Partia Socialiste denoncon në Prokurori shitjen e katër HEC-eve

0
43

TemA Online, 14 Janar 2013

Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi ka depozituar në prokurorinë e Tiranës një denoncim për vendimin e qeverisë për të shitur hidrocentralet e Ulzës, Shkopetit dhe Bistricës 1 e 2. Sipas deputetit socialist, në dy shitjet e hidrocentraleve që ka bërë qeveria në një hark të shkurtër kohor është vërejtur një diferencë e madhe në çmim. Kështu, hidrocentrali i Lanabregasit iu shit pushtetit vendor me një çmim prej 3 milion euro për 1 megawat fuqi e instaluar, ndërsa Ulza, Shkopeti dhe Bistrica 1 e 2 ju shitën një kompanie private me një çmim prej 1.4 milion euro për 1 megawat fuqi e instaluar.

Nisur nga ndryshimi i çmimeve rezulton se me shitjen e 4 HEC-eve interesave të shqiptarëve u është shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 100 milion euro. Deputeti socialist pasi dorëzoi denoncimin në Prokurorinë e Rrethit, ka dhënë një prononcim për mediat ku është shprehu se në ditët në vijim PS do t’u tregojë qartë faktet dhe të vërtetën e arsyes së shitjes së 4 HEC-eve.

“Kam ardhur në Prokurorinë e Tiranës, në emër të PS-së për të depozituar një kallëzim në lidhje me vendimin e Qeverisë për të shitur/privatizuar HEC-et e Ulzës, Shkopetit, Bistricës 1 dhe 2.

Brenda një kohe të shkurtër qeveria shqiptare ka bërë 2 shitje HEC-esh:

1. Privatizoi/shiti Lanabregasin duke ja dhënë Pushtetit Vendor me një çmim prej 3 milion euro për 1 megawat fuqi e instaluar.

2. Ndërsa Ulzën, Shkopetin, Bistricën 1 dhe 2 ja shiti një kompanie private me një çmim prej 1.4 milion euro për 1 megawat fuqi e instaluar.

Ne gjykojmë nisur nga ndryshimi i çmimeve se me shitjen e 4 HEC-eve i është shkaktuar interesave të shqiptarëve një dëm ekonomik rreth 100 ml euro. Këtë erdhëm t’i kërkojmë Prokurorisë të hetojë, ndërsa shqiptarëve nesër do t’u shpjegojmë thjesht dhe qartë faktet dhe të vërtetën e arsyes së shitjes së 4 HEC-eve”, tha Shalsi.