Parti elektorale PD-ja?

0
49

Eduard Zaloshnja

Eduard Zaloshnja, 17.12.2009

Në emisionin televiziv “Opinion”, Berisha deklaroi me rastin e Kuvendit të 9-të të PD-së se partia e udhëhequr prej tij është një parti elektorale. Kjo deklaratë, ironikisht, u bë fill pasi nuk ishin marrë parasysh ndryshimet statutore të propozuara nga Aleksandër Biberaj, të cilat do të ishin një hap i parë drejt kthimit të PD-së në një parti elektorale.
Në fakt, në deklarimet publike të para 3 vjetëve, udhëheqësit e PD-së kishin premtuar se partia e tyre, në Kuvendin e 9-të, do të shndërrohej nga një parti me sistem organizimi piramidal, në një parti elektorale ku (duke përdorur fjalët e tyre) “çdo individ do të kishte të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur”. Ose thënë ndryshe, ku zëri i anëtarit të thjeshtë do të ishte përcaktues.
Duke hedhur një vështrim historik në zhvillimin e PD-së, vlen të analizohet se sa janë gjasat e realizimit ndonjëherë të këtij premtimi.
Në fillimet e saj, PD-ja denoncoi strukturën e organizimit piramidal të PPSH-së, dhe deklaroi se, ndryshe nga ajo, do të ishte një parti elektorale me demokraci të drejtpërdrejtë. Por teza “parti elektorale me demokraci të drejtpërdrejtë” asnjëherë nuk u shpjegua nga udhëheqja e PD- së .
Të qenit parti elektorale me demokraci të drejtpërdrejtë nënkupton që aktiviteti i partisë të përqendrohet kryesisht në mbështetjen e kandidatëve që përqafojnë platformën e saj politike në zgjedhjet e të gjitha niveleve. Gjithashtu, të qenit parti elektorale me demokraci të drejtpërdrejtë nënkupton që, si përzgjedhja e kandidatëve elektoralë, ashtu edhe e udhëheqjes së partisë, të bëhet me votim të përgjithshëm të anëtarëve apo elektoratit të partisë, dhe që roli i strukturave drejtuese të kufizohet vetëm në integrimin e platformave konkurruese të fraksioneve të ndryshme, në propagandimin e platformës së integruar të partisë, si dhe në mbështetjen e kandidatëve elektoralë që e përqafojnë atë platformë. Ndërsa qëndrimet dhe vendimet politike të ditës përpunohen dhe paraqiten në vazhdimësi nga kryetari i partisë e grupi parlamentar, kur partia është në opozitë, dhe nga qeveria në bashkëpunim me grupin parlamentar, kur ajo është në pozitë.
Para marsit 1992, PD-ja nuk bëri ndonjë përçapje për t’u konfiguruar si parti e tillë, ndoshta edhe si rrjedhojë e zhvillimeve të vrullshme politike të asaj kohe. Por, me ardhjen në pushtet, PD-ja demonstroi se vetëm parti elektorale me demokraci të drejtpërdrejtë nuk do të ishte. Kështu, kuvendi i partisë u shndërrua në një forum ku votat shkëmbeheshin me poste që iu ofroheshin delegatëve; kryesia e partisë vendoste për çdo gjë në jetën e vendit; dhe kryesitë e degëve në rrethet kryesore vendosnin për çdo emërim në bashkitë apo ndërmarrjet shtetërore të rretheve përkatëse.
Mosfunksionimi normal i demokracisë në Shqipëri padyshim lidhet edhe me faktin që PD-ja nuk u ka krijuar mundësinë anëtarëve apo elektoratit të saj të zgjedhin njerëzit më të aftë e të përkushtuar për qeverisjen e vendit. PD-ja ka prodhuar kasta të ngushta udhëheqëse që marrin vendime të rëndësishme pa marrë shumë parasysh dëshirat reale të anëtarësisë së tyre apo elektoratit që ato përfaqësojnë. Këto kasta të ngushta janë dominuar nga një figurë e vetme – Berisha. Dhe në kushtet kur nuk është lejuar krijimi i fraksioneve brenda partisë, ka ekzistuar mundësia që fituesi i shumicës së votave në forumin më të lartë vendimor të mënjanonte nga udhëheqja (ose fare nga partia) çdo njeri që mund të sfidonte pushtetin e tij. Pra, ka ekzistuar probabiliteti që fituesi të merrte në dorë kontrollin e plotë të partisë, pavarësisht se konkurrentët e tij mund të kishin një përkrahje të konsiderueshme në parti.
Me kalimin e kohës, ky probabilitet u kthye në realitet në PD. Shembujt më të spikatur të mosfunksionimit normal të demokracisë së tërthortë në PD ishin largimi brutal i Eduard Selamit në vitin 1995 dhe Genc Pollos në vitin 1999.
Po të shihet problemi i deformimit të përfaqësimit në një demokraci të tërthortë nga një perspektivë më e gjerë, mund të vihet re se ai nuk është problem specifik shqiptar. Në fakt, ai është problem inkoherent i një demokracie të tillë, pavarësisht se ku zbatohet ajo. Kështu, për shembull, në qoftë se në SHBA do të bëhej zgjedhja e presidentit me votim të përgjithshëm popullor, e jo nga kolegji elektoral, Al Gore do të kishte qenë Presidenti i SHBA-së të paktën deri në fund të vitit 2004 e jo George Bush. Në të njëjtën mënyrë, Grover Cleveland do të kishte qenë zgjedhur president i SHBA-së në vitin 1888 e jo Benjamin Harrison.
Duke u kthyer në Shqipëri, po të kihet parasysh tradita fare e pakët demokratike (eksperienca reale e parë dhe e fundit demokratike e Shqipërisë para vitit ’91 ka qenë ajo e fillimit të viteve ’20), është e kuptueshme që modeli i organizimit të deritanishëm të PD-së të ketë qenë i prirur për të krijuar vetvetiu shkëputjen e kastës udhëheqëse nga anëtarësia dhe elektorati. Sepse kasta dhe udhëheqësi e tyre janë zgjedhur nga delegatët e kongreseve, të cilët, në shkëmbim të votave kanë marrë shpërblimin përkatës. Ndërkohë, vetë përzgjedhja e delegatëve ka ndjekur të njëjtin vektor – kryesitë e degëve në rrethe janë shpërblyer kur kanë zgjedhur ata delegatë që iu kanë ardhur për shtat bosëve partiakë.
Me pak fjalë, struktura piramidale e ndërtimit të PD-së ka krijuar mundësinë e trafikut të votave. Trafiku i votave, më pas, i ka hapur rrugën për emërime njerëzve që kanë përfituar nga posti, dhe që nuk janë dënuar përderisa kanë votuar ashtu siç kanë dashur bosët e tyre.
Sot, edhe demokrati me inteligjencën më minimale në Shqipëri e kupton se kandidatët për poste të rëndësishme që përzgjidhen nga një klan i vogël udhëheqës i kanë një borxh politik për të larë atij klani. Ndërsa, në qoftë se ata zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejt nga anëtarët apo elektorati i partisë me votim të përgjithshëm e të fshehtë, borxhi do të ishte vetëm kundrejt zgjedhësve.
Por, problemi është se, pavarësisht nga numri i madh i demokratëve që mund ta pëlqejnë idenë e demokratizimit të partisë së tyre, është vështirë të mendohet se PD-ja do të kthehet në parti të vërtetë elektorale me demokraci të drejtpërdrejtë. Vështirësitë janë sa teknike edhe politike.
Nga pikëpamja teknike, demokracia e drejtpërdrejtë – qoftë edhe në vende me institucione të konsoliduara – nuk është e lehtë për t’u zbatuar. Në Athinën e lashtë, ku kjo lloj demokracie pati dhe fillimet e saj, nuk ishte e vështirë të zbatohej, sepse brenda kufijve të qytetit-shtet numëroheshin jo më shumë se 21 mijë qytetarë me të drejtë vote. Dhe nga këta, rrallë qëllonte që më shumë se gjysma të ishin në qytet në një moment të dhënë. Kështu që, kur duhej të merreshin vendime të ndryshme rreth jetës publike të athinasve, këshilli administrativ i zgjedhur prej tyre i thërriste në sheshin qendror të qytetit, e secili hidhte nga një gurë zalli të bardhë apo të zi në qypat që përfaqësonin propozimet e këshillit.
Në kohët e sotme, kur nuk ka më qytete-shtete të vogla si në Greqinë e lashtë, zbatimi i demokracisë së drejtpërdrejtë për çdo vendim është praktikisht i pamundur – ajo mund të zbatohet vetëm për vendimet më të rëndësishme. Kështu, një parti mund ta përdorë demokracinë e drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e kandidatëve për poste politike (kryetar komune, kryetar bashkie, deputet, kryeministër etj.), si dhe për platformën e partisë për periudhën midis dy zgjedhjeve, por ajo nuk mund të zhvillojë votime çdo javë a çdo muaj – kostoja dhe humbja e kohës për një proces të tillë do ta bënte atë shumë inefecient.
Pavarësisht vështirësive teknike (të cilat edhe mund të tejkalohen), të pakta janë gjasat që kasta udhëheqëse e PD-së të bëjë një reformë që do ta ulte ndikimin e saj ndaj njerëzve që ka rrotull. Në fakt, ajo mund të fitonte me një diferencë të thellë në qoftë se do të zhvilloheshin sot zgjedhje të përgjithshme e të fshehta nga elektorati i partisë. Por, nuk do të kishte garanci se nuk do të sfidohej nga kandidatura të fuqishme në të ardhmen. Pasi në një parti elektorale me demokraci të drejtpërdrejtë nuk janë më klanet ato që të mbajnë në krye – është vota e dhjetëra – mijëra njerëzve.
Në kampin demokrat, ka pasur politikanë si Aleksandër Meksi para disa vitesh, apo Aleksandër Biberaj së fundi, të cilët kanë demonstruar publikisht se dëshirojnë sinqerisht shndërrimin e PD-së në parti elektorale me demokraci të drejtpërdrejtë. Por, shanset që zëri i tyre të dëgjohet në PD janë praktikisht zero…