
Nga Mero Baze
Këto ditë, herë me humor e herë me shqetësim, kryeministri na ka vendosur në qendër të vëmendjes së qytetarëve të Shqipërisë dhe komunitetit ndërkombëtar. Edhe pse kemi bërë boll humor me lajthitjen e kryeministrit, sërish unë dhe kolegët e mi na duhet të sqarojmë privatisht dhe publikisht një gjë shumë thelbësore për këtë zhvillim: Pse Sali Berisha ka fiksim tabulatet telefonike? Më i persekutuar në raport me tri kolegët e tjerë jam unë, pasi pyetjet ndaj meje fillojnë me parantezën “ti e njeh atë, di gjë pse ka degraduar…?”. Në të vërtet e kam një shpjegim për fiksimin e tij për tabulatet. Është paksa i vështirë të kuptohet kur nuk e ke njohur nga afër atë njeri, por së paku për disa anëtarë të Komisionit që kanë pasur rast të pinë ndonjëherë kafe me Berishën është më e qartë.
Nëse ka një ngjarje që e ka ndryshuar tërësisht Sali Berishën dhe historinë e tij me shoqërinë shqiptare është historia e Gërdecit. Në atë histori si rrallë në ndonjë histori tjetër korrupsioni ku vritet për të vjedhur, Sali Berisha ka përjetuar një dramë të rëndë personale, shpirtërore, politike dhe ligjore. Gjërat që e bashkonin dhe e largonin atë nga krimi ishin disa detaje aq të vogla, sa po të tregohej pak kujdes ai mund të kishte dalë pa lagur. Si në çdo dramë të madhe, dhe aty historinë e tradhtuan detajet.
E tradhtoi detaji që baxhanaku i tij dhe disa njerëz të tjerë të afërt ishin drejtues kyç të dy bizneseve, të demontimit dhe trafikut të fishekëve drejt Afganistanit. E tradhtoi gruaja e tij në intervistën e saj të parë publike pas tragjedisë kur tha “E zeza si nuk i treguam Saliut” dhe e kishte fjalën për veten dhe djalin e saj Shkëlzenin, e tradhtoi kunata e tij, motra e gruas, që tha se burri i saj i vrarë në Gërdec nuk mbante arka se nuk ishin keq për bukë të gojës, e tradhtoi vetja e tij kur në mesditën e 15 marsit, duke lexuar tre emrat e viktimave të para, një nga të cilët ishte dhe baxhanaku i tij, ndali një moment, pati një ngërç, bëri sikur ju drodh zëri dhe tha Mehmet Hoxha në vend të emrit të tij real Muhamet Hoxha. Por super-tradhtia i ndodhi nga TABULATET.
Ai nxitoi të thoshte se im bir s’ka pasur kurrë lidhje me Delijorgjin, se nuk njiheshin kurrë, se nuk kanë folur kurrë, se nuk dinte gjë kurrë për atë që ndodhte, dhe befas ne gjetëm tabulatet telefonike të Delijorgjit, ku shihej qartë se pas shpërthimit të depos, pasi kishte folur me gruan dhe kunatin, njeriu me të cilin ai kishte biseduar ishte Shkëlzen Berisha. Kjo e rrënoi Sali Berishën. Pati më pas plot fakte të tjera. U botua faksi që tregonte se Shkëlzeni komandonte ministrat për Gërdecin, u botuan dokumente që Rrahmani ishte përfaqësues i firmës fantazmë amerikane, u botuan të afërmit që drejtonin biznesin në Gërdec, por Sali Berishën asgjë nuk e rrënoi, nuk e plaku dhe ndryshoi brenda ditës si politikan, si prind dhe si kryeministër se sa tabulati i bisedës së djalit të tij me biznesmenin e pafajshëm, në këtë rast Delijorgji.
Ai ishte një fakt komfort, kryeneç, nga ata që nuk kishte nevojë të deshifrohej apo të mësohej përmbajtja e bisedës. Ishte një bisedë e një njeriu që i kish ndodh një tragjedi dhe pasi po i linte amanetet gruas dhe kunatit, po fliste me njeriun me të cilin e kishte këtë biznes që rezultoi vdekjeprurës. Ishte i vetmi tabulat në botë, që nuk kërkonte shpjegime. Ishte i vetmi tabulat telefonik, për të cilin Sali Berisha mund të kishte dhënë miliona që të zhdukej. Ina Rama nuk e zhduku dhe ai nuk ia fali kurrë.
Sali Berisha nuk është dënuar për Gërdecin. Bile dhe ata që po mbahen në burg po dalin një nga një, pasi procesi ka degraduar. Por Sali Berisha është njollosur keq për Gërdecin. Geraldo Durda është një i ri që shkruan shpesh tek gazeta ime dhe vëllai i tij 7 vjeçar Edison Durda ka vdekur nga ai shpërthim. Geraldo nuk e harron kurrë fajtorin e asaj tragjedie, edhe pse drejtësia nuk ka vepruar. Si Geraldo janë shumë familjarë të viktimave dhe miliona shqiptarë. Ata nuk kanë asgjë me Delijorgjin, as me Minxollin, as me Pinarin…
Atyre vërtet u ka ndodhur një aksident teknik. Ata e kanë me njeriun që theu të gjitha ligjet për të bërë një biznes që rezultoi vdekjeprurës në emër të pushtetit, dhe ai është i biri i kryeministrit. Fakti që lidh fort këtë histori është një tabulat bisede pak pas tragjedisë. Prej momentit që ajo doli, Berisha u rrënua pasi i ra përfundimisht maska e njeriut që do qeveriste me duar të pastra në këtë vend. Duart e pastra u përgjakën, dhe ai ka një fiksim të çmendur se kjo i ka ardhur nga tabulati. Prej asaj dite, sa herë që atij i shfaqen përballë kundërshtarë apo kritikë, sa herë që dikush e refuzon apo kundërshton, sa herë që gazetarët e sulmojnë apo nuk i shërbejnë, gjëja e parë që i vjen ndërmend se si të hakmerret ndaj tyre është “TABULATI”.
Ai mendon se të jesh kundërshtar i tij është krim, dhe krimi zbulohet nga TABULATI, meqenëse kështu u zbulua krimi i djalit të tij. Është shumë personale, shumë psikologjike dhe shumë njerëzor makthi i tij. Tabulatet tona për fatin e tij të keq nuk shpjegojnë asgjë, edhe sikur t’ia japim jo vetëm si tabulate, por dhe si audio dhe tekste sms. Por kjo nuk e bind. Ai jeton dramën e tij të madhe të asaj çfarë i ka bërë një tabulat. Një tabulat që shpjegon pse vdiqën 26 njerëz më 15 mars 2008 prej djalit të tij. Dhe ky makth do ta vrasë dita-ditës. Nuk e ka me ne. E ka me “tabulatin” që i ka ndryshuar historinë nga një kryeministër me duar të pastra në kryeministër që i janë përgjakur duart duke vjedhur.







