Parajsë ekonomike? Qeveria shqiptare nuk ka para as për rrogat e punonjësve

0
42

TemA Online, 5 Janar 2012

Kryeministri Berisha nuk lë rast pa e përmendur se ekonomia shqiptare ka pasur rritje dhe nuk është prekur nga kriza. Këtë gjë e pohoi edhe dje në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, me plot entuziasëm.

Ministri i Financave, në fund të vitit deklaroi se rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë 3.9%. Të rralla janë ekonomitë në botë që mund të kenë pasur rritje të tillë, nëse shifrat janë të vërteta.

Por, e vërteta duket se qendron ndryshe, pasi qeveria shqiptare është në një kolaps ekonomik dhe këtë e tregon edhe fakti se nuk është në gjëndje as të paguajë punonjësit e vet.

Sipas Top Channel, qeveria ka marrë 11 milionë dollarë borxh nga bankat private me afat maturimi 3-vjeçar. Në ankandin e zhvilluar një ditë më parë nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave kishte planifikuar ta merrte borxhin me interes 8.65 për qind, por në fakt është detyruar ta paguajë atë 0.41 pikë përqindje me lartë ose 9.06 për qind.

Kjo është hera e dytë kur qeveria i drejtohet tregut për borxh për të paguar shpenzimet në këto ditë të para të vitit 2012. Ankandi i mëparshëm ishte ai i datës 29 dhjetor, ku qeveria përmes një procedure të jashtëzakonshme mori 34 milionë dollarë borxh, të cilat u disbursuan nga bankat në datën 3 janar.

Të gjitha këto para janë marrë vetëm për të paguar pagat e punonjësve të administratës.