Rudina Seseri
Doli në konferencë shtypi Ministri i Financave! Kjo dalje nuk përbën lajm në vetvete, por e marrë në kontekstin e aktivitetit të Ministrit te Financave është tejet ironike, për të mos thënë qesharake. Vetëm pak ditë pasi e vetëshpalli Shqipërinë një vend “të zhvilluar,” Ministri i Financave pranoi sot dështimin total të financave qeveritare. Teksa dëgjoj deklaratën e tij, reagimi i parë është që zoti Ministër mishëron sëmundjen e kësaj qeverie: mungesën e aftësisë dhe integritetit profesional.
Thuajse një vit më parë jam shprehur se Ministri i Financave duhet të largohej si përgjegjësi kryesor për fshehjen e realitetit të financave publike, për manipulimet dhe mashtrimet groteske të treguesve ekonomikë, për mediokritetin e tij në krijimin dhe ekzekutimin e buxhetit. Parashikimi që keqmenaxhimi i rëndë i financave dhe ekonomisë do ta çonin vendin në një kolaps financiar. Një vit më vonë, po përballemi me këto konsekuenca.
Në fjalën e tij, Ministri i Financave deklaroi se ekonomia po rritet me 5% këtë vit, një shifër euforike kjo që mundëson kryeshefin e tij të vazhdojë deklarimet e dalldisura për rritje ekonomike nga viti në vit dhe, sigurisht, se Shqipëria është numër një në rajon. Për çudinë tonë të madhe, Ministri i Financave nuk na dha asnjë shpjegim për burimet e kësaj rritjeje ekonomike. Sajesat tipike se ekonomia po rritet falë blerjeve të pullave postare dhe bisedave në celularë apo nga eksporti i energjisë në vende imagjinare mungonin kësaj here. Kjo rritje ekonomike është tërësisht fiktive.
Konsumi i përgjithshëm ka rënë falë nivelit tejet të lartë të papunësisë me mbi 1 milionë të papunë, ndërkohë që çmimet e produkteve bazë vazhdojnë të jenë në ngritje. Sipërmarrjet private janë tashmë në fazën e humbjes së aseteve bazë dhe falimentimeve, duke eliminuar çdo perspektivë për investime, për të mos komentuar më tej rënien e kursimeve dhe ngrirjes së kapitalit. Qeveria pa arritur mirë gjysmë vitin ka ngrirë projektet e saj sepse nuk ka fonde, ndërsa importet vazhdojnë të rriten më shumë se eksportet. Pra, asnjë komponent i ekonomisë nuk është në rritje.
Sapo na lumturoi me bëmën e rritjes ekonomike, Ministri na lajmëron se të ardhurat e qeverise po bien, kështu që i duhet sërish të ribëjë buxhetin e të ulë shpenzimet. Çfarë?! Megjithëse ekonomia shqiptare po “lulëzon,” qeveria nuk mbledhka dot të ardhurat?! Broçkullat më të mëdha të Ministrit të Financave qëndrojnë në shpjegimet e tij për këtë pseudo-fenomen unik. Sipas tij, sipërmarrësit dhe bizneset në vend nuk kanë ushtruar aktivitetin e tyre, sepse kanë qenë të okupuar me “ribërjet e strategjive” të tyre të biznesit. Pra, për thuajse gjysmë viti, bizneset shqiptare kanë ndaluar se operuari, s’kanë nxjerrë fitime e s’kanë paguar taksa. Sa biznese në botë ndalojnë së operuari, sepse ribëjnë strategjitë dhe ripozicionojnë në treg kompanitë e tyre? Asnjë. Strategjibërja dhe ekzekutimi janë të ndërlidhura, ato evoluojnë dhe implementohen paralelisht. Të vetmet biznese që ndalojnë së operuari janë ato që falimentojnë e mbyllin dyert.
Në fjalën e tij, Ministri vijoi të thotë se një pjesë e mirë e bizneseve të cilat, sipas tij, strategjizojnë për gjysmë viti, perveçse nuk kanë nxjerrë fitime, kanë investuar në blerjen nga jashtë të “makinerive e pajisjeve të reja,” madje 25% më shumë se një vit më parë, duke shfrytëzuar afatet më të gjata për shlyerjen taksore. Natyrshëm lind pyetja, me çfarë kapitali po i financojnë blerjet këto biznese? Në mungesë të kredidhënies, e cila është në nivelet e saj më të ulëta në 7 vite, dhe në mungesë të fitimeve, nga burojnë këto kapitale financimi? Për më tepër, në cilat industri e sektorë po përdoren këto makineri e pajisje duke qenë se industria e prodhimit dhe ajo e ndërtimit kanë ngrirë prej më shumë se 18 muajsh? Së fundmi, nëse këto pajisje janë blerë vërtet, pagesa tatimore e sipërmarrësve vetëm është shtyrë në kohë dhe qeveria mund t’i mbledhë këto të ardhura në gjysmën e dytë të vitit pa pasur nevojë të rishohë shpenzimet. Argumentet e Ministrit të Financave për rënien drastike të të ardhurave janë jo vetëm sipërfaqësore, por aq të pabaza sa nuk i shkojnë për shtat as edhe një llogaritari të thjeshtë kooperative.
E vërteta e pastër është se Ministri i Financave nuk ka nga të nxjerrë më të ardhura. Bizneset janë në falimentim, lëvizja e kapitalit është e ngadaltë dhe ekonomia ka ngrirë. Në mungesë të të ardhurave taksore e tatimore, Ministri i Financave shfrytëzoi edhe rrugët e financimit mes instrumenteve kreditore duke e zhytur vendin në borxhe dhe pagesa periodike interesi që po bëhen të papërballueshme. Me mbylljen e kredive si burim parash, qeverisë i ka mbetur vetëm një alternativë: likuidimi i të gjithë aseteve shtetërore, nga hidrocentralet tek portet e deri tek shërbimi i ujit të pijshëm, pavarësisht rëndësisë strategjike të aseteve dhe mungesës së logjikes ekonomike të këtyre likuidimeve. Mjafton të lexosh Ligjin Nr. 10 430 për privatizimin e hidrocentraleve, të aprovuar ne Kuvendin monopartiak, për të kuptuar se ku ka arritur dëshpërimi. Ligji parashikon shitjen e hidrocentraleve me çdo formë, nga shitja e aksioneve deri tek koncesioni, si të dëshirojnë blerësit, por vetëm t’i japin qeverisë pak para për në arkën e saj.
Realitetin e falimentimit ekonomiko-financiar të vendit duhet ta pranojmë të gjithë, duke filluar nga Ministri i Financave. Sot, Shqipëria dhe shqiptarët janë më të varfrit në Europë, të zhytur në borxhe dhe, së shpejti, të zhveshur e të shpronësuar nga çdo aset. Ministri i Financave, si kryekeqmenaxhuesi i financave mban përgjegjësi direkte për falimentimin financiar të qeverisë dhe vendit. Prandaj, Zoti Ministër i Financave, serish ju them, largohuni. Nëse në vitet ‘90 e pasuruat CV-në tuaj me skemat piramidale, në këtë dekadë i shtuat asaj dështimin financiar të vendit.







