Shenasi Rama
PARATHANIE
Në fund të vitit 1990-të, shteti shqiptar hyri në procesin e një metamorfoze të gjithanshme. Shembja e sistemit socialist në BRSS dhe ne Europën Qëndrore e Lindore e bëri të pamundur vazhdimin e sistemit enverist në shtetin shqiptar. Ndryshimi i sistemit dukej se ishte i pashmangshëm dhe presioni i jashtem ishte tejet i forte por sistemi i sundimit te parise ishte shume efektiv. Megjithatë, edhe pse paria sunduese nuk hoqi dorë deri në castet e fundit nga besnikëria ndaj sistemit enverist, dhe keshtu u perjashtua mundesia e transformimit gradual, prapë se prapë edhe në periudhën kritike deri në zgjedhjet e 22 Marsit 1992 ishte e mundur që të zgjidheshin alternativa mbarëshqiptare që do të krijonin mundësitë për ndërtimin e një shoqërie bashkëkohore në të mirë të të gjithë shqiptarëve.
Alternativa dhe rruga në të cilën duhej që të ecte shoqëria shqiptare do të ishte e përcaktuar detyrimisht e kushtimisht nga njëra prej tri ideologjive sunduese të kohës sonë, d.m.th., nga marksizmi, liberalizmi dhe nacionalizmi. Për shkak të përvojës me sistemin parti-shtet e despotik enverist prej nga vinim, marksizmi, ne cdo variant, edhe në atë socialdemokratik europianoperëndimor, dukej se, në atë pikë kthese historike, ishte i papranueshëm për shumicën e shqiptarëve. Për shkak të përbërjes komplekse shoqërore e të vlerave sunduese, si dhe të mangësisë së rrënjëve të qëndrueshme të cdo sistemi fetar ndër shqiptarët, cdo ideologji e mbeshtetur ne qytetërimet e vecanta ishte, po ashtu, e papranueshme dhe në fakt shumë e rrezikshme.
Në realitet, ndërtimi i së ardhmes do të duhej të mbështetej e të formulohej në bazë të njërës nga dy ideologjitë e tjera, dm.th., nacionalizmi dhe liberalizmi. Sistemi që do të ndërtohej do të korigjohej me kohë, ekstremet do të shmangeshin, dhe shoqëria do të mbrrinte në një ekuilibër të ri të qëndrueshëm e në shërbim të qytetarëve e të shoqërisë në përgjithësi. Mirëpo, nga një anë, sistemi duhej të ishte i ndërtuar mbi një ideologji të qartë, e kësisoj, duhej që strukturat që do të ngriheshin të ishin konsistente në lidhje me parimet në bazë të të cilave do të ndërtohej shoqëria.
Nga ana tjetër, meqë shoqëria nuk mundet me kenë thjesht e njëanshme, sistemi që do të ndërtohej duhej që të përmbushte shumë kritere të tjera të lidhura me organizimin e shoqërisë e vlerat e saj, e prandaj duhej një dozë e madhe pragmatizmi e idiosinkracie politike. Përvoja ka treguar se cdo system që ndërtohet vetëm e vetëm në bazë të një parimi, dhe që e vë të gjithë shoqërinë në shërbim të strukturës së ndërtuar mbi atë parim të ndjekur në mënyrë ekstreme, është i destinuar të dështojë.
E keqja është se si mbas vitit 1944 ashtu edhe mbas vitit 1990, paria sunduese zgjodhi rrugën më të lehtë të ruajtjes së sundimit të saj përmes vendosjes së një sistemi të ngrirë, eksperimental, dhe ideologjik. Në vitin 1944, u kopjuan rusët dhe jugosllavët. Në vitin 1991 e mbas, kapitalizmi që do të ndërtohej ishte i modeluar simbas mësimeve të Engelsit, propagandës enveriste, interesave të parisë, sugjerimeve eksperimentale të këshilltarëve gjysmakë, dhe të mendesisë katundare të shumicës së popullsisë. Mirëpo, kjo ishte xhungël shoqërore e bazuar në paranë, e jo shoqëri normale tregu të institucionalizuar e bazuar në marrëdhënie ekonomike por edhe me vlera, identitet e që synon përmbushjen e dinjitetit njerëzor.
Duhet theksuar se zgjidhja që duhej bërë në fund të vitit 1990 e mbas nuk ishte e lehtë por gjithsesi ajo ishte në duart e parisë sunduese. Nga ana e vet, populli shqiptar ishte tejet i papërgatitur, intelektualisht, shpirtërisht dhe moralisht, për të bërë zgjidhjen e duhur. Deformimi mendor dhe shpirtëror i popullit shqiptar kishte arritur nivele të frikshme dhe shumica e shoqërisë shqiptare shihte andrra me sy hapur, d.m.th. besonte në mundësinë e ndërtimit të një shoqërie si limonatat që shihte në televizionin italian. Pa frikë mund të thuhet se masat shoqërore nuk ia kishin idenë as shoqërisë së re që duhej të ndërtohej, dhe as nuk dinin se si do të shkohej në atë rrugë. Pakkush e dinte se cfarë e ardhme do t’i priste shqiptarët. Masat e njerëzve donin thjesht që të ndryshonin sistemin ekzistues me shpresë se e ardhmja do të ishte më e mirë.
Ashtu si kishin shkuar proceset në një system të përcudnuar të partisë-shtet, njerëzit ose ëndërronin mirëqënien e imagjinuar të të parëve, ose mirëqënien televizive të të huajve, ose thjesht nuk donin me punue për shtetin e për kërkend. Ashtu sic thotë Karl Polanyi në Transformimin e Madh, koha kishte ardhë që lavjerrësi të shkonte nga ana tjetër. Mirëpo, nëse në rastet e tjera lavjerrësi shkonte nga shteti tek tregu dhe këto ofronin parimin bazë të ndërtimit të shoqërisë, në rastin shqiptar, lavjerrësi po shkonte nga një absurd ideologjik në një absurd tjetër ideologjik, nga enverizmi tek kapitalizmi engelsian i shekullit të 19-të.
Pse ndodhi kështu? Në një farë mënyrë, për shkak të padijes së gjerë popullore, të kontrollit të rreptë mbi proceset nga paria, të nevojës së ndërkombëtarëve për stabilitet rajonal, dhe të aftësisë së eksponentëve të saj për të drejtuar kahun e diskursit politik sic donin ata vetë, përfundimisht zgjidhja iu la në duar parisë sunduese të Tiranës dhe shtresës së intelektualëve të Tiranës të lidhur pazgjidhshmërisht me të. Edhe mbas zgjedhjeve të Marsit 1991 u pa se njerëzit ishin të gatshëm të ndiqnin parinë dhe inteligjencian që deri në atë pikë kishte qënë në shërbim të pakushte të parisë së Tiranës por që tash po luante si sparring partner. Inteligjencia po i kundërvihej parisë së cilës i kishte shërbyer deri atëherë e pjesë e së cilës ishte.
Nga ana e vet, paria sunduese e shihte metamorfozën që po ndodhte si një përmbysje të sistemit enverist dhe fitore të kundërshtarëve të deridjeshëm ideologjikë të cilëve shpejtoi që t’iu bashkëngjitej me një arrivizëm shembullor. E ardhmja në sytë e të gjithë pjestarëve të saj do të ishte ndërtimi i kapitalizmit. Mirëpo kapitalizmi që kishte ndërmend të ndërtonte paria e Tiranës nuk ishte një kapitalizëm i mbajtur nën fre nga strukturat shtetërore, shoqërore dhe nga një sistem i qëndrueshëm kulturor, vlera morale apo një identitet i fortë. Në shumë vende të tjera, kishin qënë pikërisht këto aspekte të shoqërisë që e kishin lejuar kapitalizmin të lulëzonte por duke qënë nën një kontroll të rreptë të strukturave.
Kapitalizmi që ata kishin ndër mend ishte kapitalizmi ekstrem i përshkruar nga Engelsi në studimin e famshëm, Gjendja e Klasës Punëtore në Angli. Paria e Tiranës e zgjidhi zinxhirin e kontrollimit nga ana e shtetit e të vlerave që e kishte mbajtur të lidhur e nën shtërngesë deri atëherë dhe ka kundërshtuar e kundërshton ndërtimin e cdo structure shtetërore që nuk I shërben direct asaj e pa kushte.
E kështu, përkundër deklarimeve të tyre për demokraci, për mbrojtje të drejtave të njeriut, etj., paria e Tiranës dhe intelektualët në shërbim të tyre, me vetëdije të plotë, thjesht sepse nuk iu shërbenin interesave të tyre, i konsideruan të gjithë këto sisteme shoqëroee, politike, morale e kulturore si dytësore dhe u turrën për të ndërtuar kapitalizmin mancesterian të shekullit të 19-të. E natyrisht, qëllimi i tyre ishte që ata vetë të bëheshin borgjezia e shtresa sunduese në këtë system të ri. Fundi i procesit kalimtar të metamorfozës së tranzicionit do të ishte një system kapitalist në të cilin paria do të kontrollonte gjithcka dhe të gjithë shqiptarët do të shisnin krahun e punës dhe do të shndrroheshin në proletariatin modern.
Duhet theksuar se paria e Tiranës, dhe në vecanti, eksponentët kryesorë të saj, e kishin një ide shumë të qartë se cilat ishin rrugët që duheshin ndjekur. Ata kishin qënë në Perëndim, e kishin parë botën e huaj, kishin jetuar, kishin studjuar, e kishin kritikuar apo analizuar, dhe ia njihnin shumë mirë të gjitha anët. Aq më shumë që shumë nga ekspertët e sietmit të mëparshëm kishin bërë studime, disa edhe të detajuara lidhur me shoqëritë e tjera në tranzicion. Prandaj, përpjekjet e mëvonshme e sistematike për të paraqitur zgjidhjet e bëra si të kushtëzuara nga të huajt, nga gjendja, nga padija, etj. janë thjesht justifikime. Zgjidhja që ata bënë ishte ndërtimi i kapitalizmit ekstrem ku parimi i vetëm i aplikueshëm do të ishte ‘o mete për vete’, një parim që nuk do të lejonte ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, të një shteti funksional, të një kulture politike e sistemi vlerash që mbajnë bashkë shoqëritë e tjera.
Kjo ishte zgjidhje e qëllimtë nga ana e parisë, në shërbim të interesave të saj të ngushta dhe jo në shërbim të të gjithë shqiptarëve të cilëve iu duheshin të gjithë ato struktura e vlera që përmenda më lart. Duke vepruar në atë mënyrë, ata shkaktuan një dëm të jashtëzakonshëm por edhe morën një përgjegjësi historike të rëndë e të pajustifikueshme.
Ndërtimi i sistemit kapitalist mancesterian e engelsian u bë objektivi i gjithanshëm i tranzicionit në shtetin shqiptar dhe cdo reformë ishte e lidhur me këtë objektiv apo në funksion të këtij objektivi. Gramoz Pashko nxori teorinë e cekut të bardhë, fabrikat e uzinat u mbyllën, tokat nuk u punuan më, pemet u prenë, makineritë e shtrenjta u shitën për skrap, minierat e objektet e pafund u nxorën në ankand për një copë buke, apo u shpërndanë me letra me vlerë, iu dhanë koncesion të huajve, etj.
Shoqëria që do të ndërtohej në shtetin shqiptar do të ishte shoqëria e rrugës, e materializmit ekstrem, e hajnave dhe banditëve, drogaxhinjve dhe trafikantëve, një shoqëri ku njeriu për njeriun do të ishte ujk, ku nuk do të kishte nder, identitet, vlera e dinjitet përvec pares e përvec vendit që parja të jep në një shoqëri të tillë. Eksperimente të gjithfarllojshme, disa të mbështetura në agjenden e në vlerat ideologjike të të huajve, disa të ushqyera nga interesat e ngushta të eksponentëve të parisë sunduese si Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Rexhep Mejdani, Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Gramoz Ruci, Anastas Angjeli, Genc Ruli, Aleksandër Meksi, e me rradhë cuan në deformime të jashtëzakonshme e me shumë pasoja për shoqërinë shqiptare edhe në të ardhmen.
Përpjekjen e tyre për të ndërtuar kapitalizmin ekstrem, paria e Tiranës e përcaktoi si ‘tranzicion.’ Tashmë shumë prej pjestarëve të saj këmbëngulin se tranzicioni është mbyllur përfundimisht. Ai sistem që duhej të ndërtohej, është ndërtuar dhe është i përbindshëm. Ky është një system i bazuar në mashtrimin e paskrupullt, fragmentarizimin, fanatizmin, injorancën, shkatërrimin e familjes, zvetënimin, kriminalitetin, degjenerimin, zhveshjen nga vlerat morale e njerëzore, në legjitimimin e hajnisë, korrupsionit të pashembullt dhe shpërdorimit të besimit të qytetarëve. E si cdo shoqëri e ndërtuar mbi parime ekstremiste, edhe kjo është e dëmuar të shembet nën peshën e zullumeve e teprimeve të veta. Koha ka ardhur që lavjerrësi të ktheht në kahjen e normalitetit e njerëzimit edhe për shqiptarët.
Nga ana e saj, paria e Tiranës ia ka mbrritur të ndërtojë sistemin ekonomik që ajo ka ëndërruar e që e ka dëshëruar. Mirëpo, sic shihet, ky system është një përcudnim i cdo shoqërie normale njerëzore. Ata që shkatërruan gjithcka për të fituar vetë e për të përvetësuar gjithcka, po shohin përditë se në shtetin shqiptar nuk ka as shoqëri me vlera, as kapitalizëm që zhvillon, as moral, as dinjitet, as stabilitet e as siguri.
Tranzicioni u sprovua të ishte një seri tragjedish njerëzore e mbarëshoqërore të papërjetuara në ndonjë shoqëri tjetër që ka sprovuar të kalojë një metamorfozë të ngjashme me shoqërinë shqiptare. Cmimi që është paguar e që po paguhet nga shqiptarët nuk mund të matet. Sistemi që ata luftuan që të ndërtonin ka dështuar. Alternativa e parisë ka dështuar. Tranzicioni ka dështuar. Në mënyrë sistematike, shoqëria shqiptare po rrëshqet në drejtimin e një shoqërie si Haiti. Kështu si janë ndërtuar strukturat politike, ekonomike e shoqërore si dhe sistemet e vlerave e ato kulturore, ka pak shpresë për të ardhmen.
Ky libër është një përpjekje modeste për të vënë në pah disa nga patologjitë më të spikatura të këtij tranzicioni të dështuar. Shumica e këtyre shkrimeve të përmbledhura në këtë libër janë botuar në shtypin e përditshëm shqiptar si tek Libertas, Gazeta Shqiptare, Gazeta Sot, Shekulli, Tema, Panorama, Express, e me rradhë. Në procesin e ripunimit të librit, i kam prekur shkrimet e botuara në disa pika duke synuar që ti bej mendimet më të qarta dhe të kuptueshme për lexuesin. Duke qënë thjesht komentare, opinione dhe mendime të mijat personale, këto shënime nuk kanë pretendimin që të jenë studim apo analizë akademike edhe pse, shpresoj, që studimet e mia të më kenë ndihmuar që ti shoh si individët ashtu edhe proceset më qartë e më qetësisht se ata që iu duhet të jetojnë në shtetin shqiptar.
Te verteten duhet me e thane ashtu si e kupton, sepse si thotë një fjalë e mencur, prej atij që i asht dhanë, pritet me u dhanë. Duke mos kenë i mbajtun peng prej kurrkujt e prej kurrgjaje, mundem me e dhanë mendimin tim pa frikë. Territ duhet me i thane terr edhe pse dikujt nata i duket dita e vertetë sepse vec atëherë mundet me i mshehë pandershmëritë e veta.
Thenia me e plotë do te ishte: Atij qe i eshte dhene me shume, do t’i kerkohet me shume.
Por, nejse le te kthehemi tek Paratheniae…
E mbyllni me keto fjale :
“Duke mos kenë i mbajtun peng prej kurrkujt e prej kurrgjaje, mundem me e dhanë mendimin tim pa frikë. Territ duhet me i thane terr edhe pse dikujt nata i duket dita e vertetë, sepse vec atëherë mundet me i mshehë pandershmëritë e veta.”
Nuk dua te bej koment per ato qe shkruani, edhe pse mund te jene te verteta, por po te pergjigjem me fjalet e nje kritiku qe ju e njihni mire, Bertold Breht:
“Duhet te kesh kuraje te thuash se te miret u thyen jo se ishin te mire, por se ishin te dobet. Sigurisht qe kur lufton kunder genjeshtres, duhet te shkruash te verteten, por ama ne nje menyre te tille qe ajo te mos kthehet ne nje pergjithsim te vaget, te fryre dhe me shume kuptime; sepse kjo do te ishte pikerisht veçoria e genjeshtres.”
Une mendoj se ju e fusni veten tek “te miret”, prandaj historia e Cezarit dhe e Brutit tek neve nuk kuptohet.
Comments are closed.