’i kishin thënë të parit tonë se në asnjë libër, dokument, kartë ndërkombëtare restaurimesh, teori e kështu me radhë, nuk thuhet se një monument kulture mund ta shkulësh dhe ta ribësh përsëri diku tjetër. Dikur në kohën e Partizanit Meke këto gjëra edhe mund të ndodhnin, por bota ka ecur shumë përpara dhe sot në 2012 asnjë institucion ndërkombëtar i trashëgimisë kulturore nuk do ta gëlltiste këtë ndodhi që bëhet në emër të progresit.
Por me sa duket edhe prej këtyre zyrtarëve askush nuk foli.
Po ku janë profesorët? Ku janë drejtorët e Trashëgimisë Kulturore? Ku është ai djali që ka ardhur nga Londra dhe flet gjithmonë për monumentet në krah të Ministrit? Ka parë ndonjëherë ai në Londër që të shkulen kopshtet e Monumenteve të Kulturës dhe të shkojnë e t’i bëjnë gjetiu? Mirë këta derdimenet e kulturës që heshtin dhe nuk bëjnë asnjë zhurmë se kanë frikë për bukën e gojës, po këta të tjerët që janë shkolluar në Perëndim? A kanë parë ndonjëri ndonjë gjë të tillë? A i shkul njeri Kopshtet e Versajës dhe i shpërngul më tutje? Po në Firence? Po në Vjenë?
Si nuk e ruajnë xhanëm këta njerëz Kryeministrin tonë nga këto marrëzira? Si nuk i pëshpërisin në vesh dhe t’i thonë se shkulja e Monumenteve të Kulturës në kohët moderne është bërë vetëm nga talibanët?
Mirëpo në vend të gjithë kësaj aradhe të gjatë profesorësh e teknicienësh të kulturës flasin plot zemërim njerëz, të cilat nuk janë veçse qytetarë të thjeshtë që i dhemb ky shkatërrim i trashëgimisë sonë.
Prandaj unë them që zemërimi i shoqërisë civile, inati i Lames në televizionet e Tiranës, shkrimet e Shkrelit e të tjerëve i drejtohen kot Kryeministrit tonë të dashur.
Zemërimi ynë me këtë tragjedi që po i ndodh i duhet drejtuar atyre që në emër të kësaj trashëgimie bënë karriere, morën tituj, brodhën botën dhe sot nuk flasin. Atyre që karrigen e marrin me vete nga një institucion në tjetrin. Atyre që shkruajnë letra anonime për të gjithë ne që me dashuri i kushtuam kohë dhe energji ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Atyre qe akoma dhe sot mendojnë se trashëgimia kulturore është pronë e tyre dhe askush tjetër nuk duhet të flasë.
Atyre që nuk lënë rast pa na sharë nëpër media duke na akuzuar se nuk jemi të fushës apo nuk kemi mbaruar shkollën për atë punë. Lame është inxhinier, unë ushtarak, Shkreli ja fut kot, ai tjetri është shofer e tjerë e të tjerë. Po sot pa hë ku jeni o profesorë? Dikush kërkon te shkulë një Monument Kulture dhe ta çojë diku tjetër dhe askush nga ju nuk flet. A ka përçudnim më të madh të trashëgimisë se kjo?
Keni ulur kokën dhe të turpëruar heshtni, keni frikë jo me nga çobani Meke dhe shokët e tij të malit, por nga Luli i Bashkise dhe Burri i Malit, të cilët sot në 2012 mu në syrin tuaj kërkojnë të shkatërrojnë Pallatin Perandorak që partizani Meke me opinga lëkure nuk pati tundimin ta prekë me dorë.