TemA, 13 Tetor 2012
Berisha: Në Facebook, Shqipëria lë sot, mbrapa një numër jo të vogël vendesh anëtare të BE-së
Sapo makina e kryeministrit Berisha qëndroi në qytetin e Peshkopisë gjatë paradites të së shtunës, një simpatizante u nis drejt tij për ta takuar. Por shoqëruesit e ekskortës së kryeministrisë dhe efektivat e sigurisë ndërhynë menjëherë dhe e larguan rrufeshëm zonjën në fjalë, për të shmangur ccdo incident, pa e ditur që ajo ishte simpatizante e tij…
Nga qyteti i Peshkopisë kryeministri Sali Berisha ka komentuar vendimin e Komisionit Europian për t’i rekomanduar Këshillit marrjen e statusit të vendit kandidat. I pranishëm në ceremoninë e diplomimit të studentëve të parë të Universitetit Aleksandër Xhuvani, në filialin e tij në Peshkopi, kreu i qeverisë akuzoi opozitën se bëri gjithçka për të penguar marrjen e statusit.
“U qëndrua dy vite, jashtë parlamentit, për të ndëshkuar vendin dhe më pas u pranua gjithçka që ne kishim propozuar. Qeveria ka për detyrë jo t’i imponohet opozitës, përkundrazi, detyra e saj është të bëjë gjithçka, t’i krijojë hapësirën më të madhe asaj. Ky është qëndrim i pandryshueshëm. Por, kur pranuan në muajin nëntor të vitit të kaluar, atë që ishte ofruar edhe 24 muaj më parë, atëherë duhet të nxjerrin një leksion”, tha Berisha.
Kryeministri tha se qeveria e tij do të bëjë gjithcka për plotësuar detyrimet e Brukselit. Ka qenë kjo mazhorancë, deklaroi Berisha, që ka rikonstruktuar 71 % të shkollave dhe ka rritur në mënyrë drastike përqindjen e të diplomuareve.
Kryeministri pohoi se cilësia e arsimit ka probleme serioze, por rritja e cilësisë tha ai do të shpallet prioritet i qeverisë në mandatin e ardhshëm.
Berisha u ndal te një tjetër arritje e qeverisë së tij sic e cilësoi, rritjen e numrit të përdoruesve të internetit duke vecuar edhe këtu një rekord
“Dhe në Facebook, Shqipëria lë sot, mbrapa një numër jo të vogël vendesh anëtare të BE-së. Në vitin 2005, Shqipëria kishte një përdorim celularë, në masën 38 përqind, sot e ka 186 përqind. Shqipëria kishte 12 studentë për njëmijë banorë, ndërkohë që Europa e kishte 43 studentë për njëmijë banorë. Sot, Shqipëria ka mbi 50 studentë për njëmijë banorë. Shqipëria kishte një normë rekrutimi nga shkolla e detyruar në shkollën e mesme prej 60 përqind, sot e ka 92 përqind”, shtoi kreu i qeverisë.
Kryeministri Berisha vizitoi edhe panairin e agrobiznesit “Festa e të Vjelave”, në Peshkopi. Berisha iu premtoi fermerëve trefishim të investimeve gjatë viteve që do të vijnë.







