Parimi negociator i suxhukut

0
68

VETON SURROI, 28 qershor 2012

Mungesa e një politike të jashtme i ka ndërlidhur të gjitha aspiratat ndërkombëtare në një pikë të vetme. Pra edhe kur Kosova do të shkojë në Lojërat Olimpike, edhe kur do kodin e vet ndërkombëtar, edhe kur do adresën e vet të internetit, edhe kur do marrëdhënie kontraktuale me BE-në, edhe kur do anëtarësim në OKB, konteksti i krijuar me një mendjeshkurtësi të paparë është që për të gjitha këto aspirata duhet të kalojë nga dera e negociatave me Serbinë. Ky ka qenë cak strategjik i Serbisë, dhe është arritur.

Dhe kjo është ajo që po i përsëritet Prishtinës zyrtare këto ditë, me një ton që i përngjet të të bindurit të fëmijëve që ende nuk kanë hyrë në pubertet: “Mirë, mirë, kjo puna që e bëtë me dialogun teknik, por tash ju presin negociatat me Beogradin për Veriun”.

Kurthi i ardhshëm, ai i cili tashmë u sprovua njëherë në dialogun teknik, është se edhe ky proces është i papërgatitur, u lihet ndërmjetësve të fillojnë me përzgjedhjen e temave, pa parime udhëzuese. Për në fund është befasia kyçe: në fund të këtyre negociatave për Veriun sërish nuk do të konsiderohet i mbyllur procesi i negociatave me Serbinë. Sërish do të ketë një proces tjetër negociator, i cili do të quhet ai i normalizimit të marrëdhënieve. Dhe më pas, edhe një tjetër, ai i vendosjes së marrëdhënieve statusore…

Në negociata ky quhet procesi “sallami” (apo në rastin tonë suxhuku), ku risk pas risku prezantohet një dhe tjetër çështje, por nuk bisedohet për tërësinë.

Një qëndrim të këtillë tashmë e ka të formuluar Serbia, me parimin e saj se çfarëdo që të negociohet ajo nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës. Një qëndrim të këtillë tashmë e ka të formuluar edhe BE-ja me formulimin se nuk po kërkon prej Serbisë njohjen e Kosovës, nga njëra anë, dhe me përcaktimin e karotave të veta: Serbisë datën e nisjes së negociatave për aderim në BE, e Kosovës liberalizimin e vizave.

Një qëndrim të këtillë e bën Kosova prejse e ka shpallur pavarësinë. Në asnjë të vetmin moment pushteti në Kosovë, në format e koalicioneve të passhpalljes së pavarësisë, nuk ka artikuluar se çfarë dëshiron nga proceset negociatore dhe si do t’i arrijë këto caqe. Kosova ka marrë pjesë me heshtje në çdo proces, prej gjashtë pikave të Ban Ki Munit e deri te dialogu teknik, duke dëmtuar radhë pas radhe interesin shtetëror. Dhe, çdoherë ka bërë sikur po reziston, vetëm për t’u pajtuar pastaj me çdo gjë.

8.
Negociatat me Serbinë prej kohësh nuk janë problem vetëm i pushtetit, por pushteti është marrë me të, me harbutërinë e një provinciali, i cili do të dëshmojë se i di të gjitha, prej ndërtimit të autorrugëve, diplomacisë, e deri te nisja e avionëve.

Tash së fundi, nga pushteti vjen oferta diskrete ndaj opozitës që të marrë pjesë në procesin e ardhshëm negociator, për shkak se do ta shpërndajë koston politike të rrugës së pamenduar në të cilën është nisur. Opozita do të bënte mirë sikur të mos e pranonte këtë ofertë, qoftë edhe në formën e mbuluar që të ndërtohet një ekip uniteti nën ombrellën e funksionit kukull që ka personi që është vënë në postin e Presidencës. Kapitulli i ardhshëm negociator, në kushtet e tanishme, është vetëm vijim i dështimeve të deritanishme të pushtetit në Kosovë, të udhëhequr nga zoti Thaçi, qoftë në koalicionin e kaluar, kur vartës i tij ishte Presidenti Sejdiu, qoftë në formatin e tanishëm.

Përgjigjja, përkundrazi, duhet të jetë se Kosova nuk ka legjitimitet bazik për të zhvilluar negociata. Për dallim prej Serbisë, e cila zgjedh President e së shpejti edhe qeveri (ndonëse me një bagazh të rëndë nacionalist), por këtë e bën me legjitimitet të plotë demokratik, pushteti në Kosovë është, thënë së buti, i dëmtuar për nga legjitimiteti. Qeveria e tanishme është produkt i drejtpërdrejtë i “vjedhjes industriale” të votave, ndërsa presidentja ka dalë prej anonimitetit të plotë dhe zarfit, kur “vjedhja industriale” e votave u pasua edhe me disa skandale të tjera të shkeljeve kushtetuese.

Shikuar nga një perspektivë ajrore, pushteti kosovar gjendet në tranzicion mes gjendjes së tanishme të votës së vjedhura dhe gjendjes së ardhshme të legjitimitetit demokratik. Derisa të mos mbërrihet një gjendje e këtillë, negociatat nuk kanë kuptim: pushteti pa legjitimitet demokratik dhe në masë të madhe i kriminalizuar apo kriminogjen nuk ka bosht kurrizor për të mbrojtur interesin shtetëror në negociata, është tepër i eksponuar shantazhit apo dëshirës për të dalë nga izolimi.

Përgjigjja kosovare, në fakt, duhet të jetë se prej BE-së kemi nevojë për ndihmë, jo për të na shtyrë në negociata, por për të na shtyrë në standarde të demokracisë për zgjedhjen e një pushteti legjitim. Pastaj do të vijnë pashmangshëm edhe negociatat.

9.
Shkrim pas shkrimi, vit pas viti, do të lajmërohet dikush, posaçërisht në formën e komenteve të popullarizuara elektronike, në portalet e internetit, dhe do të thotë: krejt kjo është mirë çka thua, por lehtë është të flitet pasi ndodhin ngjarjet. Ku ishe më herët?

Ky është nonsens. Shkrim pas shkrimi, vit pas viti, pushteti, që para shpalljes së pavarësisë, ka mundur të lexonte analiza për sfidat që e presin, me skenarë afër reales. Dhe i ka injoruar nga harbutëria, mungesa e kapaciteteve absorbuese intelektuale apo interesi.

E njëjta gjë mund të ndodhë edhe tash. Problemi esencial nuk është se a ka ide të tjera dhe alternativa më të mira, problemi esencial është se a do ta lejojnë të tjerët (opozita, shoqëria civile) që pushteti ta vazhdojë ecjen e vet shkatërruese – të parasë publike, të perspektivës së zhvillimit ekonomik, të substancës ekonomike, të mundësisë së ngritjes së institucioneve të demokracisë funksionale? Sepse në fund, politika e jashtme nuk mund të jetë më e mirë se ajo brenda: nëse Kosova ka mungesë të politikës së vet të jashtme, atëherë kjo ndodh sepse nuk e ka as idenë bazike se si t’i rregullojë punët brenda vendit.